Takohen Lajçaku dhe Vuçiqi, bisedojnë fpër dialogun
Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Vuçiqi dhe Lajçaku janë takuar në ndërtesën e Presidencës serbe, raporton “Tanjug”-u.
Sipas mediave në Serbi, Lajçaku po i dërgon Beogradit një mesazh se çfarë presin BE-ja dhe vendet anëtare nga vazhdimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Emisari evropian raportohet se do të përpiqet të vlerësojë mundësitë për përparim në dialog dhe një takim të qëllimshëm mes presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti deri në fund të këtij viti.
Vizita e tij në Beograd, e më pas në Prishtinë, vjen pas debatit të Këshillit të BE-së për dialogun, por edhe pas një raundi tjetër të pasuksesshëm të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së do t’u përcjellë drejtpërdrejt të dyja palëve pritshmëritë e shprehura në debatin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm, ku ai vetë mori pjesë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano për “Tanjug”-un.



