Taksa është kthyer në instrument të garës së brendshme politike

04 mars 2019 | 07:31

Këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veseli, Blerim Latifi, ka bërë me dije se taksa ndaj produkteve të Serbisë është kthyer në instrument të garës së brendshme politike.

Ai ka thënë se tash flitet poshtë e lartë kush humb e kush fiton vota nga loja me taksën dhe kjo, sipas tij, përbën degradim.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Latifi ka thënë se vendosja e taksës ndaj Serbisë ka qenë reagim i drejtë ndaj agresionit diplomatik që Serbia kishte ndërmarrë ndaj Kosovës.

Megjithatë, ai thotë se kjo nuk do të thotë të barrikadohemi në pozicionin që kemi marrë. Latifi ka thënë se duhet kërkuar rrugëdalje për çdo situatë dhe, sipas tij, rrugëdaljet gjithmonë ekzistojnë.

Ai ka mohuar që Qeveria të bjerë për shkak të taksës. “Qëndrimi i kryetarit Veseli ka qenë dhe mbetet i qartë: Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës”, ka thënë Latifi.

“Epoka e re”: Z. Latifi, sërish zyrtarët e lartë amerikanë gjatë vizitës në Prishtinë kanë qartësuar sugjerimin e tyre për pezullimin e taksës. Si e keni parë vizitën dhe këshillat e tyre?

Latifi: Qëndrimet e zyrtarëve të lartë amerikanë, të cilët kanë shtuar vizitat në Kosovë, janë të qarta. Ata konsiderojnë se taksa ndaj Serbisë, në gjendjen e saj ekzistuese, paraqet pengesë për avancimin e procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë drejt finalizimit të tij. Po ashtu, është e qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përcaktuar si interes të tyre që mosmarrëveshjet e Kosovës me Serbinë të përfundohen sa më parë që është e mundur me anë të një formule afatgjatë, e cila u jep fund armiqësive mes dy vendeve. Kjo gjithsesi që është edhe interes i Kosovës. Në këtë kontekst, gjëja më e rëndësishme është fakti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbajnë vëmendjen e plotë për dhe rreth Kosovës. Shteti i Kosovës, para se gjithash, është projekt ndërkombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ky projekt ende nuk është përfunduar. Që kjo të ndodhë me sukses, është e domosdoshme të ndiqet rruga që kemi ndjekur tash e 20 vjet: të qëndrojmë në koordinatat e vendosura nga ShBA-ja.

“Epoka e re”: Çfarë duhet të bëjë Kosova tani?
Latifi: Ne jemi realisht në një situatë të vendnumërimit. Procesi i përmbylljes së subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit ka ngecur në vend. Nuk ka më njohje nga shtetet e tjera. Shikoni edhe vetë termi ‘lobim për njohje’ që e përdorin diplomatët tanë mburravecë është bërë klishe dhe e ka humbur kredibilitetin. Nuk ka lëvizje drejt integrimit në OKB. Pesë vende të Bashkimit Evropian nuk na njohin si shtet dhe kjo praktikisht e bën të pamundur çdo avancim substancial të Kosovës në procesin e integrimeve evropiane. Shikoni çfarë ndodhi me liberalizimin e vizave. Nëse BE-ja si tërësi nuk të njeh si shtet, atëherë hyrja në të mbetet një utopi, asgjë më shumë. Në këtë situatë para nesh janë dy rrugë: ta zgjedhim vazhdimin e të jetuarit në këtë status quo, ose të përpiqemi të dalim prej saj. Unë besoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e duan pikërisht rrugën e dytë dhe këtu qëndron arsyeja e angazhimit të saj kohën e fundit rreth Kosovës. Përplasjet e fundit verbale në politikën e Kosovës i shoh si përplasje mes atyre që mbështesin status quonë dhe atyre që konsiderojnë se është momenti të dalim disi prej saj. E keqja themelore e këtyre përplasjeve është se po punohet pak për ta unifikuar qëndrimin shtetëror. Në këtë rast, përjashtim bën kryetari i Kuvendit, Veseli, i cili në vazhdimësi ka bërë thirrje dhe ka investuar në gjetjen e një formule të bashkëveprimit institucional dhe politik.

“Epoka e re”: Dy zyrtarët e lartë amerikanë në takimet me liderët institucionalë të Kosovës kanë përmendur edhe hapat e tjerë që mund t’i ndërmarrë ShBA-ja ndaj Kosovës, duke përfshirë edhe largimin e trupave nga Kosova. A e ka Kosova luksin që, për shkak të kësaj takse, t’i lëndojë raportet strategjike me ShBA-në?
Latifi: Raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më shumë se strategjike. Janë raporte amësie. Shteti i Kosovës është produkt i ShBA-së dhe përderisa ende jemi në fazën e maturimit, mbështetja nga ShBA-ja është jetësore për ne. Kjo është diçka që dihet shumë mirë nga të gjithë, prandaj çdo hap ose veprim që krijon hendek në mes të Kosovës dhe ShBA-së mund të ketë pasoja të rënda për avancimin e mëtutjeshëm të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Sa iu përket masave ndëshkimore ndaj asaj që mund ta quajmë pa dëgjueshmëri ndaj amerikanëve, nuk besoj se këto masa mund të jenë ashtu siç u përfol gjatë javës së kaluar. U përmend edhe dislokimi i kampit ushtarak Bondsteel. Një gjë duhet ta kemi të qartë: trupat amerikane në Kosovë janë për popullin e Kosovës, për sigurinë e tij. Nuk janë këtu për politikanët e saj. Politikanët dhe pushteti vijnë e shkojnë, populli dhe shteti mbesin gjithmonë, prandaj edhe prania ushtarake amerikane do të mbetet.

“Epoka e re”: Keni thënë se taksa tani ka filluar të përdoret si instrument në luftën e brendshme politik. Kush po e bën këtë?
Latifi: Një ndër defektet kryesore të partive politike në Kosovë është se gjithçka e shohin nga perspektiva e ngushtë e interesit elektoral. Kjo, fatkeqësisht, është duke ndodhur edhe me taksën. Vendosja e taksës ndaj Serbisë ka qenë reagim i drejtë ndaj agresionit diplomatik që Serbia kishte ndërmarrë ndaj Kosovës gjatë gjithë vitit të kaluar. Tash është tjetërsuar domethënia e saj. Tash flitet poshtë e lartë kush humb e kush fiton vota nga loja me taksën. Kjo përbën degradim realisht, sepse nga instrument në funksion të shtetit, taksa është kthyer në instrument të garës së brendshme politike. Kush po e bën këtë? Lloji më i dëmshëm i njerëzve rreth liderëve politikë të vendit.

“Epoka e re”: Kush janë ata?
Latifi: Servilët, lakenjtë, këshilltarët e këqij, puthadorët pa mendim politik dhe rezon shtetëror.

“Epoka e re”: Kohën e fundit PDK-ja ka paralajmëruar marrjen e disa veprimeve, nëse kryeministri Haradinaj vazhdon të insistojë në mbajtjen e taksës. Sa do të presë PDK-ja dhe z. Veseli në këtë drejtim?
Latifi: Qëndrimi i kryetarit Veseli ka qenë dhe mbetet i qartë: Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës. Ky është qëndrim i palëkundur. Prapa këtij qëndrimi ka vetëm arsye, absolutisht vetëm një: raporti që kemi me Serbinë, për asnjë moment, nuk bën të influencojë në stabilitetin e qeverisë dhe të qeverisjes në Kosovë. Arsyet e tjera që mund të përmenden janë spekulime të lira dhe, si të tilla, krejtësisht të pasakta. Por, kjo nuk do të thotë të barrikadohemi në pozicionin që kemi marrë dhe të mos qajmë kokën se çfarë po bëjnë të tjerët, qofshin ata kundërshtarët tanë, qofshin miqtë tanë. Duhet kërkuar rrugëdalje për çdo situatë dhe rrugëdaljet gjithmonë ekzistojnë. Jeta është plot mundësi. Politika, po ashtu. Veprimet politike dhe shtetërore duhet të gjykohen nga efektet e tyre praktike, jo nga emocionet e patriotizmit folklorik.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fotografi i njohur Yannis Behrakis, fitues i çmimit Pulitzer, vdiq…