Tërmet i fuqishëm në Filipine
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi jugun e Filipineve në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën tre personave dhe plagosjen e pesë të tjerëve.
Lëkundjet e forta u regjistruan pranë bregdetit të qytetit General Santos në ishullin Mindanao, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme në disa zona të prekura.
Pas tërmetit, autoritetet në Filipine, Japoni dhe Indonezi lëshuan paralajmërime për cunami, nga frika e valëve të mëdha detare. Megjithatë, shumica e paralajmërimeve u tërhoqën më vonë pasi rreziku u vlerësua si i kufizuar.
Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë në Filipine njoftoi se tërmeti ndodhi në një thellësi prej 10 kilometrash, çka ndikoi në intensitetin e lëkundjeve të ndjera në rajon.
Presidenti Ferdinand Marcos Jr. urdhëroi mobilizimin e menjëhershëm të institucioneve shtetërore për menaxhimin e situatës dhe u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e emergjencës dhe të qëndrojnë në vende të sigurta.



