Të poshtëruarit mbesin të poshtëruar, asnjëherë të respektuar!

21 janar 2020 | 12:14

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

 Gjykata që poshtëron të drejtën historike dhe gjendjen faktike:  Që nga dalja nga burgu në vitin 1990 e deri më sot jam bërë pjesë e KMDLNj-së sikur që kam qenë pjesë e çdo zhvillimi në Kosovë. Atëherë, në vitin 1990, e formuam NKMDLNj-në në Besianë pasi Baca Adem kishte një projekt që e tërë Kosova, por edhe hapësira ku jetojnë shqiptarët, e që pamëshirshëm terrorizoheshin nga ish- Jugosllavia dhe Serbia, për faktin se kërkon të jenë të lirë, të vendosnin vetë për fatin e tyre dhe të trajtoheshin sikur të gjithë qytetarët e tjerë e që nuk ishte ashtu sepse burgjet jugosllave dhe serbe ishin të stërmbushura me të burgosur politikë shqiptarë, të mbulohej me informata e që pastaj shpërndaheshin në të gjitha adresat e rëndësishme në botë. Me një fjalë, thuaja 90 për qind e të burgosurve politikë në burgjet jugosllave ishin shqiptarë. Nënkëshillin për të drejtat e njeriut e themeluam në Besianë së bashku me Nexhmi Balën, Arif Ejupin, Selman Hoxhën, Sylejman Blakun, Fehmi Blakçorin dhe shumë veprimtarë të tjerë që, në radhë të parë, ishin kombëtarë e pastaj merreshin edhe me të drejtat e njeriut. Pas vitit 1995 drejtimin e NKMDLNj-së në Besianë e mori Fadil Lepaja, kurse unë kalova në Prishtinë, në selinë e KMDLNj-së.

Baca Adem më propozoi të bëhem sekretar e që fillimisht e refuzoja por se, në një takim me gjeneralin Shaban Shala, e që asokohe ishte nënkryetar i KMDLNj-së, më bindi ta pranoj propozimin duke thënë se së shpejti do të ketë luftë në Kosovë, prandaj duhet ta mbulojmë terrenin me aktivistë që do të sigurojnë informata për shkelje të drejtave të njeriut sikur edhe të përkrahim edhe luftën çlirimtare me të lavdishmen Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Stafi i atëhershëm ishte shumë sakrifikues, motivues dhe punonte në kushte të presionit të vazhdueshëm. Sekretari i atëhershëm i KMDLNj-së, Sami Kurteshi, ishte dhunuar fort fizikisht nga policia serbe në zyrat e selisë në Prishtinë prandaj, për këtë arsye, por edhe të tjera, ishte larguar në Zvicra ku u organizua politikisht, për t’u dënuar pastaj me burg të rëndë. KMDLNj në atë kohë kishte në radhët e veta thuaja të gjithë avokatët më të zotët në Kosovë si: Bajram Kelmendi, Nekibe Kelmendi, Adem Bajri, Mustafë Radoniqi, Fazli Balaj, Destan Rukiqi, Lirije Osmani, Selatin Ahmeti, Mejdi Dehari dhe të tjerë, prandaj në mënyrë shumë profesionale përgatisnin kallëzime penale sikur që përfaqësonin palët para gjykatave. Për këtë e pësuan me ekzekutim, pa gjyq, të Bajram Kelmendit me dy djem, u rrah keq dhe vetëm fati e shpëtoi Destan Rukiqin që ishte mbrojtës i Nait Hasanit, të kidnapuar nga policia serbe pas rënies heroike të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut. Edhe Lirie Osmani kishte presion shkaku se mbrojti, pa kompensim material, të arrestuarën Zarie Podrimçaku që ishte aktiviste e KMDLNj-së, por edhe pjesë e bërthamave të para të UÇK-së. Kur Baca Adem, në vitin 1996, mori drejtimin e Partisë Parlamentare të Kosovës, nuk pranoi që edhe unë t’i bashkohem, por tha se është mirë të qëndrojë në KMDLNj. Edhe kur e formoi Zyrën e UÇK-së në Prishtinë më tha të qëndrojë në KMDLNj, ndonëse thuaja çdo ditë kam qenë në Zyrën e UÇK-së e cila ka qenë e mbikëqyrur 24 orë nga policia e Serbisë sikur edhe banesa ku jetonte Baca, afër shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë.

