Taksa nuk dëmton raportet Kosovë – ShBA

08 shkurt 2019 | 14:27

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomati Lisen Bashkurti, ka mohuar mundësinë që mospezullimi i taksës për mallrat serbe mund të ndikojë në raportet Kosovë – ShBA.

Ai ka deklaruar se taksa është një masë bilaterale e vendosur në kushte të imponuara nga politikat agresive serbe kundër Kosovës dhe, si e tillë, nuk duhet të ketë efekte të tjera.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bashkurti ka deklaruar se kjo masë nuk do të ndikojë aspak në miqësinë dhe bashkëpunimin që ka Kosova me ShBA-në.

“Taksa nuk është një masë që është caktuar kundër ShBA-së. Taksa nuk i cenon aspak marrëdhëniet midis Kosovës dhe ShBA-së si marrëdhënie të partneritetit strategjik. Taksa është një masë që nuk ndikon aspak në miqësinë dhe bashkëpunimin që ka Kosova me ShBA-në sepse, në fund të fundit, kjo taksë është një masë që nuk cenon aspak interesat strategjike të ShBA-së”, ka thënë Bashkurti.

Ai ka vlerësuar se Serbia është faktori kryesor që po bllokon procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Serbia de fakto ka sabotuar sistematikisht dialogun me Kosovën të ndërmjetësuar nga BE-ja. Serbia nuk ka respektuar rreth 90 për qind të marrëveshjeve të arritura në procesin e Brukselit. Serbia në substancë është kundër dialogut për zgjidhjen paqësore të problemeve. Serbia ka shpërfillur dialogun duke kaluar në agresivitet për bllokimin e integrimit të Kosovës në organizatat rajonale. Taksa 100 për qind është një argument i fundit që Serbia po e përdor për ta bllokuar procesin e dialogut”, është shprehur diplomati Bashkurti.

Sipas tij, diplomacia e Kosovës duhet të argumentojë në arenën ndërkombëtare që bllokuese e dialogut është Serbia.

“Mendoj se Kosova, në veçanti diplomacia e saj, duhet të jetë shumë më aktive për të përdorur argumente konkrete dhe të besueshme ndërkombëtare, sepse ka dhjetëra fakte dhe argumente të tilla që diplomacia e Kosovës mund t’i përdorë në nivele ndërkombëtare për ta mbrojtur politikën e vet të taksës prej 100 përqindësh, dhe për të treguar se Serbia është faktore kryesore që e pengon dialogun me Kosovën”, ka thënë Bashkurti.

“Epoka e re”: Z. Bashkurti, Qeveria e Kosovës gjendet në një presion të vazhdueshëm ndërkombëtar për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Si duhet të veprojë Qeveria në këtë rast?
Bashkurti: Vendosja e taksës 100 për qind për importin nga Serbia ishte një masë politike e imponuar nga politika agresive e Serbisë kundrejt Kosovës. Pa dyshim se kjo taksë e ka shtrënguar ekonominë serbe dhe ka krijuar situatë të vështirë në Serbi. Nga ana tjetër, duhet thënë se një taksë e tillë ka kosto edhe për ekonominë dhe qytetarët e Kosovës. Gjithsesi, mendoj se vendimi i Qeverisë së Kosovës i marrë në rrethana të caktuara është më mirë të mbetet. Kjo taksë nuk është se kërcënon paqen dhe stabilitetin në rajon. Kjo taksë nuk duhet ta pengojë vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve. Mendoj se është një taksë që ka faktorizuar dhe e ka përmirësuar balancimin në mes të Kosovës dhe Serbisë. Është një taksë që ka rritur presionin mbi faktorin serb për vazhdimin e dialogut. Gjithashtu, në një nivel ndërkombëtar, është një taksë që ka tërhequr vëmendjen e faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë për të parë se raportet ndërmjet dy vendeve janë aktualisht mjaft të tensionuara. Në këtë mënyrë mendoj se është një taksë që duhet të vazhdojë. Serbia duhet të bëhet më realiste për ta njohur dhe pranuar realitetin e Kosovës. Serbia duhet të ulet në kushtet e një dialogu pak më të përafërt në raport me Kosovën.

“Epoka e re”: Mirëpo, presioni amerikan ka shkuar duke u rritur në raport me Kosovën. ShBA-ja ka kërkuar pezullimin e kësaj takse për t’i dhënë rast dialogut ndërmjet dy vendeve. Moslargimi i taksës mund të ndikojë në raportet ndërmjet dy vendeve?
Bashkurti: Taksa nuk është një masë që është caktuar kundër ShBA-së. Taksa nuk i cenon aspak marrëdhëniet midis Kosovës dhe ShBA-së, si marrëdhënie të partneritetit strategjik. Taksa është një masë që nuk ndikon aspak në miqësinë dhe bashkëpunimin që ka Kosova me ShBA-në sepse, në fund të fundit, kjo taksë është një masë që nuk cenon aspak interesat strategjike të ShBA-së. Kjo është një taksë bilaterale e vendosur në kushte të imponuara nga politikat agresive serbe kundër Kosovës. Le të kujtojmë disa çaste kur Serbia dhe Kosova kanë arritur rreth 15 marrëveshje që nga viti 2013. Rreth 90 për qind e këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar për shkak të qëndrimeve të njëanshme të Serbisë. Shteti i Serbisë ka ndikuar jashtëzakonisht shumë për bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe Interpol. Në planin më të gjerë global, Serbia ka kaluar në një ofensivë politike dhe diplomatike shumë agresive për të ndikuar që disa shtete që e kishin njohur Kosovën ta tërheqin njohjen. Serbia është në një ofensivë diplomatike kundër shtetit të Kosovës, ndërkohë taksa prej 100 përqindësh e vendosur nga Qeveria e Kosovës është një masë mbrojtëse. Pra, kemi një politikë agresive serbe dhe një masë mbrojtëse nga ana e Kosovës. Prandaj kjo taksë nuk është diçka që bie ndesh me politikën e jashtme të ShBA-së. Në fund, siç e dimë, Shtëpia e Bardhë po aplikon vetë disa tarifa të importit, sidomos në luftën tregtare me Kinën, por edhe me disa partnerë të rëndësishëm, si Kanadanë, Meksikën dhe BE-në. Pra, kjo është thjeshtë një politikë mbrojtëse që një vend mund ta marrë.

“Epoka e re”: Shumë zyrtarë të lartë qeveritarë presionin e ShBA-së dhe të BE-së ndaj Kosovës për këtë çështje e kanë parë si të njëanshëm, duke kërkuar që edhe ndaj Serbisë të bëhet presion?
Bashkurti: Nuk mendoj se në këtë aspekt po tregohen të njëanshëm. Natyrisht se ka dinamika gjeostrategjike nga ShBA-ja dhe BE-ja. Kryesisht këto dinamika lidhen me rritjen e vëmendjes së Uashingtonit dhe Brukselit për ta mbajtur Serbinë të tërhequr drejt interesave dhe bashkëpunimit euroatlantik, për ta neutralizuar qëndrimin shumë pro rus të Serbisë, si dhe për të krijuar një lloj ekuilibri të ri gjeopolitik në rajonin tonë. Natyrisht se nuk është në interesin e ShBA-së dhe BE-së që ta izolojnë Serbinë brenda Ballkanit Perëndimor, i cili lëviz fuqishëm dhe shpejt drejt interesave euroatlantike. Nuk shoh se ka një politikë favorizuese as nga ShBA-ja e as nga BE-ja pro Serbisë. Mendoj se nuk janë të arsyeshme kritikat që bëhen në këtë drejtim, qoftë nga politika dhe nga mediet, se Brukseli po bëhet shumë pro serb. Serbia është një vend kandidat i BE-së që ka hapur negociatat për anëtarësim, por politika e saj e luhatshme bivektoriale midis Rusisë dhe BE-së është një faktor që e bën BE-në të jetë pak më fleksibile me Serbinë. Kjo nuk ka të bëjë me qëndrime kundër Kosovës, por ka të bëjë me politikë më joshëse ndaj Serbisë.

 “Epoka e re”: Në këtë çast Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës. Si e keni parë këtë kushtëzim të Serbisë?
Bashkurti: Mendoj se këtu nuk ka asgjë të re. Serbia qysh në fillim e ka penguar dialogun. Serbia ka qenë kundër procesit të dialogut qysh nga viti 2005. Serbia ka qenë kundër procesit të dialogut kur Ahtisari udhëhiqte negociatat mes dy vendeve. Serbia ka qenë kundër tri parimeve të Grupit të Kontaktit: jo kthimit të Kosovës nën Serbi, jo copëtimit të Kosovës dhe jo bashkimit të Kosovës me ndonjë vend tjetër. Serbia de fakto ka sabotuar sistematikisht dialogun me Kosovën të ndërmjetësuar nga BE-ja. Serbia nuk ka respektuar rreth 90 për qind të marrëveshjeve të arritura në procesin e Brukselit. Serbia në substancë është kundër dialogut për zgjidhjen paqësore të problemeve. Serbia ka shpërfillur dialogun duke kaluar në agresivitet për bllokimin e integrimit të Kosovës në organizatat rajonale. Taksa 100 për qind është një argument i fundit që Serbia po e përdor për ta bllokuar procesin e dialogut.

“Epoka e re”: Z. Bashkurti, çfarë duhet të bëjë Qeveria që Kosova të mos jetë fajtore për mosvazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve?
Bashkurti: Diplomacia e Kosovës duhet të jetë shumë më aktive në nivele ndërkombëtare për të përdorur argumente konkrete dhe të besueshme në mbrojtje të politikës së saj rreth taksës prej 100 përqindësh. Diplomacia e Kosovës duhet të tregojë se Serbia është faktori kryesor që është duke penguar dialogun me Kosovën dhe e cila nuk dëshiron aktualisht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ose që këto marrëdhënie i kërkon në kushte shumë disfavorizuese, për të mos thënë fatale për të ardhmen e Kosovës.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka njoftuar opinion…