Takohen Gashi e Bahtiri, e vlerësojnë të qëndrueshme situatën e sigurisë në Mitrovicë

11 tetor 2018 | 12:34

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka vizituar sot Komunën e Mitrovicës, ku u prit nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, me ç’rast biseduan për situatën e përgjithshme në komunë, me theks të posaçëm për atë të sigurisë.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pasi e falënderoi ministrin Gashi për vizitën dhe për interesimin e tij të vazhdueshëm për Mitrovicën, ka bërë me dije se falë maturisë dhe përkushtimit të qytetarëve, angazhimit maksimal të strukturave e institucioneve komunale dhe bashkëpunimit të mirë e të suksesshëm me organet e rendit, situata e sigurisë në Komunë është e qetë dhe stabile.

Në vazhdim kryetari Bahtiri e njoftoi ministrin Gashi lidhur me projektin e BE-së për rehabilitimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, për të cilin tha se ai në cepin jugor të urës është kryer para më shumë se një viti, ndërsa që para ca ditësh ka përfunduar edhe në cepin verior të urës.

Ministri Bejtush Gashi ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme do të mbështesë qytetarët e Komunës së Mitrovicës dhe udhëheqjen e saj maksimalisht për të mbajtur këtë trend pozitiv dhe për të krijuar një ambient akoma më të sigurte për të gjithë qytetarët.

“Më vjen mirë që po dëgjoj nga ju kryetar Bahtiri për përkushtimin tuaj që rihapja e urës kryesore mbi Ibër dhe të gjitha problemet eventuale të zgjidhen më dialog e në mënyrë paqësore. Kjo është e vetmja rrugë që garanton që rendi dhe qetësia publike në qytetin e Mitrovicës të jenë në nivelin e kërkuar dhe që ambienti i përgjithshëm këtu të jetë i sigurt dhe pa probleme e incidente”, ka thënë Gashi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave, Bedri Hamza, i shoqëruar edhe nga guvernatori…