Anëtarë të KMDLNj-së ishin shumë luftëtarë të UÇK-së si: Shaban Shala, Remzi Ademaj – komandant Petriti, Zahir Pajaziti, Besnik Rastelica, Refki Suma, Dr. Hafir Shala, Xhavit Haziri, Rexhep Bislimi, Bajrush Xhemajli, Elmi Reçica e shumë të tjerë që, edhe më tutje mbetën aktivistë për të drejtat e njeriut por se tani këto të drejta i mbronin me armë dhe me luftë pasi nuk iu mbeti mundësi tjetër. Realisht, deri në kohën e fillimit të bombardimeve të NATO-s, çdo mëngjes para se të shkojë në zyrën e KMDLNj-së e që me bujarinë e Dr. Rexhep Bojës ishte vendosur në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, shkoja te Baca Adem ku afërsisht dy orë rrinim bashkë dhe koordinonim aktivitetet e përbashkëta. Kështu, në një mëngjes, duke shkuar te Baca kalova rrugës ku kishte shtëpinë Rexhep Dallduri (UKA) e cila ishte rrethuar me nja 30-40 policë. I tregova Bacës dhe ai menjëherë tha se mund ta kenë arrestuar Agron Ramadanin që ishte shoqërues i Bacës e që doli të jetë e vërtetë.

Si funksiononte KMDLNj në rrethana të luftës: Stafi i KMDLNj-së ishte shumë përkushtues ndërsa barrën kryesore sikur edhe rrezikun e kishin anëtarët në terren si: Halit Berani, Sabit Kadriu, Tahir Demaj, Remzi Ademaj, Fazli Abdullahu, Murat Musliu, Adem Meta, Xhemë Binaku, Ukë Krasniqi dhe Agim Vrellaku, Ajnishahe Halimi, Bajrush Xhemajli, Kadri Kryeziu, Sokol Dobruna, Ekipi i lartpërmendur nga Besiana, Refki Suma, Haxhibeqirët nga Gjakova, Ruzhdi Jashari, Gashi nga Lipjani, Hysen Merovci, Zenel Bujupaj, Ismet Sopi, Shaip Kamberi, Binak Dinaj, Arbër Xhaferi dhe qindra dhe mijëra aktivistë, një numër i të cilëve edhe u flijuan në fushën e nderit, në shërbim të kombit, lirisë dhe bashkimit kombëtar! Stafi në Prishtinë përbëhej nga pjesa që përgatiste informata, raporte, i përkthente ato në gjuhën angleze, serbe dhe frënge e pastaj, Ibrahim Makolli si monopolist në njohuritë e punës me kompjuter i shpërndante në adresat relevante. Në gjuhën angleze përkthenin, Arjeta Emra, Violeta Hamidi, Fisnik Gruda, Zinaide Kuçi dhe Nedime e që udhëhiqeshin nga një njohës i shkëlqyer i anglishtes, Ismet Bërdynaj i cili, më shumë kishte njohuri për Shekspirin se për Kadarenë. Në gjuhën serbe përkthente Vehap Shita kurse në gjuhën frenge profesor Sylaj. Pjesë e stafit anglishtfolës ishte edhe Mimoza Ahmetaj që pastaj bëri karrierë të pabesueshme politike. Naime Sherifi dhe Basri Berisha së bashku me Xhavit Hazirin u bënë pjesë shumë kontribuuese e Shërbimit për Informim të Këshillit (kemi qenë SHIK shumë para SHIK-ut!!!) e që për udhëheqës e kishin Halime Morinën – Limkën. Kontribut të jashtëzakonshëm në atë kohë në KMDLNj kanë dhënë; Flaka Surroi, Shukrije Gashi, Nazlije Bala, Flora Brovina dhe Sevdije Ahmeti. Pas largimit të Bacës Adem nga KMDLNj, një organizatë nga Beogradi, me përkrahjen e një insajderi nga KMDLNj deshën të bëjnë një puç e që dështoi. Në aspektin gjuhësorë (në gjuhën shqipe) ishin të shkëlqyeshëm Prof. Dr. Ymer Jaka dhe Binak Ulaj kurse Baca Vehap i përmirësonte gjuhësisht raportet të cilat pastaj i rilexoja dhe i lëshoja për shpërndarje për opinion. Akademik Pajazit Nushi ishte shumë bashkëpunues duke na i lënë duart e lira dhe, më duhet të shtojë se asnjëherë gjatë qëndrimit 25-vjeçar, herë si kryetar e herë si zv/kryetar i KMDLNj-së, nuk e ka kundërshtuar asnjë informatë, kumtesë, komunikatë apo raport të KMDLNj-së. Ekipin që ka shkuar nga zyra qendrore në terren e kanë përbërë: Nuhi Ahmeti, Avdullah Dërguti, Elmi Reçica, Binak Ulaj, Halime Morina dhe, disa herë kam qenë edhe unë. Në shumë raste kemi bashkëpunuar me Qendrën Informative të Kosovës duke i furnizuar me informata apo duke e marrë përgjegjësinë për materialet (fotografitë) që dokumentonin dhunën për të cilët aktivistët e LDK-së deklaronin se i kemi marrë në KMDLNj kur e kishin pisk me Policinë e Serbisë. Pra edhe atëherë ka qenë një bashkëpunim i ngushtë midis QIK-ut (Qendrës Informative të Kosovës) dhe SHIK-ut (Shërbimi për Informim i KMDLNJ-së). Ishte propozim i Bacës Adem të formohej një Agjenci Kombëtare për Informim dhe për këtë duhej të bashkoheshin QIK-u dhe SHIK-u. Jam takuar dhe jemi takuar disa herë me Xhemajl Mustafën dhe Enver Malokun që me vullnet kanë pranuar këtë ide por se “ka hasur sharra në gozhdë…” në nivelet e vendimmarrjes politike.

Gjykata Speciale për të pafytyrët e specializuar: Pas përfundimit të luftës, në Kosovë, sistemin gjyqësor, prokurorial dhe hetues, 100 për qind e kontrollonin UNMIK-u dhe pastaj EULEX-i ndërkaq që vendorët, ose ishin në shërbim të tyre, ose i binin kavallit, pa i pyetur askush për asgjë. Këto dy misione kryesisht bashkëpunonin me Serbinë dhe mbeturinat e saj të instaluara thuaja në të gjitha nivelet institucionale në Kosovë. Sidomos për fushat e krimeve të luftës, krimeve ndëretnike dhe rasteve të korrupsionit të profilit të lartë apo, siç i quanin ata, “peshqit e mëdhenj të korrupsionit”. Realisht, nëse vendorët ishin peshq të mëdhenj të korrupsionit e që ka të tillë, ndërkombëtarët lirisht mund të llogariten si peshkaqenë apo balena të korrupsionit për faktin se kishin kontroll të plotë të fondeve ndërkombëtare dhe financave vendore. Atëherë, si KMDLNj patëm kërkuar të formohet një Gjykatë për Krime Lufte në Kosovë sikur që ishin formuar në vendet e rajonit. Faktori ndërkombëtar në Kosovë nuk ka qenë fare i interesuar të hetojë apo gjykojë krimet që i kanë bërë serbët në Kosovë apo që këtë e kanë bërë sa për të thënë kurse, jetësisht kanë qenë të interesuar të hetojnë krimet ndaj serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve lojalë ndaj Serbisë apo bashkëpunëtorëve besnikë të Serbisë. Nuk kanë pasur fare interesim të hetojnë krimet që i kanë bërë në Kosovë “Shqiponjat e Bardha” të Vojisllav Sheshelit por kanë shfaqur interesim ekstrem për “Shqiponjat e Zeza të Dukagjinit”. Për Gjykatën që do të gjykonte krimet e luftës në Kosovë pavarësisht përkatësisë etnike dhe të tjera, patëm diskutuar në Kryesinë e KMDLNj-së kurse, më shumë kemi qenë të involvuar në këtë çështje; Pajazit Nushi, Ibrahim Makolli dhe unë. Ndërkombëtarët, si mospërfillës që ishin thoshin se; “për raste të krimeve të luftës janë kompetente gjykatat në Kosovë, 100 për qind në përbërje ndërkombëtare kurse për rastet më të ndjeshme është Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë në Hagë…”.

