Tahiri në OKB: Paqja në Ballkan nuk ka përfunduar, kërkoj drejtësi për gratë e dhunuara në Kosovë

17 mars 2019 | 16:35

Ish-zëvendëskryeministrja dhe kryenegociatorja Edita Tahiri, në cilësinë e kryetares së Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore (RWLSEE) ka qëndruar në OKB, ku ka marrë pjesë në punimet e sesionit të 63-të të Komisionit për Statusin e Grave, e ftuar nga UN Women në Nju Jork.

Në panelin e OKB-së me temën: “Rruga deri në vitin 2020: Përshpejtimi i Veprimeve për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, Tahiri ishte së bashku me udhëheqësit kryesorë të OKB-së për statusin e grave, Phumzile Mlambo-Ngcuka, nënsekretare e përgjithshme e OKB-së dhe drejtoresh ekzekutive e UN Women, Jean-Pierre LaCroix, nënsekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për operacionet e paqes dhe personalitete tjera nga vende të ndryshme.

Qëllimi i këtij sesioni që në përvjetorin e njëzetë të Këshillit të Sigurimit (Rezoluta 1325 (2000)) që po afrohet shpejt në vitin 2020, shtetet anëtare, organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile të kenë një mundësi unike për të rritur vrullin dhe për të përshpejtuar veprimet drejt zbatimit.

Ky sesion interaktiv ka ofruar hapësirë për pjesëmarrësit në sesionin e 63-të të Komisionit për statusin e grave për të shprehur idetë e tyre dhe shqetësimet, si dhe të japin kontribut për prioritetet që janë duke u formuluar nga aktorët kryesorë dhe vendimmarrësit.

Gjatë fjalës së saj, Tahiri ka thënë se paqja në Ballkan nuk ka përfunduar. “Ballkani është në një situate ku paqja është e papërfunduar, prandaj duhet integruar më shpejt shtatë vendet në BE dhe NATO, para se Ballkani ta bën surprizën e radhës”, ka thënë Tahiri.

Më tutje, ajo ka kërkuar drejtësi edhe për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. “Drejtësia ndërkombëtare duhet të veproj që t’ua sjell dinjitetin viktimave, ndërsa kriminelet duhet të marrin dënimin e merituar”, është shprehur Tahiri.

Fjalimi i plotë i Edita Tahiri në OKB:

Ju falënderoj për ftesën të jem këtu së bashku me ju. Unë vij nga Kosova. Jam këtu për të përfaqësuar organizatën që drejtoj tash e 12 vjet, Lobin Rajonal të Grave të Evropës Juglindore, Lobi Rajonal i Grave është një organizatë unike e grave për paqendërtim me karakter rajonal, të cilën e krijuam pas përfundimit të luftërave tragjike në rajonin e Ballkanit, në procesin e zhbërjes së ish Jugosllavisë dhe lindjes së shtatë shteteve të reja përfshirë këtu dhe shtetin tim Kosovën.

Ne gratë lidere të politikës dhe shoqërisë u bashkuam me shumë vështirësi sepse kaluam nga lufta në paqe dhe i takonim anëve të ndryshme në historinë e këtyre luftërave.

Por ne ia dolëm që të gjejmë vlerat që na bashkonin për ardhmëri e paqe e fuqizimin të grave, duke menduar më shumë për ardhmëri se sa për të kaluarën, por duke mos e harruar asnjëherë të kaluarën tragjike që na goditi rëndë deri në gjenocid. Ne jemi një model për botën për rajonet e paskonfliktit sepse me punën tonë të përkushtuar kemi arritur të ndihmojmë paqen dhe pajtimin mes popujve të shtatë shteteve që lindën nga lufta dhe tragjedia.

Ne mbetemi të përkushtuara në misionin tonë për fuqizuar gratë, paqen, sigurinë, drejtësinë, prosperitetin dhe integrimet euro-atlantike të shteteve tona dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, por ne kemi nevojë për më shumë përkrahje nga të gjithë ju në veçanti OKB-ja sepse kështu mund ti arrijmë qëllimet tona të përbashkëta.

Vitin tjetër shënojmë përvjetore shumë të rëndësishme për Rezolutën 1323 dhe Platformën Pekingut, prandaj vendimet e reja në këto përvjetore duhet të jenë historike për fuqizimin e grave, sepse gratë kanë një potencial strategjik për zhvillim dhe paqen në botë dhe një forcë e re që po i vije botës në shekullin 21.

