Tarifa prej 100 për qind nuk është shtylla e zhvillimit ekomomik në Kosovë

22 janar 2020 | 14:50

Të mërkurën është mbajtur tryeza e diskutimit e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës e cila pati për qëllim diskutimin mbi efektet e tarifës doganore prej 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në ekonominë e vendit tonë.

Në fund të vitit të 2018 qeveria ka miratuar vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që fillimisht t’u vendoset masa prej 10 për qind e pastaj prej 100 për qind ndaj dy shteteve, Serbisë e Bosnjës dhe Hercegovinës, tarifë kjo e cila erdhi si kundërpërgjigje për agresivitetin e Serbisë ndaj Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, ka thënë që Klubi ka bërë një analizë mbi efektet e tarifës nga të dhënat reale të marra nga Dogana e Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës si dhe Banka Qendrore e Kosovës, për një periudhë mbi njëvjeçare, pasi që studimet e deritanishme tre mujore nuk japin rezultatet e duhura.

“Nuk i kemi analizuar aspektet politike, por vetëm ato ekonomike përgjatë analizës sonë. Ajo çka mund të përfundojmë është se ka impakt pozitiv nga tarifa, dhe çka mund të konkludojmë është se Kosova mund të mbijetoj edhe pa Serbinë, të mbështetet në produktet e veta dhe me tregtinë me vendet mike të saj”, ka thënë Panxha.
Fejzulla Mustafa, pronar i kompanisë “Fluidi” ka treguar që tarifa ka dhënë një efekt pozitiv tek prodhuesit në përgjithësi, por edhe për kompaninë e tij. “Tek ne kemi pasur ngritje të shitjes së vajit ‘Floil’, i cili ka qenë i shumë i konkurrueshëm më parë nga disa vajra që vinin nga Serbia”, është shprehur Mustafa.

Ai po ashtu ka kërkuar që të vazhdohet vetëdijesimi i konsumatorëve për konsumimin e produkteve vendore edhe pas tarifës. “Ne si prodhues nga Kosova jemi të bojkotuar nga konsumatorët serb, e jo vetëm nga shteti serb. Prandaj kërkojmë edhe nga konsumatorët tanë të kenë të njëjtin vetëdijesim”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Gojart Kelmendi nga kompania “Flutra”, ka treguar që sipas të dhënave sektori i përpunimit të letrës ka shënuar rritje prej 25 për qind që nga tarifa. E kjo ngritje ka ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit. ‘Tarifa ka treguar që përpos që e kemi mbuluar tregun e vendit, e kemi rritur konkurrueshmërinë edhe për eksport”, ka deklaruar Kelmendi, i cili ka kërkuar nga qeveria e ardhshme që të kenë kujdes me sektorin e prodhimit, i cili bartë barrën kryesore të punësimit dhe mirëqenies ekonomike të qytetarëve.

Kurse ekonomisti Muhamet Mustafa, u shpreh se rritja e qëndrueshme ekonomike e vendit varet vetëm nga rritja e prodhimeve vendore.

Ai ka thënë që taksa ka pasur efekte pozitive, ku ka përfituar buxheti i shtetit dhe shkalla e inflacionit ka qenë e vogël. Ai po ashtu ka kërkuar që problemet politike të mos ndikojnë në zhvillimin e politikave ekonomike. “Efektet janë të rëndësishme dhe tregojnë që me politika aktive në mbështetjen e prodhuesve vendor mund të shkojmë në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Kosova duhet të ndërtojë politika aktive për prodhuesit vendor. Sot sektori i prodhimit është në konkurrencë të pabarabartë me importin”, ka thënë ai.

Po ashtu në këtë tryezë u prezantua edhe anketa e qytetarëve për konsumimin e prodhimeve vendore.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës U17 në futboll ka shënuar fitore kundër…