Takimi i fundit me babin, pa thënë lamtumirë!

10 qershor 2025 | 09:42

(Burgu i Gjilanit, Kosovë, 1998-1999)!

Është fundi i vitit 1998 apo fillimi 1999, nuk më kujtohet as viti, muaji e as data! Unë, motra Shqipja, mami dhe Bekimi vogël, do hynim në vizitë, unë pas rreth 6 muajsh do e takoja babin me të cilin s’isha i ndarë thuajse asnjë javë. Djali axhës Agimi si gjithnjë ishte kujdesur për transportin apo çfardo që ne kishim nevojë! Ishim tepër të shqetësuar, poashtu unë edhe i frikësuar si fëmijë 13vjeçar. Lumturia se do ta takoja babain, ishte fshehur thellë në vuajtjet e luftës (traumat nga arrestimi tij dhe gjendja në Kosovë…)! Nëna e cila kishte qenë në gjendje të keqe shëndetësore, pas arrestimit, sikur ishte forcuar pak mentalisht dhe mundohej të mbante një rregull, në gjendjen tonë shpirtërore! Babai na del përpara, i zbehur në fytyrë dhe mezi mbahej në këmbë, por mundohej të mos e shfaqte këtë, në anën e tij të majtë qëndronte një gardian serb. Në mes hekurave që na ndanin, mundohesha ta shikoja fytyrën e tij, e kuptoja se gjendja ishte shumë serioze, se jeta e tij mund të ishte në rrezik, por si fëmijë që isha, mendoja se babi ishte i pavdekshëm apo shumë i fortë që të mund të vritej!

I ndëgjoja bisedat e tij me mamin dhe nuk e kisha në plan të flisja, e dëgjova kur pyeti se kush është ky fëmijë që nuk e njihte (u frikësova shumë, mendova mos s’po më njeh mua, por jo fjala si duket ishte për Bekimin e vogël), pastaj sikur e ndjeu frikën time, mu drejtua mua me buzëqeshjen e tij të ëmbël, sikur biseda nuk po zhvillohej në burg, “ku je kampion, a je duke luajtur pingpong”, instiktivisht ju përgjigja vetëm me po, “me kë je duke ushtruar”, me Selin, “bravo djali jem t’fala Selit, nëse bëhesh kampion i Kosovës prap, unë mund kthehem nga burgu, me vazhdu me lujt si gjithmon me zemër luani”! U ba BAB. Ndërhyn gardiani, vizita 4minutëshe mbaroi, ndërsa mami në panik i thotë, vetëm pak na le të bisedojm, gardiani nuk pranon, babi e qetëson mamin, “unë jam mirë, vazhdoni edhe ju me qenë mirë”, dhe duke i’a lidhur duart babait, ai kthen kokën nga ne dhe largohet përgjithmonë me buzëqeshje të ngrysur (pamje që ende e kam para syve)! Nuk munda ti them as “të dua”, sepse nuk e besoja që ky do të ishte takimi jonë i fundit në këtë botë, por edhe sepse ne dashurin e shprehnim në mijëra mënyra tjera!

-Çuditërisht pas luftës, nga stresi i madh, gjatë finales (për shkak premtimit babit), unë nuk arrita të bëhem kampion, ndërsa babai vërtetë e mbajti premtimin e tij, nuk u kthye më, ai kishte kohë që nuk ishte në këtë botë! 

Me dashuri, Alban (Ahmet) Hoxha

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se janë në diskutime…