Tërnava: Pezullimi i namazeve, i dhimbshëm por, i domosdoshëm

30 korrik 22:43

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka deklaruar se vendimi për pezullimin e namazit të Kurban Bajramit dhe të namazeve të tjera nëpër xhami për dhjetë ditë me radhë ka qenë vendim i dhimbshëm por, i domosdoshëm. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se për këtë vendim kërkon mirëkuptimin e besimtarëve dhe të popullatës në përgjithësi. Tërnava ka bërë me dije se rëndimi i gjendjes epidemiologjike në ditët e fundit e ka shtyrë BIK-un që t’i rishqyrtojë vendimet e veta. “Ky vendim për ne ka qenë vendim i dhimbshëm, por i domosdoshëm, andaj kërkojmë edhe mirëkuptimin e besimtarëve dhe të popullatës në përgjithësi. Ritheksoj, rëndimi i gjendjes epidemiologjike në ditët e fundit dhe shtimi i numrit të të infektuarve na ka bërë që t’i rishqyrtojmë vendimet tona”, ka thënë Tërnava.

“Epoka e re”: Z. Tërnava, të hënën keni marrë një vendim për faljen e namazit të Kurban Bajrami me disa kufizime, ndërsa një ditë më pas qeveria ka marrë vendim për t’i shtrënguar masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Me këto masa, a ndalohet falja e namazit të Kurban Bajramit?
Tërnava: Ne si kryesi patëm përgatitur një protokoll, në të cilin parashiheshin masat me të cilat do të falej namazi i Kurban Bajramit, mirëpo rëndimi i gjendjes epidemiologjike në vend ka bërë që ne sot ta shqyrtojmë vendimin e së hënës dhe, në funksion të ruajtjes së shëndetit publik të qytetarëve tanë, morëm vendim për pezullimin e namazeve nëpër xhamitë e Kosovës për 10 ditët e ardhshme, që nënkupton edhe anulimin e faljes së namazit të Kurban Bajramit. Ky vendim për ne ka qenë i dhimbshëm por, i domosdoshëm, andaj kërkojmë mirëkuptimin e besimtarëve dhe të popullatës në përgjithësi. Ritheksoj, rëndimi i gjendjes epidemiologjike në ditët e fundit dhe shtimi i numrit të rasteve të të infektuarve na ka bërë që t’i rishqyrtojmë vendimet tona.

“Epoka e re”: Simbol i kësaj feste është prerja e kurbanit. A ndryshon diçka në kohë pandemie procesi i therjes së kurbanit?
Tërnava: Kurbani është ibadet dhe traditë e pejgamberëve që bëhet për hir të Krijuesit. Kurbani në vete është simbol i sakrificës, solidaritetit e humanizmit, mbi të gjitha është ibadet që bëhet për Krijuesin e gjithësisë. Ne si çdo vit edhe këtë herë kemi organizuar aksionin për grumbullimin e mjeteve për therjen e kurbaneve që do të bëhet në thertoret e licencuara e të specializuara për këtë ibadet.
Në të gjitha xhamitë e Kosovës dhe në selitë e këshillave vendore besimtarët tanë mund ta bëjnë porosinë për therjen e kurbanit, çka do të thotë se nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket organizimit të therjes së kurbaneve.

“Epoka e re”: Siç dihet, për festa të bajramit vizitat në farefisi janë të pashmangshme. Meqenëse në kohë pandemie këto vizita nuk janë të preferuara, cili është mesazhi juaj për besimtarët?
Tërnava: Festat fetare te ne, e sidomos festat e bajramit, janë festat më popullore ngaqë këto janë të shtresuara thellë në kulturën dhe traditën tonë, përmes të cilave manifestohet kënaqësia shpirtërore për kryerjen e obligimeve hyjnore. Si në asnjë festë tjetër, festa e bajramit shoqërohet me vizita te familja, farefisnia e miqësia, gjë që duhet kultivuar e praktikuar, mirëpo jo edhe kësaj radhe. Andaj i ftoj të gjithë që për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit, t’i shmangim vizitat, ta shmangim përshëndetjen tradicionale të bajramit me dorë e përqafime, si dhe t’i shmangim tubimet e shumë njerëzve, qoftë në ambiente të hapura apo të mbyllura.

“Epoka e re”: Ditë më parë ka nisur ndërtimi i xhamisë së madhe në qendër të Prishtinës. Çfarë do të thotë kjo për besimtarët myslimanë dhe brenda çfarë periudhe kohore pritet të përfundojë ndërtimi i saj?
Tërnava: Siç e keni parë, ditë më parë ka nisur puna për përgatitjen e terrenit për fillimin e ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë për besimtarët tanë, por edhe për BIK-un ky është një çast i veçantë me të cilin po fillon realizimi i një projekti të kamotshëm e të domosdoshëm për ne dhe për të gjithë besimtarët tanë.

 “Epoka e re”: Pas fillimit të ndërtimit të kësaj xhamie kemi parë disa kundërshtime, madje edhe një protestë kundër ndërtimit të këtij objekti fetar. Cili është komenti juaj për këto kundërshtime?
Tërnava: Nuk do të thosha kundërshtime, as protestë. Njerëzit kanë të drejtë t’i japin mendimet e tyre, ne jemi shoqëri demokratike, nuk kemi mendim uniform, mirëpo ndërtimi i xhamisë ka mbështetjen e popullatës dhe besimtarëve tanë. Edhe ata që kanë mendim ndryshe i ftoj që të mendojnë pa paragjykime, sepse xhamia do të jetë një shtëpi ku i bëhet adhurim Krijuesit të gjithësisë. Objektet fetare te ne historikisht kanë qenë në funksion të fisnikërimit e edukimit të popullatës. E tillë do të jetë edhe Xhamia Qendrore e Prishtinës. Me hair e mbarësi festa e Kurban Bajramit! Uroj që sa më parë ta kalojmë pandeminë, t’i kthehemi normalitetit dhe festat e tjera t’i festojmë në mënyrë dinjitoze.

Muhamet Koci, Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka uruar dhe falënderuar deputetët…