Takimi që përcakton legjitimitetin. Konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti, por urdhër kushtetues

28 qershor 2025 | 13:13

Shkruan: Hisen Berisha 

Takimi i thirrur nga kryetari i LVV-së, z. Albin Kurti, me kryetarët e partive parlamentare ka rëndësi të jashtëzakonshme politike dhe kushtetuese, nëse aty do të ndodhë dakordim për konstituim të Kuvendit sipas formës kushtetuese.

Nëse takim dështoi gjatë seancës, apo dështon koordinimi për zbatimin e detyrimit kushtetues, vulos vullnetin për krizë, jo për zbatim të ligjit.

Parimet që duhen bërë të ditura për deputetët, e në veçanti për ata që i japin vetes të drejtën naive për të interpretuar një aktvendim kushtetues të organit suprem të interpretimit, janë se:
Ky aktgjykim është urdhër, jo kërkesë.
Është detyrim kushtetues, jo kompromis politik.
Moszbatimi i tij është shkelje kushtetuese, jo taktikë opozitare.

Ajo çfarë do të duhej të pritet nga ky takim është:
– Ky takim duhet të jetë moment reflektimi dhe përgjegjësie, duke u ngritur mbi interesat e ngushta partiake, jo një manovër taktike. Pas vendimit të Gjykatës, nuk ka më hapësirë për kalkulime, por ka vetëm detyrim për zbatim të rendit kushtetues.
– Nuk pritet të ketë marrëveshje për bashkëqeverisje, por të paktën një konsensus minimal funksional për zbatim të aktgjykimit.
– Duhet të ketë dakordim për procedurat e konstituimit të Kuvendit: thirrjen e seancës, pajtimin për respektimin e formës së votimit dhe përzgjedhjen e udhëheqësit të seancës si hap të parë.
– Gjykata ka thënë qartë se praktika parlamentare është votimi i hapur për Kryetarin e Kuvendit. Takimi duhet të rezultojë në dakordim që kjo praktikë të mos kontestohet.
– Kryetarët e partive duhet ta kenë të qartë se nëse nuk merret vendim dhe nuk hapet rruga për konstituim, ata personalisht do të jenë përgjegjës për shkeljen e Kushtetutës dhe për pasojat që rrjedhin më pas.

Kurse ajo çfarë do duhej të shmanget në këtë akordim është fakti se:
– Nuk ka më kohë për “këshillime”, apo simulime politike të takimeve si “konsultë e radhës” por për vendime.
– Opinioni publik – qytetarët – votuesit – nuk pret më debate, por zbatim të ligjit.
– Çdo përpjekje për të shtyrë idenë e votimit të fshehtë për Kryekuvendarin bie ndesh me aktgjykimin dhe do të delegjitimojë menjëherë seriozitetin e takimit.
– Lidhja e çështjes së konstituimit me pazare politike e kushtëzime të paarsyeshme për poste apo marrëveshje të ardhshme do të diskreditojë tërësisht gjithë procesin.

Ajo që do duhej ta përmbyllte takimin në fund, do të duhej të jetë një deklaratë e përbashkët, ku palët:
– Pranojnë detyrimin për konstituim;
– Angazhohen për respektimin e formës kushtetuese të votimi;
– Pajtohen që brenda ditëve në vijim të thirret seanca konstituive.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kriza legjitime kthehet në krizë të qëllimshme dhe të organizuar politike, dhe barra bie mbi qytetarët/votuesit, Presidenten dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndërhyrë me presion serioz.
Koha është për veprim. Heshtja dhe vonesa nuk janë më qëndrim politik – janë bashkëfajësi për bllokadën e shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës e ka larguar nga “Vidovdani” politikanin nga…