Tahiri: Qeveria i ktheu dy pikat kufitare me Serbinë në protektorat ndërkombëtar
Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për marrëveshjen e fundit në Bruksel.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se me këtë marrëveshje qeveria ktheu në protektorat dy pikat kufitare me Serbinë.
Postimi i plotë i Tahirit:
SOT DY PIKAT KUFITARE NË VERI TË VENDIT U KTHYEN NGA PAVARËSIA NË PROTEKTORAT
Sot Policia speciale e Kosovës tërhiqet nga dy pikat kufitare në veri dhe vendosen pjesëtarët e KFOR-it, sipas marrëveshjes së fundit në Bruksel, ashtu siç kërkoi Serbia. Kjo donë të thotë se kjo Qeveri aktuale i ktheu dy pikat kufitare nga pavarësia në protektorat ndërkombëtar.
Nëse kjo qeveri vazhdon te jetë e pa aftë në negociatat e Brukselit ka rrezik që ta kthej krejt pjesën veriore në protektorat, që është një synim djallëzor i Serbisë.
Po ua kujtoj, se në vitin 2011, unë si kryengociatore me qeverinë e asaj kohe vendosëm kufirin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë me marrëveshjen e Brukselit për IBM-in, kthyem policinë dhe doganat shtetërore të Kosovës në këto dy pika kufitare. Ndërsa sot shihni ku jemi, fatkeqësisht, duke rrëshqitur mbrapa ne protektorat.



