
Të paktën 24 të vrarë nga hedhja e bombave nga parashutisti në festivalin budist në Myanmar
Një sulm me paramotor në një festival dhe protestë në Mianmarin qendror ka vrarë të paktën 24 persona dhe ka plagosur 47 të tjerë, tha për BBC-në një zëdhënës i Qeverisë së Unitetit Kombëtar në mërgim.
Rreth 100 persona ishin mbledhur në qytezën Chaung U të hënën në mbrëmje për festivalin Thadingyut – një festë kombëtare me rrënjë budiste – kur nga një parashutë me motor u lëshuan dy bomba mbi turmën, tha një zyrtar lokal nën Forcën e Mbrojtjes Popullore anti-juntë.
Eventi ishte gjithashtu një vigjilje me qirinj në shenjë proteste kundër politikave të juntës.
Mianmari ka qenë në luftë civile që kur ushtria e saj mori pushtetin në një grusht shteti në vitin 2021. OKB vlerëson se konflikti ka vrarë më shumë se 5,000 civilë.
Zyrtari i Forcës së Mbrojtjes Popullore i tha BBC-së se gjatë tubimit të hënën, ata morën informacion në lidhje me një sulm të mundshëm ajror dhe u përpoqën ta përfundonin shpejt protestën e
tyre – por paramotorët arritën në vendngjarje më herët se sa prisnin.
Në një deklaratë të martën, Amnesty International tha se përdorimi i parashutistëve të motorizuar nga junta për të sulmuar komunitetet ishte pjesë e një “trendi shqetësues” në zonë, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.