Taulant Xhaka: Ëndrra ime është të luaj përsëri me Granitin

06 mars 14:36

Taulant Xhaka ka zbuluar se dëshiron të bashkohet me vëllain, Granitin, në të ardhmen, ndërsa thotë se ëndrra e mesfushorit të Arsenalit është të kthehet një ditë te Basel.

Taulanti, 26-vjeçar, luajti kundër vëllait të tij më të vogël, kur “topçinjtë” u ndeshën me Baselin në Ligën e Kampionëve, sezonin e kaluar. Të dy ishin vënë kundër njëri-tjetrit në fushën e blertë edhe më parë, në “Euro 2016”, me Xhakën më të madh që përfaqësonte Shqipërinë dhe Granitin, duke luajtur për Zvicrën. “Unë dëgjohem me Granitin katër herë në javë. Ne flasim për gjëra të përgjithshme, jo vetëm për futbollin. Gjithashtu, e bëj këtë edhe për shkak se është në një fazë të vështirë me Arsenalin. Ne shkëmbejmë këshilla, si dhe kritika për të përmirësuar veten. Ai më ndihmon dhe unë e ndihmoj. Ne jemi lojtarë të ndryshëm. Graniti është teknikisht më i fortë se unë, por trajnerët duhet të gjykojnë pjesën tjetër. Nuk është kaq e lehtë për t’i parë lojërat e Granitit, sepse shpesh luaj edhe të shtunën. Kur kam kohë, përpiqem të shikoj çdo lojë, ku luan Graniti”, ka thënë Taulant Xhaka për “Goal.com”. “Po, nëse jo tek Arsenali, atëherë ndoshta te Baseli, kur të kthehet në Zvicër. Ëndrra ime është të luaj sërish me vëllain tim. Por, nëse kjo ndodh tek Arsenali, ose Baseli, nuk ka rëndësi. Besoj se ai dëshiron të kthehet në Basel në fund të karrierës së tij, sepse u rrit këtu. Baseli është ekipi i tij i preferuar. Kur ka dy ditë pushimi, ai vjen në Basel dhe viziton miqtë dhe familjen e tij. Ekziston një lidhje shumë e fortë”, ka deklaruar Xhaka.

Duke iu referuar pjesëmarrjes së tij në Ligën e Kampionëve, Taulant Xhaka kujton: “Ky kompeticion ka shumë momente të bukura. Natyrisht, më pëlqen të kujtoj debutimin në “Old Trafford”, ndaj Manchester United, ku barazuam 3-3. Të jesh në gjendje ta përjetosh këtë, së bashku me Granitin, në të njëjtën ekip, do të ishte një përvojë shumë e bukur për ne. Si fëmijë kalonim 24 orë bashkë”.
Baseli do të përballet me Manchester City, në stadiumin “Etihad”, në ndeshjen e dytë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, të mërkurën, duke ardhur nga disfata zhgënjyese 4-0 në “St Jakob-Park”. “Për mua, Manchester City është aktualisht skuadra më e mirë në Europë, veçanërisht për shkak të Guardiolës, – shton Taulant tha Xhaka. – Ata gjithmonë duan të luajnë, kjo është mbresëlënëse. Aftësitë e tyre dribluese dhe prania fizike janë të klasit botëror. Kevin De Bruyne dhe Ilkay Gündogan ishin kundërshtarët e mi të drejtpërdrejtë në mesfushë. Ju vetëm mund të mësoni nga lojtarë të tillë, ata janë modele në rolin tim. Ne nuk luajtëm kaq keq në ndeshjen e parë. Manchester City kishte pesë goditje, por katër prej tyre përfunduan në rrjetë. Për momentin jemi në një situatë të vështirë, nga e cila duhet ta çlirojmë veten. Nëse Manchester City vazhdon të luajë në këtë mënyrë, atëherë patjetër mund ta fitojë Ligën e Kampionëve. Por, ju nuk duhet të harroni klubet e mëdha, si Real Madrid dhe Barcelona, të cilët janë, gjithashtu, në mesin e favoritëve më të mirë për mua. Sezoni aktual nuk është siç e kemi imagjinuar, deri më tani. Në kampionat, Young Boys është 11 pikë përpara, por ne kemi një ndeshje të prapambetur. Sezoni vazhdon akoma, janë edhe 12 ndeshje, ndaj mendoj se gjithçka është e mundur”.
Vështirësitë e Baselit në ligën e tij të brendshme mund të krahasohen me ato të Arsenalit, i cili ka rrëshqitur më tej në garën e Premier League, me një humbje ndaj Brighton, duke rritur presionin ndaj trajnerit ArseneWenger.

Taulant Xhaka ka deklaruar: “Ka faza të mira dhe të këqija në futboll. Shumë prej nesh nuk e kanë përjetuar ende një fazë të tillë. Duhet të shikojmë nga ndeshja në ndeshje dhe vetëm të përpiqemi të luajmë mirë. Por, është e vështirë të thuhet se cilat janë problemet. Unë mendoj se ne duhet ta gjejmë njëri-tjetrin për herë të parë. Ne kemi disa lojtarë të rinj, që kanë nevojë për ca kohë, derisa të përshtatet çdo gjë. Sezoni është ende i gjatë, kështu që gjithçka është e mundur. Ne jemi Baseli, klubi më i mirë në Zvicër. Unë nuk pres që Young Boys t’i fitojë të 12 ndeshjet e mbetura, ata gjithashtu do të pengohen dhe pastaj ne duhet të marrim rastin tonë. Përveç kësaj, ne luajmë dy herë drejtpërdrejt kundër tyre, gjë që, gjithashtu, mund të jetë një avantazh”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, prof. dr. Ramë…