Të publikohet piktura origjinale e Skënderbeut nga Belini

21 qershor 14:23

Ilir Muharremi, kritik i artit

A u hoq perdja, a u shfaq Skënderbeu origjinal, Heroi Kombëtar shqiptar? Studiuesi Fotaq Andrea, autor i album-antologjisë “Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar”, së bashku me antikuarin Dritan Muka, Kanada, kanë njoftuar ditët e fundit nëpërmjet portalit të njohur “Zemra Shqiptare“, zbulimin e rrallë të portretit origjinal të Skënderbeut nga piktori i shquar i Rilindjes italiane e europiane Gentile Bellini, 1467.

Portreti mban të shkruar emrin SCANDER BECO, njëlloj si harta portolane e Bartolomeo Pareto-s e vitit 1455, që mban të shkruar emrin SCANDRE BECO. Në tekstin e publikuar në faqen “Zemra shqiptare” shkruan se “Mbi bazën e një analize të thellë shkencore, duke ndjekur e kombinuar metodat kryesore klasike të eksplorimit të një vepre arti, si dhe duke iu referuar rreth 70 autorëve shqiptarë e të huaj, studiuesit Fotaq Andrea dhe Dritan Muka arrijnë në vëzhgime e përfundime të qarta dhe bindëse se portreti i purpurt i Skënderbeut është vepër unikale e Gentile Belinit e vitit 1467, kur “Atleti i Krishtit” dhe Mbrojtësi i Evropës Gjergj Kastrioti ka pozuar përpara Belinit, portretistit zyrtar të dozhëve të Venedikut.” Sipas shkrimit thuhet se “Studiuesit vërtetojnë për herë të parë se Skënderbeu ka shkuar për vizitë të fshehtë në Venedik, me sugjerim edhe të papa Palit II, për të kërkuar ndihma e të holla që të vazhdohej qëndresa dhe lufta e paepur shqiptare kundër pushtuesit osman. Gjatë kësaj vizite të fshehtë, që përkonte edhe me Karnavalet e Venecies të shkurtit 1467, Skënderbeu shoqërohej nga e shoqja Donika Arianiti Kastrioti dhe i biri 12 vjeçar Gjoni II Kastrioti. Po ashtu edhe nga Dhimitër Frangu, thesarmbajtësi i Skënderbeut dhe pesë apo gjashtë kalorës arbër.”

Sipas tyre, hunda e Skënderbeut tek portreti origjinal i Skënderbeut nuk është  kërrutë apo me kurriz a gungëz në mes dhe me majën të rënë poshtë, sikurse shfaqet përgjithësisht ky organ në tipologjinë skanderbegiane krijuar mbi bazën e mitit të hundës shqiponjë te Skënderbeu. Përkundrazi, është hundë e drejtë, e fortë, tepër lehtë e lakuar dhe me majën po ashtu të drejtë.

Si e vërteton që ky duhet të jetë Skënderbeu origjinali? Duhet të publikohet fotografia e pikturës origjinale nga Belini e studiuar dhe e vërtetuar. E jo një montazh me fotoshop që nxjerrë ngjashmëri me portretet e shumta të Skënderbeut. Në këtë fotografi të publikuar, tekst shkruesi flet për hundën e drejtë të Skënderbeut. Në fakt hunda nëse analizohet në fotografi na del prapë me gungëz, kërrutë dhe me maje të rënë poshtë. Duhet shumë kujdes kur flasim për fakte shkencore. Të bëhen edhe publikimet  në raport me tekstin.

Nga fotografia e montuar shihet një bri i prerë në përkrenare dhe i ngjitur me allçi copa e bririt. A është deformim i përkrenares apo kanë bërë një kombinim?

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova nuk e ka lejuar vizitën e ministrit të Sportit…