Të gjithë jemi dëshmitarë të dështimit të turpshëm të Tribunalit të Hagës, si Gjykatë e nënshtruar ndaj politikës dhe dështimeve me qëllim të gjykatave të UNMIK-ut dhe EULEX-it, një pjesë e të cilëve Kosovën e kanë shndërruar në një mundësi të hatashme të pasurimit, qoftë përmes montimit të proceseve gjyqësore, qoftë përmes shitjes së pafajësisë personave me një të kaluar dhe të dëshmuar kriminale. Se kishte ndikim politik në Tribunalin e Hagës e dëshmon Lujz Arbur, kryeprokuroja e parë e këtij Tribunali sikur edhe prokurorë dhe gjykatës të tjerë, pasi janë larguar nga ky Tribunal! Se kishte shpërdorim të detyrës zyrtare në fushën e drejtësisë nga ndërkombëtarët në Kosovë, nuk e them unë por se këtë e kanë thënë shumë prokurorë, hetues apo gjykatës ndërkombëtarë, gjithashtu pasi janë dorëhequr apo e kanë humbur vendin e punës në këtë misione të përfshira në shumë aktivitete kriminale.

 

Dhomat e Specializuara apo Dhomat e Gazit për ushtarët dhe eprorët e UÇK-së: Pasi, kryesisht për arsye të oportunitetit politikë qëllimisht dështojë i tërë zinxhiri i “drejtësisë” në Kosovë (UNMIK dhe EULESH, si bastard i UNMIK-ut) në me krye me Tribunalin e Hagës, ndërkombëtarët, për të hapur vende të reja të punës dhe për të imponuar zgjidhje politike për marrëveshje me Serbinë, e sajuan një monstrum juridik të cilin e mbështollën me një qulaf vendor në formën e Dhomave të Specializuara e që qenkan pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës.

Për të besuar këtë, sa paku duhet të jeni idiot apo duhet t’ua kenë zënë fort bishtin me derë, siç thuhet në popull. Një Kuvend i nënshtruar një presioni të hatashëm në mesin e të cilëve ka të tillë që: “për shkak të urrejtjes ndaj UÇK-së, edhe nëse nuk do të kishte një Gjykatë të tillë, do të duhej të shpikej sikur edhe një pjesë e krahut të luftës që fort iu ishte zënë bishti me derë…” prandaj thoshin se kjo është për të mirën e Kosovës dhe idiotësira të ngjashme. Gjithashtu, thoshin se kjo Gjykatë është projekt ndërkombëtar dhe në veçanti amerikan e që e ka për qëllim ta pastrojnë luftën e UÇK-së përmes marrjes në pyetje të 7-8 personave dhe këtu çdo gjë pastaj merr fund! Merreni me mend; të besoni se një Gjykatë me një buxhet prej 300 milionë eurosh do të trajtojë vetëm 7-8 raste, hajt thoni tani se jemi normalë! Kuvendi i Kosovës, në rrethana të shtetrrethimit e ka votuar këtë Gjykatë dhe duket se më entuziastë ishin ata që luftuan dhe bënë shumë sakrifica për këtë vend! Tash, një numër jo i vogël i tyre, posa ta sheh një veturë të EULESH-it apo ndonjë zyrtarë me letra në dorë, pshurren në brekë duke thënë: “Inshallah jam në ëndërr dhe inshallah nuk janë për mua por… për Behxhetin…”. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë tipike çlirimtare dhe e drejtë por që nuk nënkupton se nuk mund të ketë bërë ndonjë ushtar apo eprorë ndonjë vepër që është në kundërshtim me ligjet e luftës dhe të drejtën humanitare. Se duhet të dënohen të gjithë ata që iu dëshmohet përfshirja në krime të luftës, nuk diskutohet dhe nuk mund të kundërshtohet. Në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me një drejtësi dhe padrejtësi selektive ku ndiqet vetëm njëra palë ndërluftuese (shqiptarët) kurse falet pala tjetër që ka bërë krime deri në gjenocid në Kosovë (shteti serb). Gjithashtu, kjo Gjykatë siguron drejtësi vetëm për viktimat e përkatësisë etnike serbe kurse krejtësisht injorohen viktimat e palës shqiptare e që përbëjnë 97 për qind të viktimave të luftës. Kuvendi i Kosovës është dashur ta refuzojë këtë model të Gjykatës që paragjykon fajësinë apo pafajësinë sipas parimit etnik duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike, racore, besimit dhe statusit në shoqëri. Kjo Gjykatë në mënyrën më brutale e dhunon parimin e universalitetit të drejtave të njeriut duke garantuar të drejta të njeriut dhe drejtësi ekskluzivisht në baza etnike. Çka ka arritur kjo Gjykatë raciste deri më tani? Ka përçarë faktorin politikë në Kosovë, ka premtuar pritje të mëdha për të viktimizuarit dhe familjarët e tyre duke premtuar drejtësi e që nuk do ta bëjë duke mos dalë nga kornizat e raportit të Dik Martit!

Po i poshtëron skajshmërisht avokatët e Kosovës, sidomos shteti i Holandës që nuk ua lëshon vizat me kohë apo ua lëshon vetëm për një seancë duke i detyruar të përsëritjen e procesit terrorizues siç është aplikimi për një vizë. Nuk ua njeh statusin profesional dhe diplomatik apo zyrtarë dhe gjatë kontrolleve në kufij i trajton sikur të ishin kontrabandues të narkotikëve nga Lazarati!

Lufta për liri dhe çlirim është e drejtë njerëzore, e drejtë morale, e drejtë ligjore ndërkombëtare dhe e drejtë e mbijetesës. Si e tillë duhet të përkrahet, ata që e bënë luftën duhet të respektohen dhe nderohen përjetësisht, nëse u janë përmbajtur parimeve të një lufte, sipas zakoneve të luftës.  Këta që sot po thirren në Hagë dhe mbase disa nuk do të kthehen, e sollën lirinë edhe për denoncuesit e tyre, edhe për ata që na dhunuan për vite të tëra në emër të vëllazërim – bashkimit dhe Jugosllavisë socialiste, në emër të ruajtjes së bashkëjetesës midis xhelatit dhe viktimës. Këta që po thirren në Hagë, gjatë luftës ishin luftëtarë të Adem Demaçit dhe Adem Jasharit të cilët nuk pyetën se çfarë çmimi duhet të paguajnë për liri sepse liria nuk ka çmim! Shiheni Kosovën sot, e mbjell me varre të civilëve shqiptarë të ekzekutuar nga forcat serbe (të pandëshkuara për krime) dhe ushtarët si dhe eprorët e të lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Atyre u takon lavdia e përjetshme kurse qyqarëve kjo jeta mjerane që e bëjnë. Viktimat dhe heronjtë respektohen, të pafytyrët gjithmonë kujtohen, si pleh dhe si mish i keq i trungut kombëtar! Këta që sot po bëjnë Gjykata që ndanë drejtësi në baza etnike, jo fort moti (lufta e dytë botërore) ekzekutonin femra dhe gra shtatzëna pse ishin të lidhura me armikun . Mos të flasim për ata që bashkëpunonin me okupatorin, fati i tyre dihej! A ishte formuar ndonjë Gjykatë Speciale për ta? Jo dhe jo! T’i mëshojmë pakëz ndërgjegjes nëse e kemi;  ta vendosim veten në vendin e tyre që më shumë se 20 vite nuk kanë asnjë informatë për të dashurit e tyre që janë të zhdukur, pavarësisht përkatësisë etnike, para se t’i duartrokasim një Gjykate raciste dhe para se të gëzohemi apo më mirë të them të hidhërohemi pse ende nuk kanë filluar gjykimet dhe pse nuk janë mbushur qelitë e këtij burgu me ata që luftuan dhe bënë sakrificën sublime! E kam fjalën për ata që janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Naim Krasniqi, fizikan Fizika dhe kimia simetrike, udhëtim drejt…