Thaçi në 20-vjetorin e masakrës në Izbicë: Serbia bëri gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë

28 mars 2019 | 14:11

Nën përkujdesjen e presidentit të Republikës së Kosovës sot është mbajtur akademia përkujtimore për 20- vjetorin e masakrës së Izbicës.

Në këtë përvjetor, presidenti Hashim Thaçi ka kujtuar 147 të rënët nga Izbica dhe vendbanimet përreth saj.

“Kujtojmë gjithë martirët dhe viktimat e terrorit të shtetit të Serbisë në vitet 1998, 1999. I kujtojmë ata që u vranë dhe u masakruan vetëm pse ishin shqiptarë. Njerëz të paarmatosur, pleq, gra, burra, fëmijë, të rinj e të reja që u vranë në vatrën dhe në tokën e tyre gjithandej Kosovës”, është shprehur  Thaçi, duke shtuar se Kosova kurrë nuk do t’i harrojë tragjeditë në Likoshan, Çirez, Prekaz, Abri, Reçak, Celinë, Krushë, Rezallë, Qyshk, Poklek, Studime, Mejë dhe shumë vendbanime të tjera.

“Shteti i Serbisë bëri gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë. Dëboi qindra mijë shqiptarë jashtë Kosovës. Dogji dhe plaçkiti pasurinë e qytetarëve tanë. Asnjëherë nuk do të harrohen përmasat e krimeve të Serbisë mbi popullatën e Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka thënë se Kosova sivjet shënon njëzetvjetorin e çlirimit, dhe sipas tij, kjo ditë nuk do të vinte pa luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nuk do të vinte pa sakrificën dhe gjakun e dymijë dëshmorëve dhe mijëra martirëve. Lufta e drejtë e popullit tonë u përkrah nga shtetet e demokracisë botërore, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga shtete të BE-së dhe NATO. Liria dhe pavarësia e Kosovës themelet i ka tek sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve të saj”, ka thënë Thaçi.

Në këtë akademi përkujtimore presidenti Thaçi ka deklaruar se Kosova do t’i ruajë dhe kultivojë marrëdhëniet me shtetet e botës perëndimore, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, Kosova është e sigurt në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe do të bëhet pjesë e BE-së, NATO-s dhe OKB-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një kamion është futur në një turmë njerëzish në perëndim…