
Tahir Ahmeti: Komunat të ndalojnë përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë festave të fundvitit
Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave ka thënë se komunat duhet të ndalojnë përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë festave të fundvitit.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se në çdo fundvit në Kosovë dhjetëra qytetarë, më së shumti fëmijë dhe të mitur, përfundojnë në Qendra Emergjente shkaku i lëndimeve të marra nga përdorimi joadekuat i këtyre mjeteve piroteknike.
“Me afrimin e festave të fundvitit, fillojnë edhe përgatitjet për festimin e tyre. Që nga fillimi i këtij viti e deri më tash, në vendin tonë janë importuar rreth 100,000 mijë kilogramë mjete të ndryshme piroteknike, kryesisht nga Kina. Në çdo fundvit në Kosovë dhjetëra qytetarë, më së shumti fëmijë dhe të mitur, përfundojnë në Qendra Emergjente shkaku i lëndimeve të marra nga përdorimi joadekuat i këtyre mjeteve piroteknike. Për të rritur sigurinë, komunat do të duhej që gjatë kohës së këtyre festave, të ndalojnë me urdhëresë për një periudhë të caktuar kohore, përdorimin dhe shitjen e produkteve piroteknike, në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe, pra, aty ku qarkullojnë më shumë njerëz. Siguria e qytetarëve duhet të jetë primare”, ka thënë ai.
/Epoka e re/