
Të paktën 32 të vrarë nga sulmet izraelite në Qytetin e Gazës
Një breshëri sulmesh ajrore ka lënë të vrarë të paktën 32 persona në mbarë Qytetin e Gazës, raportoi stafi mjekësor më 14 shtator.
Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, sipas spitalit Shifa, ku u dërguan trupat e viktimave.
Një nga sulmet ajrore, që u kryen gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, goditi një shtëpi në lagjen Sheik Radvan, duke vrarë një familje 10-anëtarëshe, përfshirë një nënë me tre fëmijët e saj, thanë zyrtarët shëndetësorë, raporton Rel.
Asociacioni palestinez i Futbollit tha se lojtari i klubit Al-Helal, Mohammed Ramez Sultan u vra gjatë sulmeve së bashku me 14-anëtarë të familjes së tij.
Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këto sulme.
Ditëve të fundit, Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në mbarë Qytetin e Gazës, duke shkatërruar ndërtesa shumëkatëshe dhe duke akuzuar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – se në to ka vendosur pajisje për vëzhgim.
Izraeli ka thënë se synon të marrë kontrollin e plotë të Qytetit të Gazës – zonës më të madhe urbane në Rripin e Gazës – ku, sipas Kombeve të Bashkuara jetojnë 1 milion persona dhe ku është shpallur gjendje e urisë.
Një ditë më parë, ushtria tha se ka goditur një ndërtesë shumëkatëshe në Qytetin e Gazës që pretendoi se përdorej nga Hamasi.
Izraeli ka urdhëruar banorët që të largohen nga Qyteti i Gazës për shkak të ofensivës.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi më 7 tetor 2023 sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.