Të paktën 33 të vrarë nga sulmet ajrore saudite në Jemen, mes viktimave gra dhe fëmijë

08 nëntor 2026 | 11:25

Të paktën 33 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore të Arabisë Saudite në Jemen, raportojnë mediat e lidhura me lëvizjen Huthi.

Sipas agjencisë së lajmeve Saba, e kontrolluar nga Huthët, sulmi është kryer të shtunën në qytetin al-Shariyah, në lindje të kryeqytetit Sana. Nga sulmet raportohet se janë plagosur edhe 39 persona të tjerë.

Pamjet e transmetuara nga televizioni Al Masirah tregojnë ekipet e shpëtimit duke nxjerrë trupat e viktimave nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Në mesin e tyre raportohet se ka edhe fëmijë të vegjël. Ndërkohë, të plagosurit janë transportuar me barela drejt spitaleve.

Deri më tani, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, nuk ka komentuar raportimet për sulmet.

Arabia Saudite udhëheq prej më shumë se një dekade një koalicion ushtarak që lufton kundër Huthëve, në mbështetje të qeverisë jemenase. Pas disa vitesh me luftime kryesisht të ndërprera, konflikti është përshkallëzuar sërish në kuadër të tensioneve dhe luftës me Iranin.

Rifillimi i luftimeve ka sjellë përplasje të ashpra mes Huthëve dhe forcave që mbështesin qeverinë jemenase, ndërsa situata e sigurisë në vend mbetet e tensionuar.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Gzim Selmani, i njohur me nofkën “Albanian Psycho”, ka regjistruar…