Tahiri i PDK-së kërkon komision hetimor për kontratat njëburimore

14 mars 2024 | 12:17

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PDK), Abelard Tahiri, ka përmendur shifrat e kontratave njëburimore të nënshkruar nga qeveria Kurti, duke kërkuar edhe një komision hetimor parlamentar për këtë kontrata.

Tahiri ka folur me shifra, ku ka bërë të ditur që sipas hulumtimit të partisë së tij, del që vlera totale e kontratave njëburimore është 153 milionë euro me 220 kontrata.

“Del që vlera totale për vitin 2022 dhe 2023 është 153 milionë euro me 220 kontrata, institucionet që kanë nënshkruar kontrata është KEK-u, për dy vitet 87 kontrata me vlerë 102 milionë euro, i ka nënshkruar në tavolinë.”

“Ky është një burim i qartë i korrupsionit”, ka thënë Tahiri, duke treguar  shifrat për disa ministri dhe kontratat njëburimore që kanë nënshkruar.

“Ministria e Shëndetësisë, pa i përfshirë vaksinat i kemi 4 milionë euro kontrata. Ministria e Arsimit, janë 19 milionë euro me 30 kontrata. Ministria e Punëve të Brendshme nënshkruan kontrata sekret dhe njëburimore, e që i ka 21 milionë dhe janë 20 kontrata për dy vite pa i përfshi kontrata sekret që nuk e dimë”, ka thënë ai.

Më tutje, Tahiri ka kërkuar që të formohet një komision hetimor parlamentar dhe kjo çështje të futet në rezolutën e LDK-së të paraqitur në Kuvendin e Kosovës.

“Të nisim një komision hetimor që ta bëjmë një hetim për këto kontrata. Ne po kërkojmë që rezoluta e LDK-së të plotësohet edhe me një pikë, pra formimin e një komisionin hetimor. Ka material të mjaftueshëm për prokurori dhe do t’i procedojë në prokurori që kanë elemente penale të cilat duhet të hetohen”, ka thënë Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar…