
Të enjten Kuvendi mban seancë, diskutohet për rritjen e çmimeve
Kuvendi i Kosovës të enjten do të debatojë për rritjen e çmimeve, debat ky i kërkuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kështu është vendosur sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka treguar për çështjes që do të diskutohet në këtë seancë.
“U vendos që fillimi i punimeve të rregullta të sesionit pranveror të jetë data 20 janar, dita e enjte, të fillojë seanca e re. Në rendin e së cilës janë të parapara shqyrtimi i projektligjeve në lexim të dytë, votimi i një marrëveshje ndërkombëtare, gjithashtu në këtë seancë do të mbahet edhe debati parlamentar i kërkuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që në sesionin vjeshtor, ai në lidhje me rritjen e çmimeve. Planifikohet që po të njëjtën ditë, me përfundimin e punimeve të seancës së re, të vazhdohet me punimet e seancave të mbetura nga sesioni vjeshtor. Në rend të ditës do të jenë marrëveshjet ndërkombëtare, katër prej të cilave nuk janë votuar, me mundësinë e vazhdimit të punimeve edhe gjatë ditës së premte”, ka thënë Kusari-Lila.