Tahiri kërkon miratimin e pakos së ligjeve të gjyqësorit

22 nëntor 2018 | 12:19

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka vlerësuar se miratimi i projektligjeve që janë në rend të ditës në seancën e të premtes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Sipas tij këtij miratimi i këtyre projektligjeve do të ndikojë drejtpërdrejtë në përmbylljen e kapitullit për liberalizimin e vizave.

“Miratimi përfundimtar i projektligjeve si Projekt Kodi Penal, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Projektligji për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale si dhe Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, shënon një shkëputje të rëndësishme në avancimin dhe fuqizimin e shtetit ligjor, duke krijuar një rrethanë të re dhe të domosdoshme që do të prodhojë efekte të menjëhershme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe do të adresojë përgjegjësinë e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit konform normave më të larta të cilësisë, llogaridhënies dhe integritetit”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se këto projektligje janë hartuar mbi bazën e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian dhe mbi bazën e nevojave institucionale për të rritur efikasitetin në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ministri Tahiri ka ftuar deputetët që në seancën e radhës të miratojnë edhe pakon e ligjeve të gjyqësorit dhe atyre që ndërlidhen me avancimin e qasjes në drejtësi, siç është ai për trashëgiminë dhe noterinë.

“Miratimi i këtyre projektligjeve kardinale për fuqizimin e sundimit të ligjit, është shprehje e vullnetit shtetëror institucional dhe politik që garanton perspektivë të qëndrueshme të shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës. Natyrisht se miratimi i këtyre projektligjeve e përmbyllë edhe kapitullin e liberalizmit të vizave, si shprehje e vullnetit të pa kompromis të shtetit tonë për të garantuar qeverisje me ligj dhe zbatim të mirëfilltë të tyre. Me këtë rast, pres dhe ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të japin mbështetjen e pa rezervë në miratimin përfundimtar të tyre. Konsideroj se me miratimin e këtyre projektligjeve dhe hyrjen e tyre në fuqi, Republika e Kosovës dëshmohet si lider në rajon në gatishmërinë e plotë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin dhe përgjegjësitë publike”, ka thënë Tahiri.

Në seancën e Kuvendit që do të mbahet të premten, në rend dite për miratim përfundimtar janë 9 projektligje të cilat janë produkt i agjendës legjislative të Ministrisë së Drejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dukagjin Gorani, ka thënë se…