Tahiri: Jam i lumtur që e sigurova normën olimpike ‘Pekin 2022’

04 mars 2021 | 18:40

Albin Tahiri ka kompletuar rezultatet e nevojshme për normën olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”, disiplina e sllallomit të madh në skijimin alpin. Skitari i Kosovës doli i 23-ti në garën e mbajtur të enjten në Maribor të Sllovenisë.

Tahiri përfundoi të dyja lëshimet me kohë 2:16.76 minuta, për të fituar 82.24 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS). Në garë morën pjesë 50 garues, ku 10 prej tyre nuk përfunduan njërin nga dy lëshimet.

“Jam shumë i lumtur me garën e sotme. Kam përmirësuar rezultatin për dallim nga e mërkura (i 29-ti) dhe kam marrë 82.24 pikë të FIS-it, që është rezultati dukshëm më i mirë për Kosovën në dy sezonet e fundit në ndonjë disiplinë”, ka thënë Tahiri për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës.

“Tani e kam çuar në pesë numrin e rezultateve të nevojshme për normën olimpike, të cilën tani e kam të arritur në sllallom të madh, për çka jam shumë i lumtur”, ka shtuar 32-vjeçari. Albini do ta kërkojë normën olimpike edhe në sllallom dhe disiplinat e shpejta si: Super sllallom të madh, kombinim alpin dhe lëshim.

Më herët, normën olimpike, por në disiplinën e sllallomit, e ka arritur Arbi Pupovci. Lojërat Olimpike Dimërore mbahen në Pekin të Kinës prej 4-20 shkurtit të vitit të ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) mbajti…