Sven Goran Eriksson shpërtheu në lot pasi Liverpooli ia plotësoi dëshirën

24 mars 2024 | 13:21

Skuadra e Liverpulit ia ka plotësuar një ëndërr të madhe Sven-Goran Erikssonit.

Ish-trajneri i Anglisë, i cili vuan nga sëmundja e tumorit, muaj më parë kishte deklaruar se është shumë i pikëlluar sepse asnjëherë në karrierën e tij nuk ka qenë trajner i Liverpool-t, i cili është klubi i tij i zemrës.

Suedezit i është plotësuar ëndrra dje, ku ai ka drejtuar skuadrën e legjendave të Liverpoolit kundër atyre të Ajaxit, në stadiumin “Anfield”, ku ”Redsat” kanë shënuar fitore me rezultat 4:2.

76-vjeçari është mirëpritur pothuajse nga 60 mijë tifozë në stadium.

Ai ka shpërthyer në lot ndërsa është përshëndetur me një ovacion në këmbë dhe duartrokitje të forta.

Pas ndeshjes, Eriksson ka thënë se qau pasi kishte ëndërruar të ulet në stolin e Liverpulit.

“Unë qava, ky do të jetë një kujtim i madh në jetën time. Gjatë gjithë jetës sime kam ëndërruar të ulem në stolin e Liverpoolit dhe tani është bërë realitet. Faleminderit Liverpoolit që e bëri të mundur këtë. Jam i sigurt gjithashtu që babai im e ka ndjekur ndeshjen në televizor. Kam qenë plot emocione, lotët kanë rrjedhur vetë, kjo ka qenë ëndrra ime. Edhe kur kam qenë trajner i Anglisë, kam qenë tifoz i Liverpoolit, por atëherë nuk mund ta thosha këtë”, ka thënë ai.

Sven Goran Eriksson, pas ndeshjes ka bërë një xhiro nderi nëpër stadium bashkë me legjendat, pas së cilës ka shpërthyer sërish në lot.

Ai ka thënë se nuk mund të imagjinonte një mënyrë më të mirë për t’i dhënë fund karrierës së tij të madhe si trajner, e cila zgjati më shumë se 40 vjet, nga viti 1977 deri në vitin 2019-të.

Eriksson ishte trajneri i kombëtares së Anglisë nga viti 2001 deri në vitin 2006-të.

Tekniku suedez i ka drejtuar edhe disa skuadra të njohura si: Lazio, Roma, Fiorentina dhe Manchester City.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
24 marsi shënon një ngjarje tjetër historike për çlirimin e…