T’ia kthejmë nëntorit Nëntorin

26 nëntor 2018 | 15:35

Ky artikull është shkruar nga heroi i kombit, Bahri Fazliu, në nëntor të vitit 1995

Sa herë vjen nëntori një kënaqësi e lehtë përshkon zemrat e njerëzve. Koka ngrihet lartë, sepse përmbajtja në kujtesë është e madhërishme. Askush s’mund të qëndrojë indiferent para historisë.

Sa herë vjen nëntori në njerëz rektinë shpresa. Nëntori është aq i madh sa t’i çojë peshë shpirtrat e vdekur.

Sa herë vjen nëntori hapen faqet e librit të të madhit popull. Sa kohë që ky libër i përket historisë nëntorët janë lavdia, në çastin kur fillon aktualiteti, nëntorët janë mjerimi. Në bilancin e bërë turpi i së sotmes mbulohet me lavdinë e së djeshmes.

Në nëntorët 1443, 1912, 1944, 1989 yjet i gjeje në tokë. Nata e shekujve vdiste para shkreptimës së një muaji.

Nëntori është populli. Populli i lindi Nëntorët për popullin. Kur nocioni popull u nëpërkëmbë, Nëntori mbeti vetëm në histori. Ta zësh sot në gojë Nëntorin do të thotë ta bësh më të dukshëm mjerimin tënd. Madhështia e heronjve verbon mjerimin e sotëm.

Xhuxhmaxhuxhët shkrihen para heronjve. S’mund të maten ndërtuesit e lirisë me rrënuesit e kombit, të rënët për liri me banorët e robërisë, të pagjumët e çdo stine me arinjtë dimëror.

Në nëntorët e kujtesës qielli, toka, varret s’kishin natë, në nëntorët e aktualitetit vetëm varret kanë dritë.
Sa herë vjen nëntori pyetet: pse s’erdhi NËNTORI?

Nëntorin e vrau nëntori. Nëntori s’mund të vritej ndryshe veçse me madhështinë e një nëntori të gënjeshtërt.

Që të gdhihemi në Nëntor duhet që të sotmen ta bëjmë të shndritshme sa kujtesën, të djeshmen ta bëjmë udhëzuese të së sotmes.

T’i kthejmë vitet në Nëntor, të brohorasë çdo gjë N-ë-n-t-o-r! – kjo kërkohet për çdo nëntor.
Nëntorin s’bën ta lëmë pa NËNTOR.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti në largim i KFOR-it, Salvatore Cuoci, u ka bërë…