Komandanti i KFOR-it bën thirrje për zgjidhje paqësore të problemeve në veri

26 nëntor 2018 | 15:32

Komandanti në largim i KFOR-it, Salvatore Cuoci, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës, atyre të Serbisë dhe përfaqësuesve lokalë në veri të Kosovës që të përmbahen dhe t’i zgjidhin problemet në mënyrë paqësore.

Në përmbyllje të mandatit njëvjeçar në krye të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, Cuoci ka thënë e llogarit në të gjitha palët që të tregojnë maturi dhe të mbështesin çdo përpjekje që dërgon në normalizim dhe shmangie të tensioneve.

“Pavarësisht a jetojnë në veri apo në jug, apo përkatësisë etnike, këshilla ime personale është që të përmbaheni nga përdorimi i dhunës, provokimit dhe përleshjeve”, ka thënë ai.

Cuoci po ashtu ka thënë se vendosja e sovranitetit të plotë të institucioneve të Kosovës në komunat veriore të banuara me shumicë serbe mbetet ende sfiduese.

“Në realitet ende nuk ka kontroll të plotë në atë pjesë dhe kjo është e vërtetë. Kemi krimin e organizuar që është i pranishëm, pastaj kemi vështirësi në angazhimet për të qenë plotësisht efektivë dhe të gjitha këto po ndikojnë edhe te popullata në veri”, ka deklaruar Cuoci.

Problemet në veri, ka thënë ai duhet zgjidhur përmes dialogut.

Cuoci, më 28 nëntor, do t’ia dorëzojë postin e komandantit të KFOR-it gjeneralmajorit Lorenzo D’Addario.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Projektligjet të cilat i hapin rrugë transformimit të Forcës së…