
Tahiri: Kompania që ishte në pronësi të shefit të stafit të Kurtit po pret për licencë që t’iu shes rrymë bizneseve
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në një konferencë për medie lidhur me protestën e bizneseve ndaj vendimit të ZRrE-së për t’i nxjerrë në treg të hapur për furnizim me energji elektrike, ka thënë se në mesin e kompanive që po presin për të marrë licencë për shitje të rrymës në Kosovë, është edhe një kompani që dikur ka qenë në pronësi të shefit të stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Luan Dalipit.
Tahiri ka thënë se kjo kompani tashmë drejtohet nga Driton Dalipi, e që Tahiri aludon që mund të jetë vëllai i Luan Dalipit.
“Pra MDA-ja që sot drejtohet nga Driton Dalipi, e që me gjasë është vëllai i shefit të stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, ka aplikuar për licencë për shitje të energjisë elektrike në vendin tonë”, ka thënë Tahiri.
Më tutje, ai përmendur edhe faktin që vëllai i kryeministrit Albin Kurti është vendosur në zyrën e KEK-ut për shitblerje të energjisë.