Szunyog: Kosova të shqyrtojë mundësitë e reja për furnizim me energji elektrike

23 shkurt 2022 | 14:27

Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se njerëzit në vend meritojnë qasje të përballueshme dhe të besueshme në energjinë e gjelbër.

Szunyog në tryezën me temën “Presidenca franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka shprehur shqetësimin edhe për mungesën e kuorumit në Kuvend dhe ecurinë e ngadaltë të akteve legjislative.

“Në Kosovë, furnizimi jo i besueshëm me energji, i cili bazohet kryesisht në thëngjill, mbetet një shqetësim. Ne inkurajojmë fuqimisht Kosovën që t’i përafrojë prioritetet e saj me ato të Bashkimit Evropian dhe të shqyrtojë opsionet për të ndryshuar furnizimet me energji. Kjo është edhe më e rëndësishme tani kur ne po përballemi edhe me krizën në Evropën Lindore. Kosova duhet të rrisë këtë përkushtim politik për të adresuar degradimin e mjedisit dhe sfidat klimatike, gjithashtu në këndvështrimin e përmbushjes së agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Njerëzit në Kosovë meritojnë qasje të përballueshme dhe të besueshme në energjinë e gjelbër. Rreziqet dhe kostot e moskalimit në një energji të pastër për njerëzit, për mjedisin, krijimin e vendeve të punës për investime dhe ekonominë në përgjithësi, janë dhe do të jenë të mëdha”, ka deklaruar Szunyog.

E, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, ka theksuar se janë aktiv në agjendën ndërkombëtare që ka të bëjë me zvogëlimin e emetimit të gazrave dhe mbrojtjen e ambientit. Po ashtu, ajo me theks të veçantë ka folur për digjitalizimin, ku tha se Franca është e gatshme që të bëjë “Evropën digjitale”.

“Franca është e gatshme që ta bëjë Evropën digjitale dhe ta promovojë integrimin e tregut digjital. Ambicia jonë është që ta promovojmë digjitalizimin dhe duke zbatuar edhe Ligjin për Konkurrencë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, Kosova tashmë ka hedhur hapat e parë për digjitalizim.

Butel ka rekomanduar që një gjë e tillë të bëhet në mënyrë sensitive, duke marrë parasysh mbrojtjen e klimës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës dhe Chemonics International Inc kanë vazhduar memorandumin…