Të dënuarat e këtij procesi gjyqësor

22 nëntor 2018 | 11:47

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

(Procesi gjyqësor i Prizrenit më 1946 sipas dokumenteve të gjykatave ish-jugosllave. Para trupit gjykues dolën 34 patriotë të cilëve gjyqi ua shqiptoi dënimet: gjashtë veta i dënoi me pushkatim, të tjerët me vite të shumta burg) /28/

(Sqarim: Shkrimi në vazhdim botohet pa i bërë redakturë gjuhësore pasi është i shkruar si në dokumentet origjinale)

Pasi se grupi i Halim Spahisë ishte dënuar me vite të mëdha dënimi, një gjë e tillë pritej edhe për atdhetaret e devotshme të Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar.

  1. E dënuara e parë ishte Laura Shmani, e cila ishte e lindur në Parma, provinca Emilija- Itali. Babai i saj quhej Ugo dhe nëna Luçije, e lindur Furije. Kur u arrestua ishte e moshës 25 vjeçare. Ishte e martuar për Ali Rizën dhe së bashku me të jetonte në Prizren. Me profesion ishte shtëpiake, me kombësi italiane. I takonte besimit katolik. Ishte nënë e një fëmije. Gjendjen ekonomike e kishin të rëndë. Deri në ditën që u arrestua ishte e pa dënuar.
  2. Nesibe Zhuri, ishte një aktiviste e madhe e cila ishte angazhuar me shpirt për çështjen e pazgjidhur kombëtare. Në kohën kur u arrestua ishte 17 vjeçe. Ishte e bija e Hysenit dhe nënës Fatime. Ishte e lindur në qytetin e Prizrenit dhe aty jetonte e punonte. Me kombësi shqiptare e besimit mysliman. Në kohën kur u arrestua ishte nxënëse e gjimnazit të qytetit. Ishte e pa martuar dhe e pa dënuar.
  3. Gjyljana Mateja, kishte lindur në Prizren, në kohën kur u arrestua ishte 18 vjeçe. Ishte e bija e Tomës dhe nënës Paulinë, e lindur Kola. Me profesion ishte rrobaqepëse, shqiptare me besimin katolik. Ishte e pamartuar, dhe kishte një gjendje të rëndë ekonomike. Deri sa organet e ndjekjes e arrestuan më parë nuk kishte qenë e dënuar.
  4. Luqije Bashota në kohën kur u arrestua ishte në moshën 17 vjeçare. E lindur në Prizren, nga babai Luz dhe nëna Mrika, e lindur Luzi. Ishte nxënëse e gjimnazit në qytet dhe ishte shqiptare e besimit katolik. Ishte e pa martuar. Familja e saj kishte një gjendje të mesme ekonomike. Ishte e pa dënuar më parë.
  5. Roza Mjeda, ishte e lindur në Prizren nga babai Kristë dhe nëna Çiçile, e lindur Jaku. Në kohën kur u arrestua ishte 18 vjeçe. Merrej me rrobaqepësi. Ishte shqiptare e besimit katolik. Ishte e pa martuar dhe e pa dënuar. Familja e saj kishte një gjendje të mesme ekonomike.
  6. Roza Cuki, ishte lindur në qytetin e Prizrenit, nga babai Ndreka dhe nëna Çeçilie e lindur Shahuni. Ishte e moshës 21 vjeçare kur u arrestua. Kryente punët e shtëpisë dhe ishte angazhuar në Komitetin Nacional-Demokratik Shqiptar. Ishte shqiptare dhe kishte besimin katolik. Ishte e pa martuar dhe e pa dënuar. Vinte nga një familje mesatare e kamur.
  7. Mane Shyti, e lindur në Katundin e Ri, komuna e Gjakovës nga babai Shyti dhe nëna Gjyle. Në kohën kur iu shqiptua dënimi ajo jetonte në Prizren. Në kohën kur u arrestua Manja ishte 15 vjeçare. Merrej me punë të shtëpisë. Ishte shqiptare e besimit katolik. E pa martuar dhe e pa dënuar deri në ditën e arrestimit. Vinte nga një familje me gjendje të dobët ekonomike.
  8. Çeçilija Krasniqi, ishte e lindur në Prizren nga babai Kolë dhe nëna Rozë. Në kohën kur u arrestua ishte 23 vjeçare. Shqiptare e besimit katolik. Me profesion ishte shtëpiake. Ishte e pa martuar dhe e pa dënuar. Familja e Çeçiljes kishte gjendje të rëndë ekonomike.
  9. Mrika Gjoka ishte nga Prizreni nga babai Prenga dhe nëna Marije e lindur Marku. Kur u arrestua i kishte 19 vjeç. Merrej me punë të shtëpisë. Ishte shqiptare e besimit katolik. E pa martuar dhe e pa dënuar më parë.

Gjykata Popullore Krahinore  më 23 tetor 1945 të gjitha këto i shpalli fajtore, duke i akuzuar se në muajin maj 1945, ato në bashkëpunim me grupin e Halim Spahisë dhe me atdhetarët e tjerë që ndodheshin në arrati, fillimisht ishin anëtarësuar në radhët e NDSH-së, duke dhënë betimin para anëtareve të Komitetit Qendror të NDSH-së, në Prizren, e më vonë kishin formuar Komitetin e femrave të NDSH-së, po në këtë qytet.

Aktiviteti i tyre gjatë këtyre muajve kryesisht ishte përqendruar në atë se ato ishin aktive në mbledhjen e informatave për lëvizjen dhe aktivitetin e ushtrisë jugosllave, duke iu mundësuar atdhetarëve se në çfarë drejtimi dhe në cilat rajone munden me u strehuar dhe ku mund të zhvillonin më sigurt aktivitetin ilegal të tyre. Bile, bile dallohet aktiviteti i pamohueshëm i Laura Shmanit e i Nesibe Zhurit, të cilat në mënyrën më të mençur kanë ditur dhe kanë gjetur rrugët më të përshtatshme për t’u takuar me ilegalen jashtë qytetit, vetëm e vetëm për të përcjell informatat që i kishin mbledh në terren.

Gratë shqiptare që ishin të angazhuara në ilegale në përgjithësi, e në veçanti dalloheshin Laura Shmani, Nesibe Zhuri, Gjuljana Mateja, Luçija Bashota, Roza Mjeda, Roza Cuku dhe shumë të tjera që ishin të organizuara për mbledhjen dhe grumbullimin e ndihmave materiale, po ashtu edhe në sigurimin e armatimit të nevojshëm për ta. Sipas të dhënave që na i ofron aktgjykimi i tyre, thuhej se gjatë kësaj periudhe, ato për Komitetin Qendror të NDSH-së, kishin arritur që të blinin dhe nëpër mes korrierëve t’iu dërgonin tri revole me municion, pesë bomba, një makinë shkrimi, një sasi të madhe sapunë, veshmbathje dhe gjëra të tjera që ishin të domosdoshme për të arratisurit në male.

Formimi i Komitetit të grave në Prizren

Grupi i grave të akuzuara, sipas aktgjykimit, thuhej se ato gjatë muajit maj dhe qershor kishin rënë në kontakt me grupet e arratisura në mal, të cilët nuk ishin pajtuar me një status të Kosovës që të ngel nën okupimin serb. Ato, me një vetëdije të lartë kishin marr detyra dhe i kishin kryer ato me përpikëri duke iu ndihmuar atyre me informata të rëndësishme që kishin mbledhur në terren dhe nëpër mes korrierëve i kishin përcjell atyre në mal, por, herë pas here ato edhe vetë kishin shkuar për t’iu dërguar materiale të ndryshme.

Duhet cekur se Laura Shmani, Nesibe Zhuri, Gjyljana Mateja, Luçije Bashota, Roza Mjeda dhe Roza Cuku, në fillim të muajit maj të vitit 1945, ishin takuar me Sefedin Hajredinin, i cili në atë kohë jetonte legalisht në Prizren, por vazhdimisht kishte qenë si lidhje e besueshme e të arratisurve me qendrën dhe me ndihmën e tij ishte formuar Komiteti i Grave të NDSH-së në Prizren.

Pas formimit të Komitetit nga lidhje të caktuara merr vesh se ishte zbuluar për aktivitetin e bërë. Nga qendra merret qëndrimi që ai urgjentisht duhej të largohej nga qyteti dhe të fillojë një jetë ilegale. Megjithëse kishte ikur Sefedin Hajredini, gratë e angazhuara në Komitet nuk e ndërprenë punën, por përkundrazi aktiviteti i Komitetit çdo ditë e më tepër shtonte aktivitetin. Ato, gjatë veprimtarisë së Komitetit mbajtën shumë mbledhje, në të cilat u diskutonte gjatë e shtruar për situatën politike në Kosovë dhe për okupimin e ri që po e aplikonte Serbia mbi Kosovën.

Në një mbledhje, që ishte e një rëndësie të veçantë, Laura Shmani dhe Nesibe Zhuri kishin folur për organizimin, rëndësinë dhe detyrat e komitetit të grave. Po në këtë takim të gjitha anëtaret e pranishme kishin bërë betimin për besnikëri ndaj komitetit dhe ndaj idealeve të tyre.

