Tasi Mitro Tushe (Kristiani), luftëtar i Çetës Myzeqare të Kolkondasit

14 janar 2026 | 13:35

Aty në zemër të Myzeqesë, në lartësitë e një kodre  magjike, që ngrihet si piramidë gjigande përmbi fshatin Pojan, e mbuluar dhe stolisur e tëra me gjithfarë bukurish nga natyra dhe dora e njeriut, ndodhet edhe qyteti ynë antik, plot lavdi dhe hijerëndë i Apollonisë. Sa histori të ndritur ka patur kjo trevë e dëgjuar së bashku me këtë perlë të lashtësisë për qindra e mijëra vjet, jo vetëm nëpër Ilirik, por edhe në të tërë pellgun e Mesdheut, Evropë e më gjerë. Qysh në periudhat më të hershme dhe më vonë, në këtë qytet-shtet madhështor të gdhendur në mermer, të ish Taulantisë tonë të vjetër  ilire, pranë të cilit kalonte edhe Vjosa e kristaltë, që vallëzonte pa u ndalur nën meloditë e valëve të Adriatikut, lulëzuan arti, kultura, skulptura, arkitektura, oratoria e tjerë, të cilat çuditën mbarë njerëzimin e asaj bote të largët. Duke ju referuar shkrimeve të ndryshme historike, por edhe shënimeve tē lëna nga mjaft gjeograf, dijetar, studiues, ushtarak të lartë edhe mbretër të njohur, që kanë vizituar Apoloninë e Taulantisë (Myzeqesë), rezulton se, ajo ishte më e bukura dhe më e zhvilluara prej 20-të e ca qyteteve të tjera me emrin e hyjnorit Apollon, që ndodheshin  nëpër brigjet e detit të Zi, Adriatikut dhe ato mesdhetare.

Për  këtë arsye gjatë asaj periudhe të lashtë , në universitetin e dëgjuar dhe plot me nam të apolloniatëve, vinin vazhdimisht edhe shumë nxënës, student dhe artist nga e gjithë bota,  për të  marr arsim cilësor, dituri të gjerë dhe kulturën e zhvilluar e të përparuar, të këtij qytetërimi të të parëve tanë. Edhe gjenerali e politikani i famshëm romak Jul Çezari e pruri këtu në Apolloni nipin e tij Oktavian Augusti, që të kryente studime të larta në fushën e artit, filozofisë dhe retorikës, ku jepnin mësim profesor, dijetar dhe filozof të mëdhenj të antikitetit, i cili më vonë u bë një nga perandorët më të dëgjuar të Perandorisë Romake.

Qyteti i lashtë i Apollonisë, Fier, –  (Vendlindja e patriotit Tasi Mitro Tushi).

E bukura jonë e Adriatikut me emrin Apolloni, që ishte padyshim edhe një nga mrekullitë e Mesdheut, dha shumë kontribute në zhvillimin e atij qytetërimi të vjetër me arsimin, kulturën, artin, mënyrën e organizimit shtetëror dhe vlerat e tjera të mëdha, që kishte. Për një periudhë të gjatë kohore, ajo përhapi vazhdimisht dritën e saj të diturisë e të përparimit, jo vetëm në gjithë Ilirikun, por edhe me gjerë si në Apenine, Pirenej, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut e tjerë.

E megjithatë si për çudi, pavarësisht vlerave kolosale që mbarte dhe kontributit të saj në atë botë, forcat madhore të natyrës, që e kishin krijuar vet këtë perlë bukurisë, u treguan të pa mëshirshme me të dhe përcaktuan  një fat jo të mirë ndaj saj. Kështu në vitin  234 të erës sonë, ato e goditën shumë ashpër këtë kryevepër njerëzore me anë të një tërmeti tejet shkatërrimtar, që nuk kishte ndodhur kurrë në asnjë periudhë historike të shkuar.

Kjo katastrofë natyrore e shoqëruar edhe me çarje kilometrike të tokës, ishte e përmasave aq të mëdha, saqë i largoi asaj edhe lumin që i kalonte pranë portave të mermerta, duke e izoluar përgjithmonë dhe ja mohuar  privilegjin, për të notuar si më parë nëpër ujërat e pellgjeve mesdhetare. Nuk mjaftoi vetëm me kaq, por okupatorët e shumtë barbar romak, grek, bullgar, serb, turq, austriak e tjerë, bënë të tjera masakra përmbi të, duke e dëmtuar që nga themelet dhe grabitur me dhunë të  gjitha vlerat kolosale të artit e kulturës, që posedonte kjo princeshë e qytetërimit të lashtë.

Muzeume të ndryshme të botës së sotme, që  nga Azia, Evropa dhe deri në Amerikë, janë të mbushura me skulpturat e çmuara të Apollonisë tonë, që i kanë rrëmbyer me forcë gjatë atyre kohëve, kur ne ishim nën okupacionin e barbarëve të huaj, prej njëzetë e ca shekujsh. Është tepër i çuditshëm, por edhe  i pafalshëm qëndrimi naiv i shtetit tonë të sotëm, i cili nuk i ka të evidencuara dhe nuk po i kërkon kurrë në rrugë ligjore këto thesare, që ti kthehen përsëri pronarit të tyre, Apollonisë, që nga Greqia, Italia, Serbia, Austria, Anglia, Franca e tjerë, pavarësisht sesi mund të jetë reagimi dhe përgjigja e tyre.

Në këto plaçkitje të vazhdueshme, që u kryen ndaj qytetit tonë të diellit (Apollonisë) dhe Popullit Myzeqar, përveç invadorëve të huaj, morën pjesë edhe mjaft sundimtar, pashallarë, ushtarak dhe klerik shqiptar, kontrabandist  pa vetëdije qytetare e kombëtare, apo edhe njerëz  të thjeshtë naiv e përvetues, duke grabitur vlera të mëdha të kësaj pasurie botërore.

Nga rrëfenja të ndryshme dhe verifikime  të sakta, që janë bërë lidhur me këtë problem, rezulton se mjaft kisha të ndërtuara nëpër fshatrat myzeqare, por edhe xhami rreth kësaj krahine(nahije), kanë në themelet dhe muret e tyre gur të gdhendur, të marrë në Apolloni me urdhër të kishës greke, dhespotëve të saj dhe myftinjve turq, që drejtonin në Shqipëri religjione të ndryshme fetare. Shumë nga myzeqarët tanë, që kanë jetuar në fillimin  e dekadës së dytë  të shekullit të XIX, në kujtimet e tyre që u lanë pasardhësve të vet, na tregojnë se, në një veprimtari të tillë është përzier edhe sundimtari  aventurier i Janinës Ali Pashë Tepelena.

Ata kanë rrëfyer se gjatë viteve 1814-1815 me urdhër të tij, karvanë të tëra qerresh kanë morë sasia të mëdha gurësh të gdhendur në Apolloni dhe i përdorën për ndërtimin e kishës së Shën Mërisë e të Manastirit të Kolkondasit, si dhe të një shkolle  turke brenda tyre. Për atë periudhë të turbullt, flitet edhe sot se, ky diktator i egër ka vrarë edhe disa ustallarë e mjeshtrja ndërtimi, gjoja për punime me cilësi të dobët, deformime projekti dhe shtyrje të afatit për përfundimin e këtij objekti kulti fetar.

Po kështu edhe Kurt Pasha i Beratit grabiti blloqe të tjera masive guri, duke i shqyer nga muret e lashta të kësaj mrekullia dhe me to ngriti sarajet e veta në qytetin e bardhë të njëmijë e një dritareve, si dhe xhaminë e kësaj kasabaje, në Antipatrën  tonë të vjetër me famë, që sllavo-bullgarët ja ndryshuan edhe emrin e saj të mëparshëm, duke e pagëzuar Beligrad (Berat).

Megjithatë, ashtu si të gjitha qytetet e tjera ilire si Bylisi, Dimali, Orikumi, Durrësi, Butrinti e tjerë, që ishin objekt i grabitjes edhe kjo pasuri kolosale, e ardhur trashëgim prej të parëve tanë, falë sakrificave të shumta shekullore, që ka bërë Populli  Myzeqar dhe apolloniatët e saj, arriti që të  mbijetoj e mbërrij deri në ditët tona. Mjaft gojëdhëna, tregime e këngë të vjetra, por edhe dokumente të ndryshme historike rrëfejnë, se qindra patriot pojanak dhe myzeqar të tjerë, janë dëbuar, internuar, burgosur dhe vrarë, jo vetëm nga okupatorët  e huaj, por edhe prej shërbëtorëve të tyre shqipfolës, sepse guxuan të mbronin vlerat dhe pasuritë e Apollonisë tonë të lashtë.

Për të gjitha këto akte të larta heroizmi e trimërie, që u bënë nëpër shekuj, nuk është shkruar kurrë dhe për pasojë, ato janë harruar e zhdukur përgjithmonë, prej të cilave sot rrëfehen përciptazi disa episode ngjarjesh e tregime të vogëla rreth tyre. Vetëm muret, gurët, skulpturat e mermerta dhe lisat qindra vjeçar  të Apollonisë, janë dëshmitar të këtyre ngjarjeve, sakrificave dhe gjakut të derdhur për ruajtjen e saj.

TASI MITRO TUSHE (KRISTIANI).  (09 Tetor 1883 – 30 Nëntor 1960)

*Patriot

*I përndjekur politik në moshë të mitur nga vendlindja e tij Pojan(Hoxharë) prej regjimit osman, për shkak të veprimtarisë antiturke të atit të tij Mitro Kristiani.

*zv.Komandant i një grupi të armatosur në fshatin Petoshaj.

*Anëtar i Çetës së Kolkondasit të drejtuar nga mësonjësit, priftërinjtë dhe rilindësit myzeqar At Kozma Dhima, Spiro Saqellari dhe Tuni Gjergji.

*Ka marr pjesë në Kuvendin e Parë të  Ismail Qemalit në Fier, më 24 mars 1912-të.

*Ka marr pjesë në Kuvendin e Dytë të Ismail Qemalit në Fier, më 12 gusht 1912-të.

*Anëtar i organizatës patriotike, “Komiteti i Fshehtë i Fierit”, për hapjen dhe mbrojtjen me armë të shkollave në gjuhën shqipe, në Myzeqe.

*Në krye të 40-50 fshatarëve myzeqar, së bashku me të vëllan Uani Tushi, Tasi Tika e tjerë, mbrojtën Ismail Qemalin në Çiflig të Libofshës më 24 Nëntor 1912-të, atë natë kur bujti në këtë fshat.

*Ka marr pjesë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës më 1920-të, si luftëtar i çetës patriotike të Kolkondasit e drejtuar nga mësonjësi at Kozma Dhima, por që me urdhër të tij i është bashkuar çetës së Pojan-Shën Pjetrës, të Llazi Spiros, për mbrojtjen fizikisht të këtij kuvendi.

*Si luftëtar ndihmoi dhe mori pjesë në luftë për çlirimin e Vlorës më 1920-të, i inkuadruar në batalionin “Myzeqeja”, të drejtuar nga Llazi Koli Spiro (Shën Pjetra).

*Anëtar i Këshillit Drejtues të Pleqësisë i Manastirit të Kolkondasit.

*Përkrahu fuqishëm luftën Nacionalçlirimtare dhe dërgoi partizan nipin e tij Jorgji Tushe në brigadën e 19-të S dhe të birin Rrapi Tushe, në brigadën e 8-të S.

*Shtëpia e tij në fshatin Petoshaj dhe më vonë ajo në Nikas, kanë qenë  baza të rëndësishme të patriotëve dhe partizanëve tanë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në listën e ndritur të patriotëve që kontribuon, për mbrojtjen e këtij qytetërimi antik e ka futur veten e tij edhe babai i Tasi Tushit,  atdhetari pojanak Mitro Kristiani, ish kryeplak, psalës, mësonjës dhe administrator i kishës dhe qytetit të Apollonisë. Ai u burgos dhe dënua nga regjimi osman para viteve 1900-të,  sepse nuk i lejoi okupatorët turq dhe hoxhën e tyre hajdut të ardhur nga Stambolli, që të vidhnin pasuritë e saj, i cili edhe e patë denoncuar atdhetarin tonë në xhandarmëri për veprimtari gjoja antiturke.

Pasi përfundoi  dënimin dhe doli nga burgu, ai u kthye në fshatin e tij Pojan, mori koburen që e mbante të fshehur diku pranë  kishës dhe në një  mbrëmje vonë, u ndodhë ball përball me klerikun osman, shtiu mbi të dhe e rrëzoi për tokë, aty në trojet e veta, që hoxha ja kishte grabitur me forcën e asqerëve të Anadollit.

Me të kryer aktin e hakmarrjes, atdhetari ynë pojanak u ndoq nga taborët e ushtrisë osmane për disa kohë nëpër pyjet e Kryegjatës, Ardenicës e Grabianit, derisa në tentativë kur po mundohej të kalonte ujërat e Adriatikut për të shkuar në Itali, ai u vra diku në fshatin Kamenicë të Divjakës prej xhandarëve turq.

Pas grabitjes me forcë të shtëpisë, arrestimit, burgosjes e vrasjes së  klerikut, mësuesit dhe administratorit të Manastirit të Apollonisë Mitro Kristiani  nga kadinjët dhe asqerët turq, nisi edhe kalvari i gjatë i vuajtjeve të mundimshme për familjen e këtij myzeqari fisnik dhe patrioti të shquar.

Të tre fëmijët e tij të vegjël Uani, Tasi dhe Maria, duke qenë mjaft të shqetsuar nga kjo tragjedi tepër e rëndë, dhe për të gjetur pak  qetësi e siguri diku tjetër, atyre u lindi edhe mendimi, që  të ndaheshin nga pjesa e fisit të tyre, që u mbajt me forcë e terror  në  arat e hoxhës së ndjerë turk, të vendosur në Apolloni. Kur i panë me sy xhandarët osman, që u hodhën  zinxhirët kushërinjve të vet dhe i cilësuan yzmeqar e bujq me punë të detyruar, të këtij ish kleriku islamik osman, vrarë nga patrioti ynë Mitro, duke ju vënë  edhe mbiemrin turk “Hoxh-ara”, këta fëmijë vendosën që të largoheshin sa më shpejt nga vendlindja e tyre, Pojani.

Ata shkuan tek disa njerëz të afërm të nënës së tyre Stasa (Anastasia) në katundin Korkutas të rrethit Fier, ku gjetën ndihmë e përkrahje, për të kaluar atë kohë mjaft të vështirë, që po përjetonte në ato momente kritike kjo familje  e përgjakur rëndë nga ushtria osmane. Si fëmijët e një “armiku të rrezikshëm” të Portës së Lartë, për të shpëtuar nga  survejimi i vazhdueshëm dhe gjurmimi i regjimit turk e hafijeve të tij, ata ndryshuan edhe llagapin, duke marë për mbiemër, emrin e shkurtër përkëdhelës të të atit Tushi(Mitro-Mitrush-Tushi), të cilin do ta mbanin vazhdimisht me krenari të madhe, gjithë jetën e tyre, por pa harruar edhe atë të babait ”Kristo e Kristiani”.

Të dy djemtë e këtij patrioti të shquar myzeqar Uani dhe Tasi edhe në vendbanimin e ri, ata flisnin gjithmonë me krenari për të atin e tyre, cilësitë, virtytet e larta, trimërinë dhe aktivitetin e këtij kleriku, mësonjësi, drejtuesi e patrioti të Kishës së Shën Mërisë, që e fali jetën për mbrojtjen e pasurive të qytetit të lashtë të Apollonisë.

Kështu, pasardhësit e Mitros gjatë asaj periudhe, përjetuan një mal të madh me përbuzje, fyerje, urrejtje, vuajtje e përndjekje të gjatë politike nga xhandarmëria e okupatorëve osman. Duke qenë të zhytur totalisht edhe në varfëri e  mjerim të thellë, pa strehë dhe pa asnjë lloj ndihme e shprese, ata u detyruan të punonin qysh në vegjëli, duke bërë çdo llojë pune të rëndë, për të mbijetuar në ato vite tepër të vështira.

Megjithatë, shpirti rrebel e antiturk i këtyre pojanakëve të rinj, nuk u thye kurrë, ndjenjat kombëtare u shtuan edhe me tepër dhe shpresat e dëshirat, për ta parë Shqipërinë e tyre të lirë e të pavarur qenë gjithmonë të pa venitura..

Akti heroik i babait të tyre, mbeti vazhdimisht burim frymëzimi dhe krenarie për dy djemtë dhe vajzën e tij, të cilët me punën, sjelljet dhe aktivitetin e tyre, po e nderonin edhe  më shumë veprën e këtij martiri të Myzeqesë.

Të rritur dhe edukuar  me zakonet dhe traditat  më të mira të kësaj  treve, për ti dalë zot vetes, si dhe  për të mbrojtur jetën e tyre nga  rreziqe të ndryshme, që vinin në çdo kohë e nga çdo anë, ashtu si dhe ati i tyre Mitro, ata filluan të mbanin fshehurazi edhe armë, duke qëndruar vazhdimisht të armatosur, qysh kur ishin të rinj.

Me qëllim, për ta përballuar shtypjen e rëndë dhe ti përgjigjeshin sa më mirë dhunës që ushtrohej ndaj tyre dhe popullit myzeqar prej regjimit të Anadollit, të dy vëllezërve megjithë patriotin trim Tasi Tika, ish kaçak, u lindi idea dhe krijuan një grup të vogël patriot të armatosur.

Disa kohë më vonë rreth vitit 1910-të, Uani Mitro Tushi, Tasi Mitro Tushi dhe Tasi Tika, mblodhën edhe disa djem të tjerë atdhetar, si Joti Tika, Ndini Çuka, Kozma Çuka, Nasi Dumi, Trushi Sako, Nasi Sako e tjerë, nga fshatrat Petoshaj, Metaj, Kolkondasi, Hasallia, Korkutasi, Gjokallia, Kavakllia e  Shtetpasi dhe formuan një çetë to vogël patriotike, për të përdorur edhe forcën e armëve kundër xhandarmërisë turke, në qoftë se do të lypej nevoja. Në saj të guximit, pjekurisë dhe përvojës që kishin këta dy vëllezër patriot pojanak dhe Tasi Tika, u bë e mundur, jo vetëm rritja e shpejt e  kësaj çete, por  edhe lidhja e tyre me drejtues të çetave të tjera, ish shok e miq të babait të tyre (Mitros), që nga fshatrat  e Pojanit, Shën Pjetrës,  Semanit dhe Ardenicës.

Urrejtja e madhe që kishin ndaj okupatorit turk, si dhe për ta parë vatanin e tyre të lirë, i nxiti këta tre patriot, që në krye të 40-50 fshatarëve të asaj zone, ti vinin në mbrojtje me armë në dorë edhe Ismail Qemalit, më 24 Nëntor 1912-të, atë natë kur plaku ynë vlonjat bujti në Çiflig(Libofshë), për të shkuar në Vlorë, që të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë.

Disa muaj më vonë pas shpalljes së Mëvetësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912-të, filloi me një egërsi të paparë, brenda e jashtë vendit edhe fushata e ndjekjeve, arrestimeve, helmimeve dhe e vrasjeve të patriotëve shqiptar, që realizuan aktin më  të lartë dhe më të rëndësishëm për ekzistencën e popullit dhe të kombit tonë, pas pesë shekujsh robërie. Ajo u zhvillua e ashpër edhe në krahinën tonë, dhe sidomos në qendrën e patriotizmit të saj Karatoprak, ku forca ekstremiste islamke proturke dhe ato shoviniste ortodokse greke, të nxitur dhe mbështetur nga Athina e Beogradi, përndoqën shumë  atdhetar e pavarsist myzeqar, që kishin marë pjesë direkt dhe patën ndihmuar në këtë ngjarje të madhe e historike për Shqipërinë.

Situatën e rëndë ekonomike dhe politike, që mbizotëronte gjatë kësaj periudhe në këtë trevë, të prekur edhe nga epidemia e kolerës e përkeqësoi edhe më tepër rebelimi antishqiptar dhe antikombëtar i katundarit analfabet proturk të Vaqarrit (nga Tirana) Haxhi Qamili, i cili dogji e shkatërroi shtëpi e fshatra të tëra dhe vrau e vari në litar mjaft fshatar e kundërshtar, duke i shkaktuar Shqipërisë mijëra viktima. Një fat të zi nga këto forca  regresive vëllavrasëse, patën edhe disa shtëpi në Petoshaj, së bashku me atë të Uani dhe Tasi Tushes, të cilat u dogjën nga banditët haxhiqamilist, duke i lënë fëmijët, foshnjet dhe të moshuarit e këtyre familjeve në mjerim, pa strehë e në qiell të hapur. Ky konflikt i përgjakshëm vëllavrasës bëri të mundur, që të shtohej edhe më shumë vargu i viktimave edhe në fshatrat e krahinës së Myzeqesë dhe sidomos në zonën e Karatoprakut.

Gjatë viteve 1913-1914, Tasi Tushe si aktivist i mbështetjes së Pavarësisë, luftëtar, patriot dhe antiturk, ai kërkohej e ndiqej për tu vrarë nga ana e këtyre rebelëve anarshist antishqiptar, prandaj kjo situatë e  detyroi atë dhe shokët çetës së  Petoshajt, të dilnin kaçak dhe të tërhiqeshin  në ilegalitet. Ata u vendosën në shpellat dhe pyjet e dendura të Ardenicës, Spolatës, Grabianit e Tërbufit, jo vetëm për tu mbrojtur, por edhe për të sulmuar prej këndej rrufeshëm e në mënyrë të befasishme forcat haxhiqamiliste. Thuhet se brenda këtij harku kohor, çetat patriotike myzeqare të Petoshajt, Kolkondasit, Ardenicës dhe e Krutjes, të drejtuara nga kapedanët Tuni Gjergji, at Kozma Dhima, at Spiro Saqellari, Llazar Bozo, Lam Shtëmbari e Pal Kadillari, u bënë disa sulme të fuqishme kundër katundarëve të Haxhi Qamilit. Ato u ndeshën me taborët e rreckosur të këtij anadollaku në Savër, Spolatë, Qafë të Gradishtës dhe Mbrostar, ku u zhvilluan luftime të ashpëra, që përfunduan me tërheqjen e turpshme të rebelëve shallvare grisur drejt qytetit të Lushnjes, për tu rigrupuar, organizuar e ndoshta sulmuar përsëri.

Pas dënimit me vdekje të Haxhi Qamili më 16 gusht 1915-të nga një gjykatë e Esat Pashë Toptanit, i cili ju dorzua këtij tradhtari prej ushtrisë serbe, gjendja e acaruar që mbizotëronte në Shqipëri filloi të ndryshoj, duke u bërë disi më e qetë. Me shtypjen e këtij rebelimi fshatarësh,  luftëtarët e armatosur patriot dhe çetat e tyre myzeqare u kthyen përsëri nëpër fshatrat e veta më të konsoliduara se më parë, duke vazhduar me sukses detyrat luftarake që shtronte situata dhe përmbushja e misionit  historik, që kishin marr mbi vete.

Së bashku me të gjithë luftëtarët e tjerë trima të Karatoprakut, në Petoshaj u kthye  edhe patrioti Tasi Tushi, i cili tashmë kishte mbetur edhe pa strehën e tij ku jetonte para këtij krimi tragjik. Pa shpenzuar shumë kohë dhe megjithëse kishte humbur një nga pjestarët e vegjël  të famljes së vëllait, ai tok me Uanin ja nisën menjëherë edhe punës për rindërtimin e shtëpisë së tyre të djegur nga forcat e errëta filoturke, që kërkonin ende kthimin e Sulltanit vrastar në Shqipëri.

Gjatë kësaj periudhe, pjesëtarët e çetës së armatosur të Petoshajt, me insistim të Tasi Tushit dhe Tasi Tikos miratuan edhe  thirrjen e mësonjësit të Ardenicës at Kozma Dhima, dhe u vendosë të kryhej edhe bashkimi me çetën e  madhe të Kolkondasit  që drejtohej prej tij. Disa nga këta luftëtar të  zgjedhur e trima, midis të  cilëve edhe Tasi, u bënë edhe pjestar të organizatës “Komiteti i Fshehtë i Fierit”, që merrte në mbrojtje me armë shkollat shqipe të hapura nëpër Myzeqe.

Si patriot dhe shok i rilindësve të mëdhenj myzeqar, Kostandin Mingës, At Spiro Saqellarit, Tuni Gjergjit, Jovan e Zoi Ndrekos, At Kozma Dhimës, Thoma Aleks Ristanit, Jani Mingës, Llazi Spiros, Babë Dudë Karbunarës, Elmas Boçe  e të tjerë, por edhe si anëtar e luftëtar i çetës së armatosur të Kolkondasit, ai ka dhënë një kontribut modest, duke kryer vazhdimisht detyra të rëndësishme në shërbim të çështjes tonë të shenjtë kombëtare, në ato vite tepër të rënda. Ky burrë fisnik, luftētar i njohur çetash  patriotike, ish birë i një heroi të njohur antiosman e me autoritet  në gjithë zonën e Karatoprakut, gjatë asaj periudhe e në vazhdim, ka qenë edhe një “Pajtues Gjaqesh” , ku zgjidhi një sërë konfliktesh, parandaloi disa vrasje dhe pajtoi mjaft familje e fise, që ishin në hasmëri midis tyre, në tërë Myzeqenë. Janë të  shumta rastet që tregojnë, se ky atdhetar, orator i njohur e burrë kuvendi, me përpjekjet e tij ka bindur mjaft myzeqar, për të falur gjakun dhe shtrirë dorën vëllezërve të tyre, të linin mënjanë  hasmëritë, konfliktet, ngatërresat, grindjet dhe veprime të tjera ekstreme, të cilat shpeshherë  nxiteshin  edhe nga okupatori turk, bejlerët apo klerikët mysliman e ortodoks grek, të vendosur në këtë krahinë.

Duke parë cilësitë e larta dhe veprimtarinë e këtij myzeqari, mjaft familje e fise të njohura në fshatrat e zonës së Karatoprakut, si ato të Trushi Sakos, File Drizës, Leksi Saqellarit, Tasi Tikos, Thoma Ikonomit, Kozma Tankës, Trush  Kolës, Zog Silos e tjerë, u bënë një mbështetje e fuqishme e këtij tribuni, që mbillte gjithmonë vetëm dashuri, pajtim, miqësi e unitet kudo që shkonte, për të përmbushur misionin e tij , në shërbim të popullit dhe të çështjes tonë kombëtare.

Si anëtar i organizatës patriotike “Komiteti i Fshehtë i Fierit”, ai së bashku me shumë atdhetar të tjerë myzeqar, kanë mbrojtur me armë në dorë të gjitha shkollat e para shqipe, që hapën mësonjësit tanë nëpër fshatrat e kësaj krahine, deri me krijimin e Shtetit Shqiptar dhe të strukturave të tij të sigurisë publike. Për këtë arsye dhe si djalë i rebelit antiturk Mitro Kristiani dhe lidhje fisnore(nip) i kapedanit Lam Shtëmbari nga Krutja, ndaj patriotit Tasi Tushe, janë organizuar disa prita, kurthe e atentate me pagesë, për likuidimin e tij fizik nga dhespoti grek dhe bejlerët e Myzeqesë, të lidhur ngusht jo vetëm me zgjedhën osmane, por më vonë edhe me regjimin antipopullor të Ahmet Zogut.

Ato nuk u realizuan dot kurrë, jo vetëm falë shkathtësisë e trimërisë që kishte ky patriot, por edhe për faktin se, ai ishte një luftëtar  i çetës së armatosur të Kolkondasit e cila kish deklaruar publikisht, se do të kryente një hakmarrje ekstreme dhe tepër të ashpër ndaj cilitdo, që do të guxonte të prekte ndonjë nga anëtarët e saj.

Rreth vitit 1922, atdhetari ynë Tasi Mitro, pati një konflikt të ashpër edhe me një nga bejlerët e kësaj treve, të cilin e ndoqi mbi kalë me  martinë në dorë, që nga Nikasi e deri në pyllin e Mujallisë, pasi ai kishte qëlluar me armë(çifte) fëmijët e shkollës së Manastirit të Kolkondasit dhe plagosur lehtë njërin prej tyre. Duke rendur fluturimthi si shqiponjë pas harbutit pasanik, në dalje të fshatit, i shtyri atij nga larg me armë për ta ndalur dhe kur ju afrua kodoshit të tramaksur, e rrëzoi nga shala e kalit dhe e shtriu mbi ugarin tërë baltë, duke ja ndarë frymën. Pas shumë lutjesh të mëdha, kur ju betua edhe për djalë, Çeçua ynë e fali fudullin anadollak, por atij i dha një mësim të vyer, për ta mbajtur mend gjithë jetën, që të sillej mirë me Popullin e Myzeqesë, sepse ai  nuk ka duruar kurrë dhe askënd, që të luaj në të.

Meqenëse pojanaku i Karatoprakut, ishte edhe anëtar i Këshillit të Pleqësisë së Manastirit të Kolkondasit, zengjini i turpëruar shkoi  u ankua edhe në Kishë për kapedanin, që ta përjashtonin nga ky funksion. Drejtuesi i saj Ikonomi, një mësonjës patriot, që ishte mjaft i revoltuar me bej efendiun, i tha atij prerë:

“…zotri Ju jeni me fat dhe thuaj shyqyr zotit, që nuk ju vrau fare në atë moment për fëmijët e shkollës…sepse edhe mund t’ju vriste…prandaj ik dhe vini mend…se mund t’ju shkoj edhe koka…”.

Trimëria e këtij myzeqari të rebeluar, që nuk ju bind kurrë ligjit osman, myftinjve ekstremist dhe dhespotëve grek, i cili shpesh herë qëndronte edhe kaçak vetëm, apo me shok të tjerë e detyroi edhe beun mburravec të kësaj zone, që ti kërkoj falje sa më parë Tasit, sepse mund ti kushtonte edhe më shtrenjtë këtij feudali harbut.

Dy brigjet e Semanit legjendar, matanë e më këtë anë të lumit, e kanë dëgjuar shpesh edhe këngën e kapedanit Tasi Tushi, që e thërrisnin ndryshe edhe “Çeço”( që do të thotë djalë, apo burrë i fort), pasi i vuri fre  edhe këtij zengjini grindavec e arrogant. Lidhur me emrin  përkëdhelës “Çeço”, që në Myzeqe përdoret shpesh si simbol i trimërisë, por ndoshta edhe në krahina të tjera, ne mendojmë, se fakti që ky  patriot u cilësua i tillë, kjo mund të ketë patur lidhje edhe me dëshirën që kishin njerëzit në ato kohëra, për ta nderuar  figurën e çdo trimi me atë të luftëtarit tonë të madh Çerçiz Topulli, që vrau bimbashin turk në qytetin e Gjirokastrës.

Kjo ka qenë përafërsisht kënga, që i këndohej xha Tasit (mbrojtësit të shkollave shqipe) nga nxënësit e Manastirit të Kolkondasit dhe të fshatrave rreth tij. Vargjet e saj  me siguri mund të jenë shkruar e zbukuruar nga ndonjë bejtexhi, rapsod popullor, apo prej mësonjësve të kësaj shkolle, si Kozma Shanka nga Shterpasi me shok, që i gjuanin mjaft e publikonin me buje ngjarje të tilla, duke u dhënë atyre, jo vetëm ngjyra të bukura letrare, por edhe shpirt patriotik e përmbajtje kombëtare.

O xha Tasi me kobure.

1.

U bë pushkë dhe ike tutje

Sikur hasmi kishte ardhë

O xha Tasi me kobure

Hipur mbi dori të bardhë

2.

Bregut të lumit se çu turre

Si gjithë trimat luftëtar

Nëpër drurë e nëpër shkurre

Gjete nipin duke qarë

3.

Menjëherë në shtëpi e prure

Të tregoi se çfarë kish ngjarë

Fluturim pas beut ju vure

Rrugës drejtë për në Mbrostar

4.

Nëpër pyll beun çe zure

Hatin shpejt qe duke e ngarë

Dhe me dhjeçe se çi shtyre

Ndal i the more zuzar

5.

Pse more bej, gjerë këtu më prure

Ma preke djalin me dorë

Dhe mi re kamxhik lëkure

Pa të bërë asnjë zarar

6.

Nisi beu të flas tërë nure

Çfarë bënë kështu more qyqar

Si guxon që po më mburre

Dhe me shtyre për t’më vrarë

7.

Sprite shumë, në tokë çe ule

Dhe e shtrive mbi ugar

Përmbi të, lart ju vërsule

Frymën qe duke ja ndarë

8.

Kur të bëri shumë lutje

Tu betua edhe për djalë

Më atëherë ti nuk e luajte

Shko i the,  se po të fal

9.

Çu ngrit beu me poture

Tërë baltë porsi i marrë

La në tokë rrip dhe ushkure.

Shkoi me turp, zvarrë-zvarrë

10.

E tunde Çeço, çe tunde

Ashtu si burrat e parë

Turq, bejler, të gjithë i munde

Dhe shkuan me bisht, ndër shalë

Shtëpia me tulla e Tasi Mitro Tushet (Kristianit), në fshatin Nikas, buzë lumit Seman e përballë Manastirit të Kolkondasit në rrethin e Fierit,  ishte një nga më të mirat e asaj kohe. Kjo banesë iu ble patriotit nikarak Thanas Boçova në vitin 1930-të. Ajo ka qenë një bazë shumë e rëndësishme e patriotëve shqiptar dhe më vonë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Autor i kësaj pikture është (Th. J. Tushe).

Nën hijen e këtij fiku madhështor, pranë odës së miqve, xha Tasi gjatë verës, i ulur këmbëkryq mbi postagjia, kuvendonte shpesh me miq e shok patriot, por edhe me nipër e stërnipër për çdo mbrëmje. Ai u tregonte atyre histori të ndryshme trimërie  rreth babait të tij (Mitros), të fisit të vet atdhetar, por edhe për myzeqar të tjerë nga e gjithë krahina, të cilën e kish bredhur kudo dhe e njihte mjaft mirë.

Nga mesi i muajit janar 1920-të, si luftëtar i çetës së armatosur të Kolkondasit, me urdhër të komandantit  at Kozma Dhima, disa anëtar të saj, midis të cilëve edhe Tasi Tushi, u bashkua me çetën e Pojan-Shën Pjetrës, të drejtuar nga kapedani Llazi Koli Spiro e cila siguroi fizikisht ndërtesën ku zhvilloi punimet Kongresi Historik i Lushnjes. Luftëtari dhe këngëtari ynë me famë, ishte ftuar vet nga Këshilli Organizues i Kongresit, që të  mbronte me forcat e tij të armatosura shtëpinë e patriotit Shaqir Fuga, ku ishin akomoduar 50 delegatët tanë, detyrë luftarake të cilën, ai e realizoi me sukses të  plot.

Po kështu, gjatë këtij viti, ky patriot ishte edhe në krye të aksionit për rekrutimin, grumbullimin, organizimin, trajnimin dhe dërgimin e vullnetarëve myzeqar, kavajas, shijakas, pezak  dhe elbasanas në frontin e luftës, për çlirimin e Vlorës  e cila filloi sapo hyri muaj qershor i vitit 1920-të. Pasi e mbaroi këtë detyrë, Tasi u inkuadrua edhe vet në radhët e batalionit “Myzeqeja”, i drejtuar nga myzeqari trim Llazi Spiro dhe mësonjësi rilindas Jani Minga, duke marr pjesë edhe në luftime gjatë disa betejave të ashpëra, që u kryen në krahun verior të qytetit të Vlorës.

