Thaçi për takimin e Berlinit: S’do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi

17 prill 2019 | 11:48

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Duke iu referuar takimit të Berlinit, i cili do të mbahet më 29 prill, Thaçi ka thënë se nuk ka asnjë agjendë të fshehtë përpara këtij takimi.

Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.

Në takimin e Berlinit përpos presidentit Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj pritet të marrin pjesë edhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe ata të Serbisë.

Postimi i plotë i Thaçit:

Si president jam në konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin tonë. Ne e mirëpresim dhe e përshëndesim këtë iniciativë. Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi. Presim që, në fund, ky takim të rezultojë me një deklaratë retorike të përgjithshme, paraprakisht të dakorduar mes pjesëmarrësve, e cila ndër të tjera do të rikonfirmojë së paku perspektiven evropiane të rajonit tonë, thellimin e reformave sidomos në sundimin e ligjit, si dhe do të theksojë domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për Kosovën do të ishte tepër dëshpëruese në rast se edhe në këtë takim, Franca dhe Gjermania, dështojnë të harmonizojnë qëndrimet e tyre për vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Prandaj, të flasësh për perspektiven evropiane të Kosovës, qoftë edhe vetëm në mënyrë retorike, është më tepër se hipokrizi!

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Venezuela priti të martën dërgesën e parë me ndihma humanitare…