Tahiri: Në fazën finale të dialogut Kosova të ketë ekip gjithëpërfshirës

15 prill 13:20

Ish-kryenegociatorja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova duhet të ketë një delegacion gjithëpërfshirës në fazën finale të këtij procesi.

Ajo ka bërë me dije se pjesë e këtij delegacioni duhet të jenë Presidenca, Kuvendi, Qeveria dhe i gjithë spektri relevant.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se finalja e këtij dialogu duhet të bazohet në platformën që i është dorëzuar Bashkimit Evropian, pjesë e së cilës është njohja reciproke midis dy shteteve, demarkacioni i kufirit, dëmshpërblimet, si dhe pasuria që duhet ta trashëgojë Kosova nga ish-Jugosllavia.

Ajo ka theksuar se në fazën finale të këtij procesi është shumë me rëndësi që ShBA-ja të jetë pjesë e tavolinës së bisedimeve

“Epoka e re”: Znj. Tahiri, si e shihni fazën finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Tahiri: Dialogu po zhvillohet në dy nivele. Në nivelin e parë është zbatimi i marrëveshjeve të pazbatuara, ku Kosova veçse ka filluar ta përmbushë obligimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndërsa Serbia duhet ta zbatojë marrëveshjen për energjinë, për diplomat, për kadastrën, për hapjen e urës së Ibrit dhe për zhbërjen e strukturave të mbetura paralele. Këto dy zhvillime duhet të shkojnë në një pako. Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet që të arrihet një pako e marrëveshjes, në të cilën me data do të përcaktohet se kur Serbia do t’i zbatojë marrëveshjet e pazbatuar. Pra, në mënyrë që Kosova kur ta themelojë Asociacionin, edhe Serbia t’i zbatojë marrëveshjet. Unë një zhvillim të tillë nuk po e shoh, edhe pse delegacionet tona kanë marrë pjesë në Bruksel dy herë. Nuk kam dëgjuar se është arritur një pako strategjike që të mos ndodhë që Kosova ta themelojë Asociacionin, ndërsa Serbia ta vazhdojë sabotimin e zbatimit të marrëveshjeve. Në nivelin e dytë, në fazën përfundimtare të dialogut, duhet të shkohet me një delegacion që ka karakter përfaqësues nga të gjitha institucionet: Presidenca, Qeveria, Kuvendi dhe i gjithë spektri relevant politik. Gjithashtu, të hartohet edhe një platformë për fazën finale të dialogut. Bazën e kësaj platforme ia kam dorëzuar Bashkimit Evropian që njihet si dokumenti i temave për fazën përfundimtare të dialogut. Çështja e parë dhe kryesore është njohja reciproke midis dy shteteve si zgjidhje e vetme e cila sjellë fqinjësi të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është çelësi për paqen dhe stabilitetin në rajon. Pastaj është tema e demarkacionit të kufirit, dëmshpërblimet që Serbia duhet t’ia bëjë Kosovës për gjenocidin dhe dëmet njerëzore, materiale, kulturore sipas së drejtës ndërkombëtare. Ndërkaq tema e fundit është ndarja e pasurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse me të drejtën ndërkombëtare Kosova duhet ta trashëgojë pasurinë që i ka takuar nga ish- Jugosllavia meqë ka qenë një prej tetë njësive federale të saj. Kjo platformë mund të pasurohet nga institucionet e tanishme, kurse Kuvendi duhet ta autorizojë delegacionin për pjesëmarrje në fazën finale të dialogut.

