AKP: Fillon punën Ndërmarrja Shoqërore Brezovica

17 janar 12:51

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka njoftuar se tashmë ka filluar punën Ndërmarrja Shoqërore Brezovica.

Sipas njoftimit të AKP-së, thuhet se më 13 janar 2022 Bordi i Drejtorëve i AKP-së emëroi Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues për NSH Inex Sharr Planina Brezovicë, Shtërpce, në përbërje të gjashtë (6) anëtarëve. Kjo ndërmarrje me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së ishte vendosur më parë nën Administrim Direkt të AKP-së më 22 dhjetor 2020.

“Më 14 janar 2022 Menaxhmenti i AKP-së mbajti një mbledhje përmbajtësore me Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të NSH Inex Sharr Planina Brezovicë. Në këtë mbledhje, është biseduar për mbarëvajtjen e punëve në Brezovicë dhe është biseduar gjerësisht për obligimet e Bordit të Brezovicës për t’i përmbushur detyrat e tyre ligjore për funksionimin e tërësishëm të Brezovicës në bazë të ligjeve të Kosovës, duke përfshirë: Instalimin e arkave fiskale; Raportimin financiar e operativ në AKP; Deklarimin e rregullt të tatimeve te ATK si dhe zbatimin e ligjeve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në takim u pajtua që të fillohet sa më të shpejtë sezoni i skijimit, të mbahet bashkëpunimi i mirëfilltë dhe të vazhdohet me aktivitetet e ndërmarrjes, me ç ‘rast i gjithë operimi i ndërmarrjes do të bëhet sipas infrastrukturës ligjore të Kosovës.

“Të gjithë anëtarët e Bordit te Brezovicës siguruan për bashkëpunimin e tyre, punën e mirë dhe respektimin e udhëzimeve të AKP-së dhe dispozitave ligjore të ligjeve të Kosovës. Publiku njoftohet se skiliftat janë lëshuar në operim në mëngjes më 16 janar 2022 dhe se do të vazhdoj operimi i rregullt i Brezovicës. Publiku ftohet që për çdo shërbim që pranojnë në këtë ndërmarrje të kërkojnë kuponin fiskal”, thuhet në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes…