‘Të kam larguar prej punës’, ‘Ti je kukull’. Bislimi ‘kapet’ me Kastratin në komisionin për integrime

02 qershor 2021 | 11:15

Deputetët e PDK-së, Ardian Kastrati dhe Blerta Deliu-Kodra e kanë lëshuar në shenjë proteste mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane pasi zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi ka refuzuar t’u përgjigjet në pyetje të tyre.

Kastrati e ka pyetur Bislimin për qëndrimet e Vetëvendosjes ndër vite duke iu referuar “Albin Kurtit si lider suprem”.

Ai ka thënë se Bislimi duhet të tregojë nëse LV-ja ka ndryshuar tashmë qëndrimet pasi është në pushtet, e nëse po tenton që ta dërgojë vendin edhe njëherë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Pasi Kastrati iu referua Kurtit si “lider suprem”, kanë reaguar deputetët e LV-së që janë anëtarë të këtij komisioni.

Fjalën për t’ju përgjigjur në pyetje deputetit të PDK-së e ka marrë edhe zëvendëskryeministri Bislimi.

Ai ka thënë se Kastrati nuk ka ndryshuar tash e 10 vjet, prej kur ka bërë me dije se e ka larguar nga puna si asistent.

“Prej atij Adriani që ne e kemi larguar prej punës para 10 vjetëve ke qenë njëjtë. Nuk ke ndryshuar fare”, ka thënë Bislimi.

Këtu ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila ka thënë se së bashku me Kastratin do ta lëshojnë sallën pas këtyre deklaratave.

I ngritur në këmbë, duke dalë nga salla, Kastrati ka thënë se Bislimi ka bërë “kërcim me parashutë në karrierën e tij”.

“Ti e ke bërë një kërcim në karrierë me parashutë. Ti je kukull, të kanë pru këtu, e ke tradhtuar elektoratin tënd”, ka thënë Kastrati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Varrimi i madh, masiv e popullor në Prishtinë…