Thaçi për takimin në Berlin: Nuk pres diçka konkrete për raportet Kosovë – Serbi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk pret diçka të re lidhur me raportet Kosovë-Serbi, nga takimi i Berlinit më 29 prill.
Ai thotë se takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor do të jetë një takim rutinë e rritjes së vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Thaci ka thënë se e vlerëson rritjen e interesimit prej Gjermanisë dhe Francës, për të uruar marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë, dhe fokusin për mundësinë e arritjes së një marrëveshje Kosovë-Serbi, por sipas tij, nuk do të ketë diçka të re nga ky takim sa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve.
Thaçi tha se takimi do të jetë rutinë, por mundësi e mirë për shtytjen e liberalizimit të vizave për kosovarët dhe për dënimin e gjenocidit të kryer në Kosovë, raporton “EO”.
“Do të jetë një takim rutinë i rritjes së vëmendjes së tyre për zhvillimet e Ballkanit Perëndimor dhe është një mundësi e mirë që kjo konferencë i jep shtytje liberalizimit të vizave për Kosovën dhe të dënojë gjenocidin e kryer në Kosovë”, u shpreh Thaçi
Ndryshe, më 29 prill është paralajmëruar takimi i Berlinit ku do të marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit. Në këtë takim Kosova pritet të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, gjithashtu edhe Serbia pritet të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Brnabiq.



