Synojmë dy mandate në Kuvendin e Malit të Zi

21 gusht 2020 | 09:42

Bartësi i Listës Shqiptare për zgjedhjet e 30 gushtit në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, ka ftuar shqiptarët e kësaj ane që të dalin në numër sa më të madh në zgjedhje. Ai është shprehur i bindur se kjo listë do të fitojë dy deputetë në Parlamentin e Malit të Zi.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Gjeloshaj ka vlerësuar se këta deputetë do të jenë vendimtarë për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve. “Presim ‘Lista Shqiptare Genci Nimanbegu-Nik Gjeloshaj’ do të korrë sukses në zgjedhjet e 30 gushtit duke i fituar dy mandate. Ashtu flasin edhe sondazhet e bëra ditët e fundit. Dy mandate shqiptare mund të jenë vendimtare në konstelacionin politik që do të krijohet pas zgjedhjeve. Të gjithë e shohim ndarjen si me thikë të elementit malazias-serb në Mal të Zi. Unë nuk pres lëkundje tektonike në këtë skenë, por të jesh vendimtar me votën tënde di të jetë me interes shumë të madh për ne shqiptarët”, ka thënë ai.

Gjeloshaj ka vlerësuar se përfaqësuesit e këtij koalicioni dinë më se miri ti mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet. “Kemi dëshmuar si në rrafshin lokal, si në atë shtetëror, se angazhimi ynë merr frymë shqip, se dimë me një dinjitet të palëkundshëm t’i mbrojmë interesat e shqiptarëve, se nuk bëjmë kompromise të kalbura dhe as tregti me çështjen tonë kombëtare”, është shprehur ai.

Gjeloshaj, i cili është kryetar i Komunës së Tuzit, beson se bashkimi i këtyre subjekteve politike shqiptare në një listë të përbashkët do të ndikojë në daljen masive të shqiptarëve në zgjedhje. “Ne besojmë në vetëdijen e ngritur të qytetarëve tanë. Për veprimtarinë e deritashme presim votëbesim, pikërisht siç kemi qenë të gatshëm edhe gjatë mandatit të fundit (kur kishim vetëm një deputet, por kur rezultatet ishin më se të dukshme) të pranojmë edhe sugjerime, por pse jo edhe kritika. Presim që shqiptarët të dalin në vota në numër sa më të madh”, është shprehur Gjeloshaj.

“Epoka e re”: Z. Gjeloshaj, për zgjedhjet e 30 gushtit keni nënshkruar një marrëveshje koalicionit gjithëpërfshirës me disa subjekte tjera politike. Megjithatë, nuk ndodhi bashkimi i gjitha partive politike shqiptare në një listë të përbashkët. Pse?

Gjeloshaj: Me punën, angazhimin dhe politikën tonë parimore të deritanishme, besoj se kemi treguar se askush nuk i përfaqëson dhe nuk lufton për të drejtat tona individuale dhe kolektive sa përfaqësuesit tanë,përfaqësuesit autentikë, pra deputetët nga partitë shqiptare. Me koalicionin tonë “Lista Shqiptare” kemi treguar se deklarimet tona për bashkimin e subjekteve shqiptare nuk janë floskula. T’ju përkujtoj se ne kemi pritur deri në çastin e fundit pa e shpallur koalicionin, vetëm me dëshirë që të dalim si një listë gjithëpërfshirëse.

“Epoka e re”: Çfarë pritni nga ky bashkim i forcave?

Gjeloshaj: Pritja më reale për këtë bashkim është vota e shqiptarëve, është besimi që presim se do të na japin shqiptarët për t’i përfaqësuar në strukturat shtetërore të Malit të Zi, që nga parlamenti, qeveria, ministritë e ndryshme e deri në çdo pore të jetës institucionale. Pa përfaqësim autentik nuk ka as zgjidhje të kërkesave tona. E kujt tjetër t’i jepet vota, nëse jo ne? Ne jemi ata që shtrihemi që nga bregu i Bunës deri në Dacaj të Rozhajës. Që kemi dëshmuar si në rrafshin lokal, si në atë shtetëror, se angazhimi ynë merr frymë shqip, se dimë me një dinjitet të palëkundshëm t’i mbrojmë interesat e shqiptarëve, se nuk bëjmë kompromise të kalbura dhe as tregti me çështjen tonë kombëtare.

“Epoka e re”: Motoja juaj është “Koha është tani”. Çfarë do të thotë kjo moto?

Gjeloshaj: Motoja jonë “Koha është tani” përmbledh shumë mendime dhe mesazhe brenda. Falëveprimtarisë sonë të deritashme ne kemi arritur të zgjidhim shumë kërkesa tona identitare, që rrinin pezull, as andej, as këndej, me dekada të tëra. Shumë kërkesa tona që as nuk vinin në rend të ditës, i kemi vënë adacta. Besojmë se koha është tani të merremi me çështje ekonomike, për ta ngritur standardin jetësor të shqiptarëve tanë. Koha është tani të merremi me ekonominë, me turizmin, me bujqësinë, me të gjitha ato çështje që e lehtësojnë jetën e qytetarit tonë, që ndërpresin procesin e asimilimit, shpërnguljes dhe apatisë. Koha është tani të krijojmë vende të reja të punës me resurset tona, që qëllimisht janë lënë pas dore me dekada. Koha është tani t’i tregojmë të gjitha kapacitetet krijuese në çdo fushë, por këto kapacitete duhet të dalin në dritë me mbështetjen institucionale. Ka shumë punë që na presin, sepse veprimtaria jonë nuk është ad-hoc, është një proces i gjallë, dhe “koha është tani” ta avancojmë këtë proces.

“Epoka e re”: Sa prisni që ky bashkim ta rritë votën shqiptare?

Gjeloshaj: Ne besojmë në vetëdijen e ngritur të qytetarëve tanë. Për veprimtarinë e deritashme presim votëbesim, pikërisht siç kemi qenë të gatshëm edhe gjatë mandatit të fundit (kur kishim vetëm një deputet, por kur rezultatet ishin më se të dukshme) të pranojmë edhe sugjerime, pse jo edhe kritika. Presim që shqiptarët të dalin në vota në numër sa më të madh. Mosdalja në vota, kuptohet është e drejtë e secilit, por ajo nuk i ndihmon çështjes shqiptare në Mal të Zi. Nëse këtu llogarisim “votat e sigurta” të partive tjera brenda komunitetit shqiptar, mosdalja në vota është ndëshkim, sipas nesh, i pamerituar për koalicionet shqiptare, për vetë shqiptarët.

“Epoka e re”: Çfarë përmban oferta juaj për qytetarët?

Gjeloshaj: Si gjithkund në botë, të drejtat identitare janë themel i veprimit të partive nacionale. Ashtu edhe te ne këto të drejta janë prioritet i të gjithë prioriteteve,por në platformën tonë zgjedhore që e prezantuam disa ditë përpara, janë dhjetë shtylla të saj që do t’i kemi udhërrëfyese për veprimtarinë tonë gjatë këtij mandati: lufta kundër diskriminimit ndaj shqiptarëve; zhvillimiekonomik dhe rritja e mirëqenies së popullit tonë; modernizimi i infrastrukturës në vendbanimet shqiptare; lidhja me shqiptarët në shtetet e tjera: vendkalimet e reja kufitare dhe rrugët përkatëse drejt Shqipërisë dhe Kosovës; punësimi i të rinjve tanë dhe përfaqësimi i drejtë të shqiptarëve në administratën shtetërore; kthimi i pronave; rritja e cilësisë dhe modernizimi i infrastrukturës së shkollave shqipe; zgjerimi dhe modernizimi i infrastrukturës dhe shërbimeve shëndetësore në trevat shqiptare; turizmi bregdetar, rural, malor, turizmi dimëror dhe bujqësia; ringjallja e jetës kulturore e sportive.

“Epoka e re”: Po për liritë dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve çfarë do të bëni?

Gjeloshaj: Thashë edhe më sipër, preokupimi ynë kryesor është ta ruajmë popullin shqiptar në Mal të Zi si pjesë e pandarë e kombit shqiptar në tërësi. Çështja e të drejtave dhe lirive të njeriut është çështje e rëndësishme e integrimeve evropiane. Shqiptarët jemi me siguri kombi më proevropian jo vetëm në Ballkan. Partnerë në ruajtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, si atyre individuale, ashtu edhe kolektive kemi BE. Mali i Zi pretendon të hyjë në familjen e shteteve më progresive – në BE, prandaj edhe tek ato forca politike do të kërkojmë, e nuk kam dyshim se do ta gjejmë partneritetin e duhur.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet tuaja për këto zgjedhje?

Gjeloshaj: Presim se “Lista Shqiptare Genci Nimanbegu-Nik Gjeloshaj” do të korrë sukses në zgjedhjet e 30 gushtit duke i fituar dy mandate. Ashtu flasin edhe sondazhet e bëra ditëve të fundit. Dy mandate shqiptare mund të jenë vendimtare në konstelacionin politik që do të krijohet pas zgjedhjeve. Të gjithë e shohim ndarjen si me thikë të elementit malazias-serb në Mal të Zi. Unë nuk pres lëkundje tektonike në këtë skenë, por të jesh vendimtar me votën tënde di të jetë me interes shumë të madh për ne shqiptarët. Është më lehtë të kërkosh, t’i realizosh të drejtat tua, të imponosh ide.

“Epoka e re”: Cili është mesazhi juaj për shqiptarët më 30 gushtin?

Gjeloshaj: Mesazhi është i qartë. Dilni të gjithë në vota dhe votoni listën zgjedhore që i prezanton më së miri të drejtat interesat tuaja, si ato individuale, ashtu edhe kolektive. Ne jemi të bindur se zgjedhja juaj do të jemi ne – Lista Shqiptare. Vetëm mendoni se kush janë ata që ngritën zërin për çështjet e simboleve kombëtare, për ruajtjen e figurave kombëtare dhe historisë sonë të ndritur, kush janë ata që angazhohen për lidhjet e forta me shqiptarët në shtetet e tjera, Shqipëri dhe Kosovë dhe gjithkund ku gjendet shqiptarët. Jemi pikërisht ne! Andaj, votuesit i mbetet të votojë me zemër të pastër dhe me arsye të ftohtë. Edhe numri 10 është simbolikë e jona.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një përgjigje për disa që më japin publikisht këshilla miqësore…