Tahiri: Kosova duhet ta ndërpresë përkohësisht dialogun me Serbinë

22 nëntor 2018 | 12:43

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka ftuar institucionet e Kosovës ta ndërpresin përkohësisht dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se kjo duhet të ndodhë për shkak të sjelljes armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për ta ndalë diskutimin për lëvizje të kufijve.

Sipas Tahirit, dialogu i tanishëm që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet dy presidentëve nuk është në interes të Kosovës.

Ajo ka bërë me dije se Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e këtij procesi derisa Serbia të fillojë të sillet në bazë të parimeve të fqinjësisë së mirë

“Epoka e re”: Znj. Tahiri, Serbia sërish përdori të gjitha mjetet për ta kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Cili është komenti juaj për këtë qëndrim armiqësor të Serbisë?
Tahiri: Ky ishte një dështim i Interpolit, sepse lejoi të triumfojë politika e krimit e sponsorizuar nga Serbia. Ky dështim i Interpolit jo vetëm që la Kosovën jashtë anëtarësimit, por dobësoi edhe stabilitetin në rajon. Të gjithë e dimë rëndësinë e Interpolit në funksion të sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar. Mendoj se kjo ishte humbje për Interpolin, për rajonin dhe për Kosovën.

“Epoka e re”: Po përgjegjësia e institucioneve të Kosovës në këtë rast, cila është?
Tahiri: Diplomacia e Kosovës duhet ta ndryshojë qasjen, sepse politikëbërja e diplomacisë së Kosovës është jashtëzakonisht e dobët. Nuk ka një strategji të mirëfilltë dhe vizionare të politikës së jashtme të Kosovës. Kjo vjen si pasojë e mungesës së kapaciteteve për t’u marrë me sfidat e diplomacisë ndërkombëtare të cilat janë komplekse dhe strategjike.

“Epoka e re”: Meqenëse Serbia vazhdimisht po vepron në mënyrë destruktive ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, si duhet të veprojë Kosova në raport me procesin e Brukselit për normalizim të raporteve në mes të dy vende?
Tahiri: Kosova duhet të mendoj mirë në raport me relacionet me Serbinë dhe dialogun e Brukselit, sepse ky qëndrim armiqësor i Serbisë ndaj Kosovës në planin e integrimit ndërkombëtare dëshmon se Serbia nuk ka gatishmëri që të bëjë fqinjësi me shtetin e Kosovës. Përkundrazi, është e orientuar që të krijojë situata të tensionuara që nuk e ndihmojnë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe e nxjerrin Serbinë si një faktor që nuk është i përgatitur për integrimet evropiane. Për fat të keq, Serbia mbetet me logjikën e saj të vjetër, me mentalitet rus, qëndrim hegjemonist dhe destruktiv. Kjo në radhë të parë është keq për Serbinë.

“Epoka e re”: A do të thotë kjo se Kosova duhet ta ndërpresë dialogun me Serbinë?
Tahiri: Ndoshta Kosova duhet të mendojë ta ndalë dialogun me Serbinë në Bruksel përkohësisht. Kjo duhet të ndodhë për ta ndalur diskutimin për kufirin në mes të dy vendeve. Këtu i takon edhe vetë presidentit të Kosovës që ta ndalë diskutimin për këtë temë, por edhe vetë Serbia nuk duhet të lejojë që agjendat ruse të kenë ndikim në këto procese. Po ashtu, edhe BE-ja duhet ta bëjë të qartë që Ballkani mund të jetë stabil dhe në paqe vetëm nëse respektohen kufijtë e gjashtë shteteve të ballkanike, duke përfshirë edhe Kosovën. Vetëm nëse BE-ja respekton parimet e veta për shtet shumetnik, përndryshe i gjithë procesi në Ballkan mund të marrë kahe të paparashikueshme me pasoja të rënda, deri te luftërat e reja.

“Epoka e re”: Pra, sipas jush, është koha që Kosova ta ndalë dialogun me Serbinë?
Tahiri: Mendoj se Kosova duhet ta ndërpresë përkohësisht dialogun me Serbinë duke bërë me dije dy arsye: E para, për shkak të qëndrimit armiqësor të Serbisë ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare. E dyta, për shkak se Kosova, populli i saj dhe i gjithë spektri politik, kundërshton fuqishëm prekjen e kufijve të shtetit. Këto janë dy arsyet pse ky dialog duhet të ndërpritet përkohësisht në mënyrë që të bëhet riformulimi i politikave për fqinjësi të mirë në kuadër të dialogut. Me politikat e fqinjësisë së mirë dhe njohjen reciproke ky dialog i Brukselit mund të japë rezultate dhe një marrëveshje që siguron paqe dhe stabilitet në rajon.

“Epoka e re”: Mendoni se Kosova mund ta ndalë këtë proces përkundër presonit të madh ndërkombëtar për ta vazhduar atë?
Tahiri: Jo vetëm ky proces, po të gjitha proceset që i zhvillon Kosova në politikën e brendshme dhe në atë të jashtme duhet të jenë në pajtim me interesat shtetërore të Kosovës. Ky dialog, siç po shkon tani, është kundër interesave shtetërore të Kosovës. Sigurisht se Kosova nuk duhet të ngutet dhe të jetë palë në dialog nëse ky proces po shkon drejt prekjes së kufijve të Kosovës dhe praktikisht cenimit të shtetësisë dhe sovranitetit e integritetit territorial të saj. Tani Kosova duhet të bëjë me dije se palë në këto bisedime do të jetë vetëm kur të ndalet tema e kufijve dhe kur Serbia t’i ndalë sjelljet armiqësore ndaj Kosovës.

“Epoka e re”: Nuk do të ketë Kosova ndonjë sanksion të mundshëm ndërkombëtar nëse do ta ndalte dialogun?
Tahiri: Nuk ka sanksion më të madh për Kosovën sesa që të bisedohet për kufijtë e saj. Ky është sanksionimi më i madh dhe dëmi më i madh që iu ka bërë Kosovës që nga përfundimi i luftës. Që 20 vjet po punojmë për ndërtim të shtetit, duke qenë kontributdhënës të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në momentin që shihet se një proces po shkon kundër interesave tona, ai proces duhet të ndërpritet. Pastaj të vihet në shprehje konsolidimi i brendshëm i skenës politike-institucionale të Kosovës, duke e nxjerr një platformë për dialogun e Brukselit me të cilën vija e kryesor e kuqe duhet të jetë që askush nuk mund të bisedojë për temën e kufijve. Po ashtu, përmes kësaj platforme duhet të jepet mesazhi i qartë se me qëndrimet armiqësore të Serbisë cenohen parimet e fqinjësisë së mirë. Dhe derisa Serbia nuk disiplinohet dhe nuk ndryshon qasje në raport me Kosovën, nuk ka mundësi të jetë palë për dialog.

“Epoka e re”: Kuvendi i Kosovës, pozita dhe opozita nuk po mund ta miratojnë një rezolutë të përbashkët e cila do të ndalonte diskutimin për kufij.
Tahiri: Tani kur Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë as platformën për dialog dhe as ta autorizojë delegacionin e Republikës së Kosovës për dialog, dhe presidenti i Kosovës në takimet ndërkombëtare vazhdon ta promovojë idenë e ndryshimit të kufijve, ne jemi në një pozitë të rendë dhe të disfavorshme. Fakti që ka dështuar Kuvendi t’i marrë përgjegjësitë shtetërore, me fjalë të tjera Kuvendi po ua bartë përgjegjësinë qytetarëve. Qytetarët e Kosovës duhet të flasin dhe kjo mund të ndodhë në format e ndryshme demokratike për t’ia bërë me dije edhe Kuvendit dhe të gjitha institucioneve shtetërore se, meqenëse ata dështuan, tani populli është sovrani. Në fund të fundit, në shtetet demokratike sovrani është populli dhe ai përmes votës e bartë sovranitetin te Kuvendi i Kosovës. Tani kur Kuvendi po dështon ta ushtrojë sovranitetin shtetëror, kompetenca i kthehet popullit për të vendosur, sepse nuk ka mbetur rrugë tjetër.

“Epoka e re”: Kjo i bie se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja?
Tahiri: Një prej alternativave janë zgjedhjet e reja. Alternativë tjetër është që qytetarët përmes manifestimeve demokratike të dëshmojnë se Kosovën e mbrojnë me çdo çmim siç e kemi mbrojtur edhe në periudhën e okupimit. Është koha të flasë populli, sepse institucionet po dështojnë. Institucionet kanë edhe një shans që të nguten dhe t’i nxjerrin dokumentet relevante dhe t’i sigurojnë qytetarët e Kosovës se tërësia territoriale e Kosovës dhe kufijtë janë të paprekshëm. Nëse ndodh kjo, sovraniteti është tek institucionet. Përndryshe, Kuvendi ia ka kthyer sovranitetin popullit për të vendosur.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Muharrem Sahiti ia ka atribuuar këto suksese ish-kryetarit të…