Ndërsa ishte në  front, duke luftuar për çlirimin e këtij qyteti nga kolonizatorët Italian, ai mori edhe lajmin e hidhur  të vdekjes së vëllait të tij të madh, atdhetarit Uani Mitro Tushi (Kristiani).

Kjo ngjarje e rëndë e detyroi atë të kthehet me urgjencë pranë familjes në fshatin Petoshaj, për ti kryer të gjitha nderimet dhe dhënë lamtumirën e fundit këtij mëmëdhetari të  shquar dhe me emër në gjithë zonën e Karatoprakut.

Pasi i bëri të gjitha nderimet dhe e përcolli të vëllain për në banesën e përjetshme, ai i mori  të dy djemtë e  mitur dhe pa prindër të Uanit në shtëpinë e tij, duke i rritur dhe edukuar vet, me traditat dhe zakonet më të mira të kësaj krahine tepër atdhetare. Ai gjithashtu u kujdes shumë  edhe për arsimimin e nipave të tij, duke e dërguar Kostën në maltepen  turke, ndërsa Jorgjin në shkollën shqipe pranë Manastirit të Kolkondasit e hapur qysh në vitin 1908-të, i cili i përfundoi me sukses të plot të gjitha 5-së klasat e saj. Si nxënës i dalluar dhe me sjellje shembullore, Jorgji veç dijeve të admirueshme, që mori, ai përfitoi edhe të drejtën për të vazhduar studime më të larta në Manastirin e Ardenicës, por për arsye ekonomike nuk mundi ti ndiqte dot. Të dy djemtë  e Uanit ecën me guxim dhe krenari në rrugën e babait dhe të gjyshit, duke e nderuar edhe më tepër veprën e tyre, si dhe respektuar xhaxhan e vet, që bëri aq shumë sakrifica për rritjen dhe edukimin e fëmijët të vëllait.

Patrioti Tasi Tushi mbajti një fjalim mjaft të zjarrtë edhe  gjatë varrimit  të shokut e mikut të vet, “Flamurtarit të Pavarsisë” Thoma Aleks Ristani (Nikasi), duke e dënuar ashpër aktin kriminal të helmimit të tij në Hanin e Fierit nga dora kriminale e një  vrastari të paguar prej regjimit antipopullor zogist në vitin 1935-së.

Ai së bashku me disa luftëtar të tjerë të çetës së armatosur të Kolkondasit, i përkrahën fuqishëm vëllezërit e bashkëshortes së këtij pavarsisti, atdhetarët pasanik fierak Janaq, Xoxi e Pali Toska, për të zbuluar dhe vënë  para drejtësisë autorin e kësaj vrasje.

Por meqenëse pas këtij helmimi qëndronin të maskuar tinëz dy dhëndurrët e priftit ortodoks voskopojar papa Kosta Poçi (kunetrit e Marigo Posios), karrieristi falsifikator Kristo Floqi dhe ish kryeministri zogist Koço Kote, i dënuar për shumë vepra të rënda penale e vrasje patriotësh në Shqipëri edhe ky krim nuk u zbulua kurrë dhe ngjarja u cilësua prej tyre si një vdekje natyrale.

Aty rreth vitit 1938-të, me lidhjet e shumta shoqërore që kishte në tërë Myzeqenë, por edhe me anën e një miku të vet nga radhët e bejlerëve, me të cilin më parë kishte pasur një konflikt, ai arriti të punësonte nipin e tij Jorgjin, si punonjës e administrator në magazinat e disa shoqërive të shtetit italian në Myzeqe, ku kishte edhe armatim e municione luftarake.

Jorgji Uani Tushe – (15.11.1914-13.12.1994)

*Mbaruar shkollën(5 klasë) në Manastirin e Kolkondasit.

*Në vitin 1936-1938 ka kryer shërbimin ushtarak 2 vjet në Elbasan.

*Ish zv.administrator i magazinave italiane në Fier.

*Ish shok, bashkpuntor dhe mik me komandantin e “Njësitit Gueril” të qytetit të Fierit dhe i Çetës së Mallakastrës, Pali Spiro Toskës, përkthyesit të aleatëve tanë anglo -amerikan gjatë  Luftës së Dytë Botërore, që kish mbaruar akademinë ushtarake në Modena të Italisë.

*Ish furnizuesi kryesor i çetës partizane të Mallakastrës me armatim, municione e veshmbathje.

*Ish partizan në Brigadën e 19 -të Sulmuese (1943-1944).

*Së bashku me vëllain e tij Kosta Uani Tushe gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë strehuar për më shumë se 5-6 muaj  7-të izraelit(çifut) në shtëpinë e tyre në fshatin Havaleas-Pojan Fier.

*Ish zv. Shef Policie për disa muaj i qytetit të Fierit (1945-së) dhe Komandant Policie) i zonë  së Semanit(1946-1948).

*Ka marr pjesë në luftimet kundër Ushtrisë Monarko-Fashiste Greke gjatë provokacioneve të gushtit më 1949-të, duke drejtuar një kompani.

Me kalin e tij “dori”, herë martinën dhe herë dogran mbuluar në shalë të kalit, koburen në brez, sahatin me kapak në xhep të jelekut ngjyrë kafe prej shajaku, të lidhur me zinxhir argjendi, patrioti trim Tasi Tushi, duke ndjekur gjithmonë rrugën e të atit, ai shkonte 2-3 herë në javë për të pirë kafe në Manastirin e  Kolkondasit dhe për çdo  të premte edhe në atë të Ardenicës. Atje ai kuvendonte me shokët dhe miqët e tij atdhetar të rëndësishëm, për të zgjidhur halle dhe probleme të ndryshme që shqetsonin popullin dhe krahinën e Myzeqesë gjatë atyre kohëve.

Duke jetuar vazhdimisht me ëndërrën që  të kthehej përsëri në Apolloni, në trojet e babait të tij Mitro Kristianit, ai fillimisht rekomandoi  nipat e vet, që të  gjenin ndonjë shtëpi dhe të vendoseshin me banim në Pojan. Aty nga viti 1939-të, të dy djemtë e Uanit , Kosta dhe Jorgji, blenë afër tokave të gjyshit të tyre shtëpinë e bashkëkombësit tonë Myftar Kosova në fshatin Havaleas, i cili u largua për në Mitrovicë  të Kosovës. Kështu Çeçua mendonte dhe punonte, për të përgatitur kushtet, që të vinte sa më shpejt edhe vet në vendlindjen e tij, sapo të krijoheshin mundësitë e përshtatshme, për një lëvizje të tillë.

Në këto momente 2-3 familje në Pojan,  ish shërbëtore të njohura të regjimit osman dhe atij zogist, që kishin spiunuar e ndihmuar edhe në arrestimin e dënimin e Mitro Kristianit, u përpoqën shumë, që të mos i lejonin nipat e tij, që të stabilizoheshin në këtë fshat.

Me autoritetin e tij të madh, influencën dhe mbështetjen e shokut të vet, patriotit të pasur Trifon Toska, ai u dërgoi një haber të fort këtyre ish hyzmetçinjve të Anadollit e Zogollit,   të cilët u strukën  menjëherë, para se mund të merrnin ndonjë përgjigje të ashpër e plotsisht të meritueshme.

