Tërheqje masive e kandidatëve në Francë për ta stopuar Tubimin Kombëtar

03 korrik 2024 | 11:15

Partitë opozitare në Francë kanë bërë disa marrëveshje të nxituara, në përpjekje për ta bllokuar fitoren bindëse të partisë së ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, në rrethin e dytë të zgjedhjeve më 7 korrik.

Tubimi Kombëtar i Marine Le Penit ka siguruar më shumë vota në rundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme legjislative, që janë mbajtur më 30 qershor, por jo mjaftueshëm për ta formuar qeverinë.

Një numër i paprecedentë kandidatësh që janë kualifikuar për rundin e dytë nga aleanca e krahut të majtë, Fronti i Ri Popullor, dhe nga koalicioni i qendrës i presidentit Emmanuel Macron janë tërhequr, për t’i dhënë mbështetje kandidatit që ka më shumë gjasa të fitojë përballë kundërkandidatit nga Tubimi Kombëtar.

Në mesin e atyre që e braktisën garën, janë edhe disa ministra të kabinetit.

Sipas një numërimi të bërë nga gazeta franceze, Le Monde, rreth 218 kandidatë që do të mund të konkurronin në rundin e dytë, janë tërhequr.

Prej tyre, 130 ishin të majtë dhe 82 të qendrës.

Kandidatët kishin kohë deri në orën 18:00 të martën për t’u tërhequr.

“Më duhet ta parandaloj Tubimin Kombëtar që të arrijë shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare, sepse do të ishte dhe e them nga thellësia e zemrës – do të ishte e tmerrshme për vendin dhe francezët”, ka thënë kryeministri francez, Gabriel Attal.

Macroni e ka shpërndarë Asamblenë Kombëtare dhe i thirri zgjedhjet e parakohshme më 9 qershor, pas fitores së Tubimit Kombëtar në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Në rundin e dytë të zgjedhjeve legjislative, Tubimi Kombëtar synon të sigurojë një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare me 577 ulëse.

“Ne nuk mund të pranojmë të hyjmë në Qeveri nëse nuk mund të veprojmë”, ka thënë Le Pen në një intervistë për transmetuesin publik, “France Inter”.

Nëse Tubimi Kombëtar e siguron mbështetjen që synon, Franca do të kishte qeverinë e parë të ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Atletja Gresa Bakraqi do ta përfaqësojë Kosovën në sportin e…