
Tahiri me përfaqësues të Bankës Botërore diskuton për sfidat ekzistues të financave lokale në Kosovë
Në përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë për të reformuar skemën aktuale të financave lokale, zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri sot ka pasur një takim online me përfaqësues nga Banka Botërore nga selia në Washington dhe Bruksel.
Tahiri ka bërë me dije se në këtë takim kanë diskutuar për sfidat e sistemit ekzistues të financave lokale në Republikën e Kosovës.
“Ekipi hulumtues nga Banka Botërore i udhëhequr nga, Mediha Agar, shefe e Qeverisjes për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, paraqiti gjetjet dhe rekomandimet në lidhje me marrëdhëniet fiskale ndërqeveritare, grantin e shëndetësisë dhe arsimit dhe efektin e pandemisë Covid-19 në nivelin lokal në Kosovë”, ka thënë Tahiri.
Në këtë takim, Tahiri ka theksuar se mbetet i përkushtuar të mbështesë fuqimisht reformën e qeverisjes lokale.
“Praktikat e mira ndërkombëtare kanë dëshmuar, që një politikë e mirë lokale, synon të ketë në themel të saj, financat e qëndrushme dhe në funksion të përkrahjes së ndërmarrësisë dhe zhvillimit lokal. Kjo politikë, poashtu redukton burokracinë si dhe siguron shërbime efikase financiare”.
“Në vazhdën e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Bankën Botërore, pres që këto gjetje dhe rekomandime të përkthehen në sugjerime për të përmirësuar politikat dhe sistemin e financave lokale në Kosovë”, ka deklaruar Tahiri.
(Q.R / Epoka e re)