Kapedani ynë Çeço, i shquar edhe si antizogist, u lidh shumë ngushtë edhe me Luftën Nacionalçlirimtare, duke e kthyer shtëpinë e tij në Nikas, në një bazë të rëndësishme të saj.

Aty nga viti 1941, në Fier mbrriti edhe miku i tij, atdhetari fierak Pali Spiro Toska, që kishte mbaruar akademinë ushtarake në Modena të Italisë. Ai qëndronte në ilegalitet, se mund të arrestohej e dënohej, pasi kishte refuzuar thirrjen e Romës që ti bashkohej ushtrisë fashiste italiane për pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939-të.

Në këto kohë mjaft të vështira, xha Tasi i intensifikoi edhe më tepër lidhjet e tij me oficerin e lartë myzeqar, që kishte krijuar dhe “Njësitin Gueril Antifashist” në qytetin e Fierit, të cilin e drejtonte vet. Nëpërmjet nipit të tij Jorgji, të punësuar në depot italiane, patrioti Tasi Tushi dha një ndihmesë të madhe edhe për furnizimin me armë e municione të këtij njësiti. Ky ushtarak patriot organizoi shumë aksione të rëndësishme kundër okupatorëve  të  Romës në rrethin e Vlorës, Fierit dhe tërë krahinën e Myzeqesë.

Shumë atdhetar, luftëtar dhe partizan myzeqar kanë treguar se, si rezultat i intensifikimit të lëvizjes antifashiste dhe i shtimit të radhëve të njësitit gueril me anëtar të rinj trima e guximtar, komandanti Pali Toska, për interesa strategjike dhe ushtarake e la Fierin dhe u vendos në zonën kodrinore e malore të Patosit e Margëlliçit.

Si një lider ushtrie me përvojë, njohës  i mirë i doktrinës së saj, i kapaciteteve ushtarake , që fashistët italian kishin dislokuar në Shqipëri dhe i situatës që ekzistonte në ato momente, ai mendoi se kishte ardhur koha e ngritjes së strukturave tona të mëdha  ushtarake.

Kështu, me iniciativë të tij, së bashku edhe me disa luftëtar të tjerë trima guerilas, nga Myzeqeja, Berati, Skrapari  e Mallakastra, në fillim të muajit shkurt 1943, ata vendosën dhe krijuan edhe çetën e Mallakastrës.

Për  një periudhe kohe prej disa muajsh, ai e drejtoi vet këtë çetë si komandant i saj, ku u kryen edhe disa aksione e beteja tepër të rëndësishme kundër pushtuesve Italian, të cilat shkaktuan një panik të madh në radhët e tyre. Me krijimin e Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare Shqiptare thuhet se, kapiteni Pali Toska kaloi shpejt pranë shtabit të forcave  aleate anglo-amerikane, si specialist ushtarak dhe përkthyes i tyre deri në çlirimin e Shqipërisë.

Po kështu atdhetari Tasi Tushe, së bashku me nipin e tij Jorgji Tushe, dhanë një kontribut mjaft të rëndësishëm edhe në furnizimin e kësaj çete, duke ngarkuar në fshehtësi karvane të tëra në depot italiane me armë, municione e veshmbathje për fuqizimin e saj.

Pas disa muajsh aktivitet, veprimtaria e fshehtë antifashiste e Jorgjit u diktua, por në saj të informacionit në  kohë, që kishte siguruar xha Tasi, ai i shpëtoi arrestimit të tij, duke kaluar në  radhët e kësaj  çete dhe më vonë në Brigatën partizane të 19-të Sulmuese.

Në shenjë hakmarrje fashistët italian, gjatë verës së vitit 1943 i dogjën Jorgjit edhe kasollen me bagëti në fshatin Havaleas të Pojanit.

Ndërsa hordhitë e Duçes ishin duke shijuar të gëzuar pasojat e këtij  akti kriminal rreth flakëve të zjarrit, papritur filluan të shpërthenin qindra fishek e municione të fshehur në kashtën e çatisë, që i detyruan ata  t’ia mbathnin vrapit të tmerruar e zhytur në panik, për të shpëtuar kokën nga breshëria e plumbave.

Ky akt sulmi, kaq brutal në fillim, dhe po aq  komik në fund, veç urrejtjes shkaktoi edhe të qeshura pafund në radhët e fëmijëve, grave e të moshuarve të fshatit, të cilët vështronin nga larg prej pyllit të kodrës në jug, që vazhdonte të zgjatej deri përtej Apolonisë.

Duke u larguar nga sytë këmbët prej vendit të krimit, ku vazhdonte ende shkrepja e fishekëve prej zjarrit, njëri nga këmishëzinjtë italian u shtri përdhe i plagosur, të cilin e morën menjëherë në krah disa fashist të tjerë dhe  me shpejtësi u larguan drejt Radostinës (Ujëmirës), për në qytetin e Fierit.

Rrapi Tasi Tushe

*Patriot,

*Ish partizan i Brigadës së 8-të Sulmuese.

*Kuadër drejtues në rrethin e Fierit.

Pas kësaj ngjarje, xha Tasi dërgoi partizan edhe djalin e tij të madh Rrapin, për të dhënë edhe ai kontributin e tij në luftën e lavdishme Nacionalçlirimtare kundër okupatorëve nazi-fashist. Ai u inkuadrua në rreshtat e Brigadës së 8-të Sulmuese, duke luftuar me armë në dorë si partizan i saj, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë kufijve të Atdheut, për çlirimin e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës.

Edhe pas çlirimit të vendit nga nazifashizmi, Tasi Tushi, ndonëse në moshë të thyer, ai e vazhdoi aktivitetin  e tij patriotik, duke dhënë ndihmesën e vet së bashku me mjaft atdhetar të tjerë, në zgjidhjen e shumë problemeve që shtronte situata në atë periudhë tepër kritike, kur vendi sapo kishte dalë totalisht i djegur dhe shkatërruar nga lufta.

Ai ndodhej gjithmonë në ballë të aksioneve të ndryshme, për kryerjen e reformave  të nevojshme, që kërkonte ndryshimi i gjendjes së rënduar dhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror, arsimor e shëndetësor i zonës së Libofshës.

Aty nga viti 1945-së, nipi i tij Jorgji Tushe, për merita gjatë luftës, si ish komandant i një kompanie të Brigadës së 19-të Sulmuese, dhe kuadër i arsimuar për  atë kohë, u emërua zv. Shef i Policisë në qytetin e Fierit. Pas një muaj e gjysmë në këtë detyrë të lartë dhe me shumë përgjegjësi, megjithëse puna e tij ishte vlerësuar shumë e mirë, por krejt papritur, ashtu si shumë kuadro të tjerë myzeqar, ai shkarkohet nga ky funksion pa asnjë lloj shkaku e motivacioni.

Në vend të tij emërohet një person i pa arsimuar nga Mallakastra, i cili erdhi pak me vonesë në krye të policisë, kur mbaroi kursin një  mujor të zhdukjes së  analfabetizmit në këtë qytet. Një veprim i till ngjalli nervozizëm, pakënaqësi e indinjatë të  thellë, jo vetëm në stafin drejtues dhe masën e policisë , por edhe te xhaxhai i tij Tasi Tushi. i cili kur e mësoi një lajm të tillë, vuri koburen në brez, i hipi dorisë dhe u nisë për në Fier.

