Tetë raste me Covid-19

13 maj 2020 | 20:23

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 255 mostra, ku nga to
janë konfirmuar tetë raste me Covid-19.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Rahovecit 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Rahovec), Komuna e Mitrovicës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Mitrovicë) dhe Komuna e Vushtrrisë 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Vushtrri).

Për dallim nga ditët e kaluara, të mërkurën nuk është raportuar për ndonjë rast që është shëruar nga Covid-19.

Nga data 8 shkurt deri më 13 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 10.642 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 927 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndërkohë deri më tani janë shëruar 671 persona.

“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, bëhet me dije në njoftimin e IKSHPK-së.

Në Kosovë, që nga 4 maji ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave kundër Covid-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.

Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.

Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.

Faza e dytë pritet të nisë nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa e treta më 2 qershor.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 13 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 4.394.660 raste të Covid-19 dhe 295.706 raste të vdekjes.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bota ka një rrugë të gjatë për të kaluar përpara…