“Epoka e re”: Sa ka gjasa që ky proces të përmbyllet me njohjen reciproke në mes të dy vendeve, kur kemi parasysh se Serbia është kundër njohjes së pavarësisë dhe e cila po lobon për mosnjohje dhe për tërheqje të njohjeve?
Tahiri: Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm. Pavarësia ka lindur nga lufta e popullit të Kosovës, me mbështetjen e fuqishme të ShBA-së dhe të vendeve perëndimore. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konfirmuar se ligjërisht pavarësia e Kosovës ka qenë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Serbia duhet ta ketë parasysh se bota e fuqishme perëndimore ka njohur dhe e mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kur Serbia po e sheh se duhet të mbyllet tema me Kosovën dhe se duhet ta njohë Kosovën nëse dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ajo ka filluar një lojë të këmbimit të territoreve. Por, një gjë është e rëndësishme, se ne e kemi mposhtur këtë tendencë, duke ua bërë me dije partnerëve ndërkombëtarë, në këtë rast ShBA-së dhe vendeve evropiane, se prekja e kufijve sjellë luftëra në Ballkan. Këto kanë qenë tendencat e Serbisë që u kanë shërbyer ambicieve të Rusisë e cila po përpiqet të zbatojë një agjendë gjeopolitike në Ballkan për ta rritur ndikimin e saj. Rusia duke bërë obstruksione po synon t’i pengojë vendet e Ballkanit të bëhen anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Por, jam e kënaqur që është rikthyer angazhimi amerikan dhe evropian në Ballkan. Ky rikthim i partneritetit euroatlantik në Ballkan është mesazh i qartë për Serbinë dhe Rusinë që t’i ndalin lojërat destruktive gjeopolitike.

“Epoka e re”: Është tejkaluar rreziku për shkëmbim të territoreve?
Tahiri: Këtë e ka provuar Serbia, por unë dhe e gjithë udhëheqja politike e Kosovës e kemi bërë të qartë se jemi kundër. Këmbimi i territoreve nuk mund të bëhet sepse veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës janë toka shqiptare. Nëse duhet të flitet për kufij në Ballkan atëherë duhet të flitet për të gjithë kufijtë që janë në Ballkan. Prekja e kufijve pjesërisht përmbush apetitet e Serbisë dhe të Rusisë.

“Epoka e re”: Liderët shtetërorë të Kosovës po kërkojnë një rol më të fuqishëm të ShBA-së në këtë dialog. Mendoni ju se përfshirja e ShBA-së do të ishte një garanci për përfundimin më të shpejtë të këtij procesi dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes përfundimtare?
Tahiri: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përfshira në dialogun e Brukselit që nga dita e parë. Në periudhën e dialogut teknik ata kanë qenë pjesë e tavolinës së bisedimeve, mirëpo edhe kur ka filluar dialogu për normalizim, ShBA-ja është e pranishme jo vetëm në Bruksel, por me të gjitha angazhimet e saj, madje shpesh ka qenë edhe faktori kyç për tejkalimin e mospajtimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për arritjen e marrëveshjeve. Mirëpo, duke qenë se po hyjmë në fazën finale të dialogut, besoj se kjo kërkesë ka të bëjë që ShBA-ja të jetë përsëri në tavolinën e bisedimeve. E mbështes një gjë të tillë, sepse është shumë me rëndësi që ShBA-ja të jetë pjesë e tavolinës së bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë krahas Bashkimit Evropian.

“Epoka e re”: Kosova ka filluar punën për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Përderisa Qeveria po insiston që ky statut të hartohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Lista Serbe po kërkon që i njëjti të bëhet sipas marrëveshjes së Brukselit, duke insistuar në kompetenca ekzekutive.
Tahiri: Mospajtimi këtu është se pala serbe po kërkon kompetenca ekzekutive për asociacionin. Marrëveshja e Brukselit, e bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, e bën të qartë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Pala e Kosovës kërkon zbatimin e plotë të marrëveshjes duke inkorporuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kurse pala serbe, presidenti Vuçiq, paraqitet i verbër duke thënë se ‘në marrëveshjet e Brukselit nuk përmenden ligjet e Kosovës’. Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin në nenin e parë e thotë qartë se Asociacioni do të krijohet në pajtim me ligjet e Kosovës. Si duket Serbia, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, e ka kuptuar se Asociacioni do të jetë në pajtim me ligjet e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese e verifikon ligjshmërinë e Asociacionit dhe statutit në proces të zbatimit. Pala serbe është penduar për këtë dhe ky pendim ka ardhur sa herë që Kosova ka nisur zbatimin e marrëveshjes për asociacionin. Fillimisht Serbia ndërtoi një mur me të cilin paralajmëroi se nuk dëshiron rezultate nga dialogu, por ndryshim të kufijve. Pastaj ishte treni provokues, pastaj hyrja ilegale e Gjuriqit në Kosovë. Pra, sa herë që Kosova bën hap për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin, Serbia e pengon. Kjo duhet të lexohet si një mosgatishmëri e Serbisë që ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit.

