Thirrja për mosrespektim të vendimit të Kushtetueses, thirrje për anarki

29 maj 17:19

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim dhe ish-ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Valon Murati, thotë se thirrja për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është thirrje për anarki.

Murati në një shkrim publikuar në “Facebook” ka shprehur mendimin se derisa një rast ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, atëherë domosdoshmërisht do të ketë të kënaqur e të pakënaqur.

Kushtetuesja të enjten i dha të drejtë dekretit të presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.

Teksti i publikuar nga Murati, pa ndërhyrje:

Thirrja për mos respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është thirrje për anarki

Derisa një rast ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese domosdoshmërisht do të ketë edhe të kënaqur e të pakënaqur nga vendimet e saj. Dhe kështu është në krejt botën dhe në tërë historinë e vendimeve të gjykatave kushtetuese e supreme në botën demokratike. Por atë që e dallon një vend demokratik nga një vend totalitar e autokratik është respektimi i vendimit të gjykatave, e sidomos të atyre supremeve apo kushtetueseve, edhe kur palët janë të pakënaqura me të. Thirrja për mos respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është thirrje për anarki, delegjitimim të institucioneve si dhe shtrim i rrugës që nesër edhe të tjerët të mos i njohin vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu për ata që po komentojnë se vendimi aktual është jo konsistent me vendimin e vitit 2014 sa i përket formimit të qeverisë e kam një porosi: ju lutem para se të komentoni lexoni, ju që dini të lexoni. Të bashkangjitur me këtë postim është edhe një fragment i vendimit të vitit 2014 në të cilin është e qartë se herën e dytë është në disrekcionin e presidentit se kujt i jep mandatin. E në anën tjetër pse në vitin 2014 nuk është krijuar qeveria e VLAN nuk ka të bëjë me procesin e formimit të qeverisë, por me vendimin për kryetarin e kuvendit (që sipas vendimit i takon partisë fituese) e cila e prishi atë koalicion pas-zgjedhor.

 Në anën tjetër është absurde të mendohet se është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të krijojë kushte për të shkuar vendi në zgjedhje. Ky është obligim i partive politike dhe Kuvendit të Kosovës. Është proces politik i cili mund të imponohet qoftë edhe me protesta paqësore. Ama me protesta paqësore. Dhuna e anarkia jo vetëm që shtrojnë rrugën e gjakderdhjes dhe vëllavrasjes sepse në këtë vend nuk ka veç njëra parti ‘popull’ por ‘popull’ kanë edhe të tjerët, por në radhë të parë do të dëmtojë edhe elektoralisht shkaktarët e dhunës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkencëtarët kinezë thanë sot për mediat britanike se janë “99…