Ta shpluhurojmë kujtesën

30 shtator 2019 | 12:03

Shkruan: Iljasa Salihu

Të jetuarit nën një kulm vetëm me gruan dhe fëmijët, është më lehtë dhe më qetë. Sot, shumica e të rinjve këtë formë të të jetuarit e kanë përqafuar. Madje tepër ngrohtë, pavarësisht ndikimeve të ftohta anësore. Pak punë, puna e prindërve! Pikërisht kur kanë nevojë për një fjalë ledhatuese dhe për një krahë të shtrirë me thjeshtësi, prindërit po i braktisim e po i lëmë të shkretë. Habitshëm, harrojmë se prindërit tanë po të mos na lindnin neve, do ta kishin jetën më të lehtë dhe më të qetë, mbase do të kishin edhe karrierë më të bujshme. Harrojmë se qysh me ngjizjen tonë, ne u bëmë parehati për prindërit tanë. Ata përkundër kushteve të vështira ekonomike, na duronin e kënaqeshin me neve. Punonin ditë e natë, që jeta jonë të jetë më e mirë dhe më e begatshme. Flijonin gjumin, udhëtimet dhe bukën e gojës për neve. Gërryen shpirtin kur sëmureshim. Me gjithë punën e vështirë dhe të papaguar sa duhet, ata kursenin para, jo për të shkuar në det, as për t’ia dhënë një ecje botës, por për të na mbathur, ushqyer dhe shkolluar neve. Tërë kursimet që i mblidhnin duke punuar punë nga më të ndryshme, me një bujari të lartë i drejtonin në edukimin dhe arsimimin tonë. Mjetet dhe synimet i kishin shkrirë në mozaikun e mjeteve dhe synimeve tona. Ata ndiheshin mirë vetëm kur ne ishim mirë. Edhe veten e kishin harruar për neve!

Ndonëse ata e kishin harruar edhe veten për neve, vallë si u bë që kaq shpejtë i harruam të bëmat e tyre? Meqë ata edhe veten e kishin harruar për neve, si ka mundësi që ne tani t’i harrojmë vetëm ata që kurrë nuk na harruan, por jo edhe veten, jo edhe gruan, jo edhe fëmijët tanë? Po jeta më e qetë dhe rruga për karrierë më e pastër pa praninë e prindërve nën një çati! Po sikur prindërit tanë të kishin menduar dhe vepruar kështu kundrejt nesh? Ata do të shkonin çdo vjet në pushim dimëror, vjeshtor, pranveror dhe veror. Do të shëtitshin ku t’ia kishte ëndja. Do të flinin kur të donin dhe do të zgjoheshin kur të dëshironin. Do t’i shpenzonin kursimet e tyre për gjëra luksoze. Nuk do ta kishin asnjë pengesë në karrierë. Do t’i ndërronin punët dhe vendbanimet me lehtësi. Nuk do të përjetonin fare andralla. Do të merreshin lehtësisht me sport. Spitalet shumë rrallë do t’i vizitonin. Mirëpo, ne nuk do të ishim. Nuk do të kishim mundësi të kujtojmë vetëm për veten, gruan dhe fëmijët tanë. Nuk do të kujtonim dhe nuk do të kujtoheshim, ngaqë nuk do të ekzistonim për arsye se do t’ia prishnim rehatinë prindërve tanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje (LV) në Mitrovicë po vazhdon takimet me qytetarë,…