
Të mërkurën fillon gara për trofeun e çmuar
Këtë javë palestra “13 Qershori” do të jetë arenë e ndeshjeve të “Final 8” Kupës së Kosovës Vllesa & Pagesa. Tetë skuadrat e Superligës së meshkujve, dy finalistet në konkurrencën e femrave dhe katër skuadrat e Ligës së Parë të meshkujve, do të garojnë për trofetë e çmuar në basketbollin e Kosovës.
Nga dita e mërkurë deri të dielën pritet spektakël i basketbollit me shumë përballje interesante dhe dramatike. Sfidat fillojnë të mërkurën, ku Rahoveci do të përballet me Trepçën. Këto dy skuadra ishin ballafaquar edhe vitin e kaluar, ku “Vreshtarët” kaluan tutje në një sfidë shumë dramatike. Trofeu i Kupës është shumë i dëshiruar për të dyja skuadrat, që do ta japin maksimumin për të triumfuar dhe për t’u kualifikuar në gjysmëfinale. Golden Eagle Ylli – Bashkimi është sfida tjetër që po pritet me interesim të madh.
Therandasit janë më favoritë, por prizrenasit nuk dorëzohen dhe synojnë të arrijnë sa më lart. Bashkimi kishte arritur edhe në finale të Superkupës, ku ishte mundur nga Sigal Prishtina. Ponte Prizreni dhe Vëllaznimi përballen të enjten, me të dyja skuadrat që duan kualifikimin tutje, ndërsa sfida e fundit çerekfinale është mes rivalëve të vjetër në basketbollin e Kosovës, Pejës dhe Sigal Prishtinës.
Pejanët fituan Kupën edicionin e kaluar, kurse prishtinasit janë skuadra më e trofeshme në vend, dhe sigurisht duan të shtojnë edhe një trofe në sirtar. Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen të premten, kur do të zhvillohet edhe finalja e Kupës në Ligën e Parë. Ndërkohë, të dielën, më 7 shkurt, do të jetë dita e finaleve. Derisa në konkurrencën e meshkujve finalistët ende nuk janë përcaktuar, në konkurrencën e femrave do të përballen Prishtina dhe Bashkimi. Këto dy skuadra në vitet e fundit kanë luftuar për trofe, si në Kupë, Superligë dhe Superkupë, andaj pritet një sfidë shumë interesante mes këtyre dy skuadrave me traditë në basketbollin e Kosovës. Me përforcimet që kanë bërë, të dyja skuadrat do të luftojnë deri në fund për të triumfuar në Kupë.
ORARI
Të mërkurën takohen:
13:00 Istogu – RC Cola Drita
16:00 Grupi B: Rahoveci – Trepça
18:30 Hapja solemne
19:00 Grupi C: Golden Eagle Ylli – Bashkimi
Të enjten takohen:
13:00 Marigona Hill Prishtina – AS Prishtina
16:00 Grupi D: Ponte Prizreni – Vëllaznimi
19:00 Grupi A: Peja – Sigal Prishtina
Të premten takohen:
13:00 Finalja: Kupa e Ligës së Parë
16:00 Gjysmëfinalja e I (Fituesit e grupit B-C)
19:00 Gjysmëfinalja e II (Fituesit e grupit D-A)
Të dielën takohen:
14:00 Finalja e Femrave
17:30 Finalja e Meshkujve