
Takohen Hoxha e Thaçi / Nuk duhet lejuar vonesa në zbatimin e projekteve për mbrojtjen e ambientit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur të enjten në takim, drejtorin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçin, me të cilin ka diskutuar për projektet e BE-së që trajtojnë energjinë dhe mbrojtjen e ambientit.
“Në kuadër të IPA 2018 dhe 2019, BE-ja është duke e mbështetur instalimin e filtrave në Kosova B, me vlerë rreth 78 milion euro”, ka potencuar ministrja Hoxha.
Ajo ka thënë se për të realizuar këtë projekt po kërkohet nga BE-ja një plan i detajuar i aktiviteteve të paraparë nga KEK-u rreth punimeve në Kosova B që të mos këtë dyfishim të punës apo vonesa në implementim.
Po ashtu, ministrja Hoxha ka cekur se fondet për dekomisionimin e disa pjesëve të Kosova A, dhe ndërlidhja me projektin për deponinë e mbeturinave të rrezikshme, janë projekte kapitale me rëndësi të veçantë për Kosovën.
Ndërkaq Njazi Thaçi ka vlerësuar përkrahjen nga BE-ja dhe angazhimin e ministres Hoxha rreth zbatimit të fondeve të IPA-s, duke e siguruar ministren Hoxha se të gjitha obligimet e KEK-ut në drejtim të përmbushjes së afateve të planifikuara do të realizohen sipas planit.
/Epoka e re/