Tahiri: Qeveria Kurti po merr vendime idhnake, LDK-ja tani ka dy rrugë

26 mars 2020 | 15:04

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurtin mbrëmë është rrezuar nëpërmjet një mocioni të mosbesimit, të iniciuar nga partneri i saj qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Pas rrëzimit të qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti në orët e vona e ka shkarkuar zëvendëskryeministrin e parë në detyrë, Avdullah Hoti.

Sipas njohësve të çështjeve politike, në këtë situatë, LDK-ja si partnere e koalicionit qeverisës me Lëvizjes Vetëvendosje ose duhet të dalë krejtësisht nga qeveria ose të propozojë emrat e ministrit të Punëve të Brendshme dhe zëvendëskryeministrit të shkarkuar me qëllim që ta ketë votën e saj në qeverinë në detyrë.

Analisti politik, Ramush Tahiri vendimin për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Hoti i cili vjen nga radhët e LDK-ja, e ka quajtur idhnak. Ai ka thënë që në mënyrë që të përfundojë loja e Kurtit për heqjen e ministrave të LDK-së, kjo parti duhet të propozojë emra të ri për postet e shkarkuara nga kryeministri tashmë në detyrë.

“Tash jemi në një situatë të re. Tash qeveria Kurti është në dorëheqje, po shoh që po merr vendime idhnake, sepse e ka shkarkuar edhe zëvendëskryeministrin. Ky është qëndrim idhnak i Albin Kurtit me të cilin është dalluar edhe më herët dhe që unë kam menduar që kur të kalojë në pozitë ose në pushtet do ta heqë këtë ndikim prej platformës ideologjike opozitare. Formalisht ka të drejtë, por moralisht edhe praktikisht nuk ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë, sepse është qeveri në dorëheqje, që duhet të punojë deri në zgjedhjet e reja dhe zgjedhjen e qeverisë së re. Po të isha në vendin e LDK-së, do të kisha propozuar ministër tjetër dhe zëvendëskryeministër tjetër në mënyrë që të përfundojë loja e Albin Kurtit me heqjen e ministrave dhe të përfundojë ajo që kjo të jetë qeveri vetëm e Vetëvendosjes pasi i ka vetëm 29 deputetë”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, qeveria tashmë në detyrë duhet të marrë vetëm vendime urgjente dhe të nevojshme dhe jo të merret me shkarkimin e ministrave të LDK-së.

“Parlamenti ia ka marrë votëbesimin qeverisë Kurti dhe Qeveria Kurti duhet t’i kryejë vetëm punët urgjente dhe të nevojshme, por jo punë të tjera të mëdha dhe nuk duhet të merret me shkarkime të ministrave, sepse ky është autoritarizëm i Albin Kurtit i cili nuk ka legjitimitet dhe i cili nuk është i drejtë. LDK i ka dy rrugë: ose të dalë krejtësisht prej qeverisë dhe ta lë vetëm VV në qeveri dhe pakicat, ose sa herë që Albin Kurti shkarkon dikë këta ta propozojnë një emër të ri dhe në mënyrë që LDK t’i ketë votat e veta në Qeverinë Kurti. Qeveria e koalicionit Vetëvendosje-LDK mund të jetë vetëm qeveri e Vetëvendosjes nëse LDK del, por nuk bën të jetë Qeveri e Vetëvendosjes dhe e LDK-së dhe të shkarkohen ministrat e LDK-së duke punuar zëvendësministrat e Vetëvendosjes. Kjo është e padrejtë dhe nuk është vullneti i qytetarëve ”, është shprehur ai.

Më tutje, Tahiri ka thënë se pret nga Kurti që të shkarkojë nga pozita e ministrit të Mbrojtjes edhe Anton Qunin, me qëllim që ta menaxhojë ndryshe Forcën e Sigurisë së Kosovës në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka…