
Tahiri: Qeveria s’ka ofruar argumentet e duhura te aleatët për referendumin
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se politika e jashtme e Kosovës udhëhiqet nga njerëz të papërgjegjshëm.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai ka vlerësuar se Qeveria nuk ka ofruar argumente e duhura para aleatëve ndërkombëtar për referendumin serb.
“Qeveria s’i ka ofruar argumentet e duhura përballë aleatëve tanë, përballë SHBA-së dhe kemi ardhur në një situatë ku kemi qëndruar të heshtur deri në momentin e fundit dhe fatkeqësisht, aleatët tanë s’i kemi pasur pro. Kjo ka ndodhur si pasojë e mosangazhimit”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, kryeministri Kurti duhet të ripozicionohet për këtë çështje.
“Sot me humb një betejë kundër Vuçiqit që kontrollon çdo pore të jetës, nuk është e vështirë. Duhet të kemi një angazhim më serioz, njerëz më kompetent. Kryeministri duhet të ripozicionet, të ketë një angazhim më të madh në politikën e jashtme, kemi argumente edhe fakte të shumta që iniciativat serbe të mos përkrahen”, shtoi tutje deputeti i PDK-së.