Ne gratë liderë të rajonit të bashkuara në Lobin Rajonal te Grave, që është organizatë unike për paqendërtim dhe pajtim ndër popujt e shtatë vendeve të Ballkanit, po punojmë me përkushtim për paqe por disa burra lider shkurtpamës duan luftëra të reja me ide të rrezikshme për prekje kufijsh që u shërbejnë agjendave të rrezikshme gjeopolitike të atyre që humbën ndikimin dhe hegjemoninë.

Ballkani është në një situate ku paqja është e papërfunduar, prandaj duhet integruar më shpejt shtatë vendet në BE dhe NATO, para se Ballkani ta bën surprizën e radhës. Mos harroni se Ballkani ka surprizuar dy herë botën sepse mu në këtë rajon kane nisur dy luftërat botërore.

Mos lejoni që arritjet e deritashme në ndërtimin e paqes dhe sigurisë të rrënohen nga ambiciet gjeopolitike të vendeve joperëndimore që kanë nostalgji për të, që nga humbjet që i pësuan pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Na duhen më shume gra në vendimmarrje, procese politike dhe procese negociatore që të kemi më shume gjasa për të krijuar një paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Fuqizimi i grave në politikë garanton pjesëmarrjen e grave në bisedime paqësore, në tryeza formale të proceseve paqësore, aty ku merren vendimeve për paqen. Natyrisht, i gjithë procesi paqësor kërkon përfshirjen e grave në mënyrë të barabartë, në të gjitha nivelet e këtij procesi ku qasja nga poshtë – lartë ka një rëndësi të madhe duke fuqizuar dhe gratë në nivelin lokal.

Gratë duhet të jenë protagoniste në zgjidhjen e çështjeve të vështira për të arritur të jenë pjesë e bisedimeve paqësore. Këtë e kam bërë unë personalisht duke u angazhuar në lëvizjen për pavarësinë e Kosovës, si një nga lideret kryesore. Ky protagonizem me ka mundësuar të jem negociatore e paqes në tryezat formale të bisedimeve madje dhe kryenegociatore, si në Konferencën e Rambujes 1999, Konferencën e Londrës 1992 dhe kryenegociatore në dialogun e Brukselit 2011-2017.

Edhe pse pati pesë procese paqësore për përfundimin e luftërave në Ballkan në procesin e zhbërjes së ish-Jugosllavisë, përfaqësimi i grave në këto procese ishte minimal. Unë jam e vetmja grua negociatore e paqes në gjithë Ballkanin, duke marrë pjesë drejtpërsëdrejti në bisedime paqësore për ndaljen e luftërave dhe vendosjen e paqes.

Përkundër këtij fakti në raportet e OKB-së dhe qendrave botërore për çështjet e zgjidhjes se konflikteve, luftërat në Ballkan nuk përmenden ose fare pak përmenden dhe as edhe roli i grave në zgjidhjen e konflikteve. Ja sot është hera e parë që unë flas këtu në OKB për të ndare me ju përvojat e mija të luftës dhe paqes.

Ballkani shihet përmes Evropës së qetë e paqësore, ndërsa kur flitet për konflikte zakonisht janë Afrika, Azia apo Lindja e Mesme që marrin vëmendjen. Nuk duhet injorohet historia e tri luftërave që patëm në Kosovë, Bosnje e Kroaci nga agresioni i Serbisë, sepse injorimi mund te na kushtoj.

Çështja e dhunimit të grave gjate luftërave në Kosovë, Bosnje e Kroaci është injoruar nga instancat ndërkombëtare shumë vite pas fundit të luftërave në vitin 1999. Një tragjedi e madhe ka qenë dhunimi, por tragjedia më e madhe është injorimi dhe fshehja e këtij krimi gjenocidal.

Drejtësia ndërkombëtare duhet të veproj që t’ua sjell dinjitetin viktimave, ndërsa kriminelet duhet të marrin dënimin e merituar. Merreni me mend sot pas pesë vitesh arrita ta dorëzoj në OKB peticionin e qytetarëve të Kosovës drejtuar sekretarit gjeneral të OKB-së për të kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që nga viti 2014 kur e bëmë këtë peticion, kërkesat tona për ta dorëzuar hasen në heshtjen e OKB-së.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi…