Taksa të pezullohet vetëm nëse kushtëzohet me reciprocitet

05 shkurt 2019 | 15:09

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, e ka përkrahur taksën prej 100 përqindësh ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Ai ka bërë me dije se kjo taksë mund të pezullohet vetëm nëse kushtëzohet me reciprocitet të plotë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gashi ka deklaruar se nëse taksa do të pezullohej me këtë kushtëzim, edhe bashkësia ndërkombëtare nuk do ta drejtonte gjithë presionin te pala e Kosovës.

“Taksa mund të pezullohet për një kohë të caktuar vetëm nëse zëvendësohet me reciprocitet të plotë në marrëdhëniet tregtare dhe jo vetëm midis dy shteteve. Mendoj se në këtë drejtim janë edhe dhjetë kërkesat e liderit të PDK-së dhe të kreut të Kuvendit, z. Veseli”, ka thënë Gashi.

Ai ka vlerësuar se tani edhe bashkësia ndërkombëtare i ka kuptuar arsyet e vendosjes së taksës. Sipas Gashit, pezullimi i taksës me këtë kushtëzim nuk do të ndikonte në raportet e Kosovës me ShBA-në.

“Pala amerikane i ka kuptuar në masë të madhe arsyet e vendosjes së taksës, ndaj ka kërkuar pezullimin dhe jo heqjen e saj. Mendoj se, duke e pezulluar përkohësisht taksën, me kushtin që e cekëm më lart, do t’i ruanim raportet e mira me ShBA-në, diçka që është e rëndësisë primare për Kosovën”, është shprehur ai.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare ka folur edhe për kushtet e qeverisë për ta hequr taksën. Gashi ka thënë se është vështirë e besueshme që Serbia heqjen e taksës do ta këmbejë me njohjen e Kosovës.

“Të gjitha kushtet e qeverisë janë të drejta në parim, por është vështirë e besueshme që Serbia heqjen e taksës do ta këmbente me njohjen e Kosovës. Ndoshta hapi i parë drejt njohjes është kushtëzimi i pezullimit të taksës me zbatimin e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, si fazë testuese për Serbinë, para se t’i kërkohet njohja. Mendoj se nëse taksa do të pezullohej përkohësisht me këtë kushtëzim edhe bashkësia ndërkombëtare nuk do ta drejtonte gjithë presionin te pala e Kosovës”, ka thënë Gashi.

“Epoka e re”: Z. Gashi, Kosova gjendet në një presion të vazhdueshëm nga ShBA-ja për ta pezulluar taksën për produktet e Serbisë dhe të Bosnjës. Si duhet t’i përgjigjet Kosova kësaj kërkese të ShBA-së?
Gashi: Taksa mund të pezullohet për një kohë të caktuar vetëm nëse zëvendësohet me reciprocitet të plotë në marrëdhëniet tregtare dhe jo vetëm midis dy shteteve. Mendoj se në këtë drejtim janë edhe dhjetë kërkesat e liderit të PDK-së dhe kreut të Kuvendit, z. Kadri Veseli.

“Epoka e re”: Qeveria e Kosovës heqjen e taksës e ka kushtëzuar me disa kushte, në mesin e tyre edhe njohjen nga Serbia. Si i keni parë këto kushte të Qeverisë?
Gashi: Të gjitha kushtet e Qeverisë janë të drejta në parim, por është vështirë e besueshme që Serbia heqjen e taksës do ta këmbente me njohjen e Kosovës. Ndoshta hapi i parë drejt njohjes është kushtëzimi i pezullimit të taksës me zbatimin e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve si fazë testuese për Serbinë para se t’i kërkohet njohja. Nëse taksa do të pezullohej përkohësisht me këtë kushtëzim edhe bashkësia ndërkombëtare nuk do ta drejtonte gjithë presionin te pala e Kosovës.

“Epoka e re”: Nëse qeveria vazhdon ta refuzojë heqjen e taksës, a mund të ketë kjo ndikim në raportet e Kosovës me ShBA-në?
Gashi: Pala amerikane i ka kuptuar në masë të madhe arsyet e vendosjes së taksës, ndaj e ka kërkuar pezullimin dhe jo heqjen e saj. Duke e pezulluar përkohësisht taksën, me kushtin që e cekëm më lart, do t’i ruanim raportet e mira me ShBA-në, diçka që është e rëndësisë primare për Kosovën.

“Epoka e re”: Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar edhe Ligjin për dialogun me Serbinë. Sa sfiduese do të jetë kjo fazë e dialogut për Kosovën?
Gashi: Uroj të jemi në fazën finale të dialogut dhe të kemi për epilog një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Duke parë kushtëzimet e njëpasnjëshme të Serbisë për vazhdimin e dialogut, të krijohet përshtypja se Serbia i nxjerr këto kushte vetëm për ta prolonguar vazhdimin e dialogut dhe për të mos arritur shpejt të një marrëveshje përfundimtare.

“Epoka e re”: Qendrat e mëdha ndërkombëtare kanë bërë me dije se viti 2019 është momentumi më i mirë për marrëveshjen historike në mes të dy shteteve. Si historian dhe njohës i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, cili mund të jetë epilogu i këtij procesi?
Gashi: Nuk mund të them se a është ky momentumi më i mirë, por një gjë është e sigurt, se Kosova deri në arritjen e kësaj marrëveshje po shënon ngecje për afirmimin e shtetësisë së saj në planin ndërkombëtar. Procesi i njohjeve ka ngecur, madje ka propagandë retrograde të zhvilluar nga Serbia dhe miqtë e saj për tërheqjen e njohjeve. Është vështirë të prognozohet epilogu i kësaj marrëveshje, por pala e Kosovës ka argumente nga e drejta ndërkombëtare (vendimi i GjND-së i vitit 2010) dhe obligime kushtetuese për të ruajtur dhe afirmuar sovranitetin politik dhe territorial të shtetit të Kosovës në kufijtë ekzistues.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Lirisë nga Prizreni ka prezantuar edhe dy transferime…