“Epoka e re”: Në asnjë rrethanë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive ky asociacion?
Tahiri: Lufta më e madhe në negociata në Bruksel ka qenë për dy tema. E para, për marrëveshjen për caktimin e kufirit, marrëveshjen e IBM-it e cila ka mundësuar rikthimin e autoriteteve shtetërore të Kosovës në dy pikëkalimet veriore kufitare në Jarinje dhe Bërnjakë. Dhe e dyta, që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive. Në të dyja rastet Kosova dhe unë si kryenegociatore kemi qenë plotësisht të suksesshëm. Po të mos ishte kështu, Gjykata Kushtetuese ka mundur ta anulojë marrëveshjen. Ligjet e Kosovës nuk u japin kompetenca ekzekutive asociacioneve. E kemi Asociacionin e Komunave të Kosovës i cili nuk ka kompetenca ekzekutive. As Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të ketë kompetenca sepse nuk e lejojnë ligjet e Kosovës.

“Epoka e re”: Cili do të jetë angazhimi juaj tash e tutje në jetën politike? Do të jeni pjesë e delegacionit që do ta udhëheqë fazën finale të dialogut?
Tahiri: Është herët të flitet për këtë gjë. Me rëndësi është të arrihet një gjuhë e përbashkët në mes të spektrit relevant politik për fazën finale të dialogut. Kosova ka nevojë për unitet, jo vetëm për dialogun, por edhe për çështje të tjera që na presin në tavolinë. Me këtë Qeveri të pakicës dhe me këtë situatë ku ka shumë ndasi e mospajtime kemi obligim historik që t’u rikthehemi interesave kombëtare dhe ta gjejmë gjuhën e përbashkët. Sa më unikë që jemi, aq më shumë e arrijmë qëllimin tonë. Qëllimi ynë është që marrëveshja finale e dialogut të jetë njohja reciproke ndërmjet dy shteteve.

Nuk po shoh qeverisje vizionare dhe vendimmarrëse

“Epoka e re”: Znj. Tahiri, si e vlerësoni në përgjithësi punën e koalicionit qeverisës?
Tahiri: Nuk po shoh një qeverisje vizionare dhe vendimmarrëse. Edhe kur janë marrë vendimet, shumica prej tyre kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Me vjen mirë që demarkacioni është miratuar sepse ka hapur rrugën për lëvizjen e lirë të qytetarëve në Evropë. Mirëpo, në përgjithësi, nuk po shoh ndonjë kapacitet të kësaj Qeverie përballë përgjegjësive që ka për shtetin dhe qytetarët. Kemi Qeveri të pakicës, në anën tjetër as opozita nuk e ka shumicën për ta rrëzuar, pra është pat pozicion. Kjo mund t’i zgjasë jetën Qeverisë, por nuk i shërben qëllimeve madhore, si: përshpejtimit të reformave evropiane, krijimit të ushtrisë, obligimeve në luftën kundër korrupsionit dhe të tjera. Këto ditë po shohim ngritjen e aktakuzave ndaj ministrave dhe Qeveria do të duhej të jetë në shërbim të sundimit të ligjit. Nuk kam parë shumë vendosmëri, por do të shohim çfarë do të sjellë e ardhmja. Po ashtu, nuk më kanë pëlqyer zhvillimet e fundit politike ku asnjëri institucion nuk e merrte përgjegjësinë në dy rastet, kur u dëbuan disa qytetarë turq nga Kosova dhe kur hyri ilegalisht Gjuriqi në Kosovë. Reflekton keq për qytetarët dhe është skandaloze kur asnjë nga krerët e institucioneve, sidomos pjesa ekzekutive, pretendon se kinse nuk kanë njohuri për gjërat që ndodhin.

Shqipe HETEMI 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Fatmir Matoshi, ka…