Tajvani detekton afër 30 avionë luftarakë kinezë rreth ishullit

17 shtator 2023 | 11:51

Kina ka fluturuar 28 avionë luftarakë përreth Tajvanit më 17 shtator dhe shumica e tyre kanë kaluar vijën ndarëse në Ngushticën e Tajvanit, thanë autoritetet në Taipei. Sipas autoriteteve, fluturaket kineze kanë kryer misione të paspecifikuara “me rreze të gjatë veprimi”.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit, ka thënë se 20 avionë  janë detektuar mëngjesin e së dielës të cilat kaluan vijën që ndan Tajvanin nga Kina dhe hynë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të ishullit vetëqeverisës. Sipas Tajvanit, fluturaket hynë në pjesën juglindore të ishullit.

Kina ka kryer “misione sikurse stërvitjet me rreze të gjatë veprimi”, ka thënë Ministria e Mbrojtjes përmes një deklarate, duke shtuar se është duke monitoruar situatën përmes avionëve dhe anijeve patrulluese.

Pekini pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të tij dhe një ditë do ta marrë nën kontroll, qoftë edhe duke përdorur forcën nëse është e nevojshme. Kina ka rritur aktivitetin ushtarak dhe presionin diplomatik ndaj ishullit viteve të fundit, përderisa raportet mes Taipeit dhe Pekinit janë përkeqësuar.

Javën e kaluar, Taipei ka raportuar për rritje të numrit të inkursioneve të avionëve luftarakë dhe anijeve kineze, përderisa Pekini tha se forcat e saj ishin vënë “në gatishmëri të lartë”, pasi dy anije të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë kaluan transit gjatë këtij muaji përmes Ngushticës së Tajvanit.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit, ka njoftuar se 68 avionë kinezë dhe dhjetë anije ishin detektuar përreth ishullit të mërkurën dhe të enjten.

Disa nga avionët dhe luftanijet ishin nisur drejt një zone të paspecifikuar në Paqësorin Perëndimor “për të kryer stërvitje detare dhe ajrore”. Në këto stërvitje kishte marrë pjesë edhe avionmbajtësja kineze, Shandong, ka thënë ministria.

Shandong, një prej dy avionmbajtëseve aktive në flotën kineze është detektuar të hënën rreth 110 kilometra në juglindje të Tajvanit, duke u nisur drejt Paqësorit Perëndimor, thanë autoritetet në Taipei.

Kina nuk ka komentuar lidhur me mbajtjen e ndonjë stërvitjeje në Paqësorin Perëndimor.

Në prill, Pekini kreu stërvitje ushtarake që simulonin rrethimin e ishullit, pasi presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, u takua në Kaliforni me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy. Atëbotë, Tajvani detektoi 71 avionë luftarakë kinezë brenda 24 orëve, që është numri më i lartë i avionëve që ishulli ka detektuar brenda një dite që nga dhjetori i vitit 2022.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për së paku trembëdhjetë vjetët e fundit në Kosovë, tregu…