Betimi i dhënë para anëtareve kishte këtë tekst :“Betohem në flamurin tonë shqiptar që do të punojmë për lirinë tonë dhe që do të luftojmë në të gjitha anët kundër partizanëve dhe kurrë nuk do e tradhtojmë idenë tonë”. Pasi të gjitha në mënyrë solemne japin betimin, po ashtu në këtë mbledhje zgjidhet Këshilli i  Komitetit, i cili kishte për detyrë të jepte direktivat për punën e mëtejshme të Komitetit dhe të angazhohej për të mbledhur dhe marr informata për situatën në terren.

Për kryetare të Komitetit ishte zgjedhur Gjulijana Mateja, për sekretare ishte propozuar dhe zgjedhur Luçije Bashota, për arkëtare të Komitetit ishte zgjedhur Nesibe Zhuri, ndërsa Laura Shmani ishte angazhuar që me anën e korrierëve  t’i dërgoj materialet e mbledhura të arratisurve në male. Roza Mjeda dhe Roza Cuki ishin angazhuar që në mënyrën më konspirative  të grumbullonin informata dhe ndihma të tjera për t’iu dorëzuar Laura Shmanit.

Sipas të dhënave, konstatohej se Nesibe Zhuri, Gjulijana Mateja, Luçije Bashota dhe Roza, qysh në pranverën e vitit 1944, kishin rënë në kontakt me nacionalistët shqiptarë dhe kishin pranuar të punojnë në Organizatën ilegale, ngase për grumbullimin, shpërndarjen dhe organizimin në kushte në çfarë vepronte organizata, më të përshtatshmet ishin gratë, andaj edhe në një mbledhje që kishte mbajtur prof. Ymer Berisha para ilegales, kishte kërkuar që sa më shumë gra të angazhohen në ilegale. Ato me punën e tyre kishin dëshmuar se janë atdhetare të devotshme, dhe se me konsekuencë kryejnë të gjitha punët në të cilat angazhohen. Gjatë kësaj periudhe ato pa u trembur fare nga rreziku që iu kanosej në çdo hap, kishin bërë shumëzimin e materialit propagandistikë, kishin qëndisur flamuj kombëtarë shqiptarë dhe rreth vetes kishin grumbulluar një numër të konsideruar vajzash, të cilat ishin të gatshme që të punonin për organizatën.

Dënimet e shqiptuara

 Gjykata Popullore, më 23 tetor 1945, të gjitha të lartpërmendurat i akuzonte në bazë të nenit 6 të ligjit mbi fajet kundër popullit dhe shtetit në lidhje me nenin 1, pika 10 e 9 dhe nenit 8, alineja 1, të ligjit mbi llojin e dënimeve dhe ligjit mbi konfiskimin e pasurisë dhe ekzekutimin e konfiskimit.

  1. Laura Shmanit iu shqiptua dënimi me humbje lirie prej 5 vitesh burg të rëndë dhe me punë të detyrueshme në vazhdim prej pesë vjetësh. Dënohej me humbjen e të drejtave politike e disa qytetare me përjashtim të tyre prindërore në vazhdim prej 5 vjetësh, aq sa iu kishte llogaritur pas vuajtjes së dënimit dhe me dënim të konfiskimit të një shtëpie në rrugën “Marrshall Tita” në Prizren.
  2. E dënuara e dytë ishte Gjulijana Mateja, e cila u dënua me 2 vjet burg, me punim të detyrueshëm në vazhdim prej dy vitesh, me kusht që dënimi t’i llogaritet nga dita e arrestimit, me humbjen e të drejtave politike dhe disa qytetare, përveç asaj prindërore në vazhdim prej tri vitesh, që do t’i llogaritet pas vuajtjes së ndëshkimit.
  3. Luçije Bashotës, Gjykata Popullore i shqiptoi dënimin prej një viti burg, me punë të detyrueshme me vazhdim prej një viti, që do t’i llogaritet prej ditës së arrestimit.
  4. Edhe Roza Mjedës gjykata i shqiptoi dënimin prej një vitit burg me punë të detyrueshme.
  5. Nesibe Zhuri, po ashtu u dënua me një vit burg të rëndë dhe me punë të detyrueshme.
  6. Roza Cukit iu shqiptua dënimi prej një viti burg, ku ishte e obligueshme për punë të detyrueshme derisa i zgjatë koha e burgosjes. Ndërsa nga aktakuza u liruan Mane Shyti, Çeçilija Krasniqi, dhe Mrika Gjoka.

Edhe pse u dënuan dhe vuajtën burgun, të gjitha të dënuarat asnjëherë nuk u penduan dhe nuk i treguan shokët me të cilët vepruan ilegalisht. Bile edhe pas daljes nga burgu disa nga ato kishin vazhduar me veprimtari ilegale, siç ishte rasti i Nesibe Zhurit, e cila më vonë u angazhua në organizatën ilegale “Lidhja e Prizrenit”, që veproi në Prizren. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sapo është publikuar lista preliminare e kandidatëve të cilët e…