Luftëtari ynë trim, u tregoi edhe një herë dallkaukëve servil të klanit të Mehmet Shehut, që ishin vendosur kudo, në të  gjitha postet drejtuese të këtij rrethi, se kush qe Çeçua, kur e kishte hedhur pushkën krahut, kundër turkut e fashizmit, cili ishte nipi i vet guerilas dhe partizan Jorgji, por edhe i ati i tij, heroi i Apollonisë Mitro Kristiani.

Gjatë kësaj periudhe, shumë kuadro vendas fierak, të arsimuar e përgatitur, u injoruan dhe mënjanuan nga shërbëtorët e verbër të këtij diktatori famëkeq, të cilët u detyruan ta braktisnin krahinën e vet dhe largoheshin për në rrethe të tjera, kudo që mundën të siguronin ndonjë punë, sa për të mbajtur familjet e tyre.

Një haraç të tillë paguan edhe intelektual të shquar si Llaqi Jano nga Libofsha, që u vendos Lushnje,  Sokrat Bufi, ushtaraku i lartë Pali Toska dhe qindra e qindra të tjerë, disa prej të cilëve ka dyshime të mëdha, se u eliminuan edhe fizikisht prej katilit të Çorrushit, që kishte alergji ndaj myzeqarëve dhe donte të bënte dallime midis krahinave të vendit.

Pas ankesës së Tasit më 1946-të, Jorgji mobilizohet përsëri si ushtarak dhe emërohet Komandant  Policie i Lokalitetit të Semanit,( një nga 5 zona të tilla që kish ky rreth në atë kohë), si Libofsha, Rockoveci, Levani dhe Cakrani, ku puna e tij u vlerësua  përsëri mjaft e mirë.

Nga fundi i vitit 1948-të , pas dy vjetësh pune në këto  organe, me urdhër të veçantë nga lartë, oficeri Jorgji Tushe shkarkohet përsëri nga kjo detyrë, por këtë radhë me motivacionin për kleçka në biografi, ku ndër të tjera thuhej:

  1. -Figuron si  lidhje miqësore e ushtarakut të lartë Pali Spiro Toska, ish përkthyes i aleatëve tanë anglo-amerikan dhe komandant i artilerisë bregdetare të Shqipërisë, vrarë në rrethana të dyshimta në Vlorë më 7 maj 1947-të dhe vëllezërve të tij, të interrnuar në Tepelenë.

2. -Vëllai i burrit të hallës  Marie Ikonomi, nga Fieri, që jeton në Boston (të USA-s) ka ardhur për urim te Jorgji, gjatë një vizite që kishte bërë në Shqipëri më 1940-të.

3. -Është lidhje shoqërore e bejlerëve cakranjot, Hysen Bej Cakranit.

Për të kompensuar disi indinjatën e thellë që shkaktoi largimi i Jorgjit dy herë nga strukturat e policisë së shtetit, çobanët e dhive, miq, shok dhe të afërm të sulltanit të Çorrushit  të instaluar në Fier, i dhanë një punë të thjeshtë djalit të arsimuar të këtij patrioti, ish partizanit Rrapi Tushi. Edhe ky pinjoll i kësaj familje myzeqare tashmë të njohur, u dallua  mjaft gjatë punës së tij si një drejtues i zoti, duke u shquar për organizim, përkushtim, korrektësi, ndershmëri e drejtësi në  kryerjen e të gjitha detyrave që  ju ngarkuan, emri të i cilit përmendet edhe sot me respekt nga  populli i zonës së Karatoprakut.

Sotir Tasi Tushe

Si një shtëpi e fis patriotësh, ai së bashku me të vëllain e tij Sotir Tushe, e vazhduan  dhe më tej traditën e tyre familjare, duke qëndruar gjithmonë të armatosur, por edhe aktivitetin patriotik në shërbim të popullit të asaj treve, derisa u ndanë nga kjo jetë.

Ashtu si dhjetëra e qindra atdhetar të tjerë myzeqar edhe figura e  ndritur e babait të tyre, luftëtarit Tasi Mitro Tushe, nuk u vlerësua kurrë nga historianët tanë naiv, që mbetën vazhdimisht skllav të preferencave e dallimeve krahinore dhe servil të drejtuesve të lartë të Partisë e të shtetit të atëhershëm, të etur për lavdi personale, që i pëlqenin dhe i stimulonin shumë veprime të tilla.

Një nënvleftësim i tillë permanent i patriotëve, intelektualëve dhe kuadrove myzeqar zgjati për shumë kohë, duke vazhduar edhe pas vetëvrasjes së  ish kryeministrit shqiptar më 1981, e këtij  diktatori të egër ekstremist, që përgjaku të gjithë Shqipërinë.

Ky veprim i papërgjegjshëm, tashmë i kthyer në një fenomen negativ, që ndryshe mund të quhet edhe fyerje e diskriminim, duhet të marr fund përgjithmonë, sepse ai po vazhdon edhe sot, ku drejtuesit dhe deputetet e këtij rrethi me shumë peshë e kontribute të mëdhaja në gjithë jetën e vendit, qeveritarët e Tiranës, po na i sjellin ende që nga krahina të tjera.

Duke parë qëndrimin nënvleftësues, të strukturave të shtetit tonë të atëhershëm, që e lanë në harresë historinë e Myzeqesë dhe aktet e shumta heroike të popullit të saj, kapedani ynë pojanak “Çeço”, u la amanet djemve dhe nipave të vet, që ta kujtonin vazhdimisht brez pas brezi të atin e tij, mësonjësin e ndritur klerik, heroin Mitro Kristiani, për të mos mbetur në errësirë kontributi patriotik i familjes së tij, që të humbiste përgjithmonë.

Me këtë merak dhe porosi, ky luftëtar i njohur u nda nga jeta më 30 qershor 1960-të, duke shpresuar se, një ditë dikush nga pasardhësit e tij, do ta zbardhet sado pak në letër këtë ngjarje trimërie, por edhe aktivitetin e tij në shërbim të popullit dhe të çështjes tonë kombëtare.

Tani atdhetari ynë pojanak Tasi  Tushe, le të prehet i qet, sepse amaneti i tij për rilindësin tonë Mitro Kristiani, që mbrojti  Apolloninë me gjakun e vet dhe ndaloi ngritjen e një xhamie turke në fshatin Pojan u krye, i cili do të kujtohet e nderohet gjithmonë me respekt nga gjeneratat tona të ardhshme, së bashku me aktivitetin e tij patriotik.

Kjo monografi, mbi jetën dhe veprimtarinë e  luftëtarit Tasi Mitro Tushi, u shkrua mbi bazën e kujtimeve të rrëfyera nga vet ai gjatë viteve 1955-1960, tregimeve të nipit Jorgji Uani Tushe(1994), djemve Rrapi e Sotir Tasi Tushe (1972, 1983, 2006), ish partizanit Todi Thoma Ristani (2006-të) dhe disa myzeqarëve të tjerë të zonës së Karatoprakut e të Pojanit.

Nga:

Themi J. Tushe

New York-Kingston-Connecticut.

January 13,  2026.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Ballkanit, Valentin Serebe ishte shumë afër largimit nga…