Thaçi pranon ftesë nga shoqëria civile për ta vizituar Luginën e Preshevës

19 tetor 2018 | 16:39

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të premten ka pritur përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave nga Lugina e Preshevës.

Presidenti Thaçi i ka falënderuar ata për punën që janë duke bërë në promovimin e të drejtave të shqiptarëve, në rrethana shumë të vështira.

“Qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë dhe kjo gjendje duhet të përmbyllet njëherë e përgjithmonë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se në këtë takim kanë biseduar edhe për kërkesën e liderëve politikë dhe të shqiptarëve atje për respektimin e referendumit të vitit 1992 për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.

“Si president i vendit e mbështes fuqishëm këtë të drejtë. Ndihem mirë që mbi 95 për qind e qytetarëve e mbështesin këtë ide, e cila mund të jetësohet në kuadër të korrigjimit të kufirit”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka përsëritur se me Serbinë duhet të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese, e cila siguron njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve, njohjen e pesë shteteve të BE-së, heqjen e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, etj.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të mediave nga Lugina e Preshevës e kanë ftuar presidentin Thaçi që të marrë pjesë në një tryezë diskutimi dhe në promovim të një libri për Luginën e Preshevës, që për qëllim kanë promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Ju falënderoj edhe për ftesën për të marrë pjesë në promovimin e librit dhe në tryezën për promovimin e paqes në rajon. Do t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë për të marrë pjesë atje, për kohën që ju keni planifikuar”, ka thënë presidenti Thaçi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lagjja “Tutin” në dalje të Prishtinës është bërë me rrejt…