
Të mërkurën finalja e parë e hendbollisteve
Të mërkurën zhvillohet ndeshja e parë e finales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Nga ora 20:00 në palestrën në Banjë, takohen Istogu e Samadrexha. Ndeshja transmetohet në 21 Plus.
Istogu është kampion në fuqi dhe fitues i Kupës së Kosovës për këtë edicion garues. E ka përfunduar stinorin e rregullt në pozitën e parë dhe do ta ketë përparësinë e terrenit në ndeshjen e tretë eventuale.
Kampion shpallet ekipi që i shënon dy fitore. Istogu në gjysmëfinale e eliminoi Shqiponjën e Gjakovës, që në stinorin e rregullt përfundoi në vendin e katërt. Samadrexha e përfundoi stinorin e rregullt në pozitën e tretë. Në gjysmëfinale të plejofit e eliminoi Ferizajn, duke shënuar dy fitore bindëse. Ferizaj ishte i dyti gjatë pjesës së rregullt të kampionatit.
Të dy skuadrat finaliste kanë lojtare me përvojë, të huaja e të vendit, dhe pritet një finale shumë interesante. Ndeshja e dytë është në fundjavë në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë.